Bashkë me ekipin e KTV-së e përcollëm atmosferën dhe disa nga performancat në festivalin “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen” në Deçan
Edicioni i këtij vitit kushtuar rapsodëve Dervish Shaqa e Demush Neziri solli performanca të ansambleve dhe artistëve nga Deçani e qyteteve të tjera.
Edhe pse të gjitha grupet nuk kishin ardhur që nga fillimi, kjo për shkak të shiut, ata që ishin të parët defiluan nëpër qytet për t’u kthyer prapë te skena.
Festivalin e hapi grupi “Dervish Shaqa” me këndim. Disa e çifteli, disa me kitare, me fyell e me tupanë, ofruan performancë rrëqethëse, duke prekur historinë me tekst të këngëve.
Për t’u pasuar me këngë e me valle nga grupi i parë i ansamblit nga “Deçani”. Çka i bënte të dallueshme këto vajza ishin flokët me gërsheta, pështjellak i bardhë me thurje të zeza, që konsistonte në këmishë dhe opingat të thurura.
Performanca e radhës përfshinte prapë një vallëzim nga ana e Dukagjinit, të cilën e hapën djemtë e Dukagjinit, që kishin veshjen klasike me tirqi dhe opinga, ndërsa karakteristikë e vajzave ishte prezantimi i veshjes së “katunit”, dhe dukja e të gjithave me buzët e kuqe.
Nuk dolëm nga vallja, festivali vazhdoi me një grup nga Tropoja, ku vajzat vallëzuan me këngën e “Bareshës”. Karakteristikë e tyre ishte veshja me fustanella dhe kurorat me lule mbi kokë dhe shamitë ngjyra-ngjyra, të cilat valëviteshin bashkë me muzikën.
Performancat e tjera vijuan me këndim nga grupi i Gjakovës dhe Dukagjinit.
Festivali ka vazhduar edhe ditën e dytë, më 16 qershor, e cila përkon me Ditën e Çlirimit të Deçanit