Zjarri është “armiku” i tij i përhershëm.
Mirëpo kohët e fundit po e lufton pa asnjë orë pushim .
Leotrim Bylykbashi, zjarrfikës në Komunën e Suharekës, po përballet me zjarrin që ka kapluar fshatrat përreth.
Sipas Bylykbashit, zjarri po përhapet shpejt nga fshati në fshat, e numri i zjarrfikësve në dispozicion nuk është i mjaftueshëm.
Edhe pse me mungesë të njësive ndihmëse e me sakrificë të madhe, ai thotë se punën e bën me dëshirë.
E kjo dëshirë e zjarrfikësit 30-vjeçar ndonëse vullnetmirë është shqetësuese për familjarët e tij, sepse i rrezikohet jeta.
Shqetësimi i prindërve nuk mbetet me aq.
Mursel Bylykbashi, babai i Leotrim Bylykbashit, shpeshherë e bën rrugën deri në pikën ku zjarrfikësit përgatiten për aksionet e tyre.
Interesimi e shqetësimi për të birin janë arsyet e shpeshta për vizitat e tij këtu.
Pavarësisht të gjithave, puna e të birit e bën krenar, sepse, sipas tij, puna po bëhet në të mirë të vendit.
Bylykbashi rrëfen edhe mendimin e tij për përhapjen e zjarreve në fshatrat e Suharekës.
E ndonëse e takon vetëm për pak minuta, zjarrfikësit i thërret puna, mirëpo, sipas babait, aq i mjafton për të kuptuar se i biri është mirë.