SOT

Badmintoni, sporti që po zgjon interesimin e të rinjve

Me shtrirje 9 km në lindje të qytetit të Kamenicës gjendet fshati Roganë, ku të rinjtë po mësojnë hapat bazë të një sporti mjaft të rrallë.

Nën udhëheqjen e trajnerit Afrim Morina e profesorit Besnik Kastrati, mosha e gjenerata të ndryshme kanë filluar ta praktikojnë sportin e badmintonit.

Ky sport olimpik fillet e tij i nisi në vitin 2018, derisa për vetëm 3 vjet ai numëron 11 ekipe nga e gjithë Kosova.

Interesim kanë shfaqur kryesisht fëmijët, megjithatë trajneri Morina thotë se ky sport po përfaqësohet mirë nga secila gjeneratë.

Energjia që marrin gjatë lojës, teknikat e veçanta e ritmi i lartë i lojës janë vetëm disa prej karakteristikave që kanë zgjuar interesimin te të rinjtë për të luajtur.

Duke nisur nga forma shumë e veçantë e topit e deri te reketi për lojë, badmintonin e bëjnë të veçantë disa karakteristika.

Sipas Morinës që njëherësh është edhe përzgjedhës i Kosovës në këtë sport, shumë lojtarë kanë treguar cilësi të cilat janë premtuese në të ardhmen për Kosovën.

Edhe pse nuk ka ende ligën e vet të Badmintonit, lojtarët e ekipeve të kësaj ane kanë treguar suksese të mëdha në gara ballkanike ku shpesh kanë dalë të parët në podium.

Sipas publikimeve të fundit nga Federata Botërore e këtij sporti, pas futbollit Badmintoni është sporti i dytë me më së shumti pjesëmarrës/lojtarë në botë.