Arti në miniaturë, Blend Zogajn e ka bërë që të nisë karrierën e tij prej artisti.
Djaloshi 14-vjeçar në 4 vjetët e fundit ka realizuar mbi 60 vepra arti.
Punimi më i veçantë i tij është flamuri kombëtar, të cilin e ka punuar me mbi 2 mijë lule.
“Punimi im i parë ka qenë një shtëpi e ndërtuar nga kartoni, në atë kohë për një punim më është dashur shumë kohë në krahasim nga tash. Unë deri tani i kam mbi 60 punime, disa prej tyre i kam shitur”, thotë Zogaj. “Ky punim është shumë i veçantë për mua, pasi që ka simbole kombëtare. Vitin e kaluar i kam punuar vetëm shkronjat e 28 Nëntorit, ndërsa këtë vit e kam punuar flamurin kombëtar. Ky punim ka të veçantë se e kam punuar me 2820 lule të vendosura një nga një dhe i gjithë punimi më ka marrë kohë rreth 1 muaj”.
Blendi punimet e tij i shet përmes rrjeteve sociale. Disa prej tyre i ka dhuruar për bamirësi.
“E kam parë që punimet e mia janë duke u pëlqyer, po ashtu, edhe kanë filluar që të shiten. Unë punoj edhe me porosi se çfarë dëshiron klienti. Çmimet janë të ndryshme, për shembull Kulla e Ajfelit kushton 150 euro, po besoj që është çmim i volitshëm pasi që mbi 80 euro më kushton vetëm materiali. Mbi 15 punime i kam dhuruar për bamirësi, sepse unë kam dëshirë që diçka timen ta dhuroj vetëm që t’i bëj mirë dikujt”, thotë Zogaj.
Djaloshi thotë se ka qenë pre e bullizmit, por asnjëherë nuk e ka ndaluar ëndrrën e tij që të bëhet një artist.
"Nuk besoj që ka diçka që më ndal nga ky lloj i artit. Në fillim më kanë bullizuar shoqëria dhe të tjerët, por unë nuk jam ndalur dhe nuk do të ndalem së bëri artin e miniaturës”.
Blend Zogaj synon që e ardhmja e tij të lidhet vetëm me artin.