Dhoma e tij e punës nuk dallon nga bibliotekat e vjetra. Azem Çerkini është koleksionues i 30 mijë gazetave dhe krijues i 300 fjalëkryqeve.
Gazeta ka zënë vend të veçantë në shtëpinë e tij.
Leximi i gazetave Çerkini e ndihmoi që ta mësonte gjuhën shqipe.
“Nevoja për integrim në familje, shoqëri dhe punë më ka shtyrë të lexoj shumë libra në gjuhën shqipe, pasi që deri në moshën 7-vjeçare nuk e kam ditur gjuhën shqipe për shkak se deri në moshën 7-vjeçare jam rritur nëpër spitale. Në atë kohë e kam kuptuar vetëm gjuhën maqedonase”, ka treguar ai.
Koleksionimin e gazetave e nisi në vitet e ‘90-a. Nga shtypi ditor thotë se gazetën “Koha Ditore” që nga numri i saj i parë i botimit e ka të arkivuar në zyrën e tij të punës.
“Nga viti 1990 jam munduar ta koleksionoj çdo gazetë në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të tjera, si sllovenisht, kroatisht, maqedonisht, serbisht etj. Që nga fillimi kur janë shtypur i kam gazetat si ‘Bujku’, ‘Koha Javore’, fillimisht, pastaj ‘Koha Ditore’, pastaj ‘Rilindja’, ‘Fjala’, ‘Shkëndija’ etj. Gazeta kam lexuar gjithçka, pa përzgjedhje”, ka shpjeguar Çerkini. “Që nga vitet e ‘90 deri në vitin 2013 i kam koleksionuar rreth 30 mijë gazeta. Nëse nuk kam gjetur numra të gazetave në Kosovë shpeshherë kam shkuar në Shkup për të blerë gazeta. Ndërsa gjatë luftës më është dëmtuar një numër i madh i gazetave”.
Çerkini mendon se koleksioni i tij i gazetave do t’u shërbejë trashëgimisë kulturore, si dhe gjeneratave të reja.
“Mendoj se këto e kanë kaluar vlerën materiale dhe tani më mund të jenë më shumë në vlerën kulturore dhe historike. Mendoj që brezat që vijnë, pa marrë parasysh trendit të teknologjisë, këto gazeta e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë vlerën e tyre historike derisa ka të interesuar për lexim. Mendoj që këto gazeta duhet të digjitalizohen, pasi që në këto kushte është shumë e vështirë që të ruhen edhe për një periudhë më të gjatë”, ka shtuar ai.
Informimi i digjitalizuar nuk ia zëvendëson gazetën koleksionistit.
“Si alternativë e mungesës së gazetave i shfrytëzoj portalet e ndryshme, përmes tyre informohem për çështje të caktuara, të cilat më interesojnë. Atë që e kam lexuar në gazetë, në portale nuk e kam gjetur, peshën e gazetës nuk e zëvendëson portali. Sepse vetëm shfletimi i gazetës ngjall një emocion, pasi që kohë më parë leximi i gazetës dhe librave shqip ka qenë i ndaluar për shqiptarët”, ka thënë Çerkini.
Përveç gazetave, Çerkini është krijues i 300 lojëra fjalësh, si fjalëkryqe, enigma etj.
Azem Çerkini të gjitha këto i ruan në shtëpinë e tij në Ferizaj.