Nuk ka festë Bajrami pa bakllava.
Ëmbëlsira që karakterizon festën vjen me arra e sherbet. E ato të kuzhinës turke dallojnë nga ajo tradicionale.
E nevoja për të sjellë një copëz Turqie në Prishtinë bëri që familja Mehmeti të hapte biznesin e tyre me bakllavatë me recetë turke.
Fillimet e punës rastisën të kishin qenë në kohë pandemie, e kjo i stimuloi ata të fillonin vetë me prodhimtarinë e tyre, kështu bashkë me produktet bazë sollën edhe mjeshtrit më të mirë nga Turqia.
Secila prej produkteve është e përgatitur nga duart e tyre, edhe pse kanë pasur kuriozitetin e shumë klientëve për mënyrën e përgatitjes, megjithatë ata ruajnë sekretet e recetës origjinale.
Fëstëku është ajo që e bën më unike shijen e bakllavasë turke në krahasim me ato të zakonshmet.
Sipas Fjolla Mehmetit, shumë nga klientët më nuk e përgatisin bakllavanë në shtëpi, preferojnë që në festat e bajramit ajo turke të shërbehet në tryezën e tyre.
Familja Mehmeti festat i pret në vendlindjen e tyre në Gjilan, e kujdesen që edhe atje t’u dërgojnë shijen e bakllavasë që e përgatisin.
Adhuruesit e bakllavasë turke janë të shumtë, e në kohë festash numri i porosive shtohet edhe nga qytetet e tjera të Kosovës.