SOT

Artistja Fitore Syla, lekat e dikurshme i shndërron në llamba ndriçuese

Fitore Syla

Para dy vjetësh filloi si ide, por tek tani u bë realitet. Nga pasioni për interier e dizajn, artistja Fitore Syla deshi të krijonte diçka që do të gërshetonte të kaluarën me atë moderne.

Lekën, që dikur shërbente si mbajtëse uji, e po ashtu si dekor në një qosh të shtëpisë, kohët e fundit Fitorja po e rikthen si produkt unik, llambë që do të ndriçojë shtëpitë e gjithsecilit.

“Leka është besoj se gjithë e njohin e në veçanti ata në moshë, për shkak të historisë së saj dhe dëshirës së njerëzve për ta mbajtur në shtëpi, familja ime ka qenë e pasionuar pas tyre sepse vazhdimisht ka pas leka por vetëm si dekore, e madje në të kaluarën është përdoru për t’u larë me të, një ditë spontanisht duke e shikuar e mendova se nëse ka arrit t’i rezistojë ujit dhe ndër vite ka qëndruar në shtëpi atëherë ka një material shumë të fortë kështu fillova ta vizualizojë në mendjen time se si do qëndronte si llambë dhe menjëherë fillova ta konceptojë me ato të parat që kisha në shtëpi i mora i testova, i dhashë një ngjyrë dhe i përdora në banesën time që dolën shumë bukur”, tregon Syla.

Më e veçanta, sipas Fitores, mbetet interesimi i të rinjve për t’i blerë llambat. Ndonëse ato sot nuk kanë të njëjtin përdorim si në kohën e të parëve të tyre, të paktën me lekat e ripërpunuara po zbukurojnë ambientin e tyre.

“Më shumë po i bën përshtypje gjeneratat e reja, më vjen mirë sepse nëse një produkt më parë është përdor vetëm për tu larë ose për ta mbajtur në dekor madje më herët ka pasur gojëdhëna që largon shpirtrat e këqij, ka shumë gojëdhëna të ndryshme por edhe të rinjtë po e njohin në këtë mënyrë dhe është ndjenë e mirë që ky produkt po rikthehet, mirëpo tani me një funksion ndryshe”, thotë Syla.
Lekat e shndërruara në llamba janë me madhësi, ngjyrë, e forma të ndryshme. 

Por e gjithë kjo punë po arrihet me ndihmën e familjarëve të saj, e lekat tani janë një arsye më shumë që Fitoren po e bashkon me fshatin e lindjes, atje edhe ku po kultivohen.

“Leka nuk do kishte qenë aq mirë e realizueshme nëse ne nuk do ta kishim një tokë të punuar në fshat, babai im ka kultivuar fruta të ndryshme në fshat e kemi qenë afër njeri-tjetrit, kur kemi shkuj atje gjithnjë ka qenë atmosferë ndryshe, babi e ka bërë këtë veç neve me na mbajt afër me fshatin, tani kur kemi filluar me lekën, ta rifunksionalizojmë është një ndjenë më e mirë dhe lumturi më e madhe edhe për prindërit sepse leka na afroi më shumë me fshatin dhe kështu rikrijuam edhe njëherë rilidhje me vendlindjen”, tregon Syla.

Në 1 hektar lekat e Fitores kanë pushtuar tokën e Bresalcit të Gjilanit, kultivimi, vjelja, e përpunimi i tyre po bëhen në këtë fshat.

“Në Bresalc i kemi mbledh gjitha lekat në 1 hektarë tokë, sivjet shumica e tokës është e mbjellën e këtë produkt, është ndjenë e mirë sepse po i shoh duke u rrit, pas pjekjes së mjaftueshme duhet më pas me u vjel, me u tha për 6 muaj, e pastaj janë të gatshme të shndërrohen në llamba e më pas munden me i porosit secili që do për shtëpinë e tyre. Përpos që kungulli po kthehet në llambë dekorative, e rëndësishme po ashtu mbetet se llamba është organike e po ashtu ekologjike”, thekson Syla.

Ajo thotë se ndihet krenare që synimi i saj po arrihet, një parcele e tërë e mbollën veç me leka, bëri të rikthente këtë produkt që gati se ishte lënë në harresë.

“Për mua ka qenë e rëndësishme të vijë në këtë pikë me pa krejtësisht një tokë të punuar me leka, fatmirësisht toka ka qenë e mirë dhe synoj të dalin sa më shumë produkte që unë të eksperimentoj me to me ngjyra, forma e dizajnë unik”, deklaron Syla.

Çmimi i lekave si llamba dekorative ndriçuese varion sipas dizajnit e madhësisë, nga 30 e sipër, aktualisht ato po shiten vetëm online, e Fitorja synon zgjerimin e tregut edhe jashtë vendit.