Arbnora Gosalci punimet me dorë i ka nisur që nga studimet. Pas tyre kishte filluar punë në drejtim të marketingut. Por, talenti për të punuar vathë, qafore e unaza nuk iu shua asnjëherë.
Koha e karantinës bëri që ajo t’i kthehet zanatit të vjetër dhe t’i shesë produktet e saj online. Së fundmi, Gosalci ka hapur dyqanin e saj në kryeqytet. Ajo dëshiron që të punësojë sa më shumë gra në biznesin e saj.
Ngjyrat e dizajni, siç thotë ajo, janë kryesish ide të saj. Ngjyrat i kombinon varësisht prej stinëve.
Sipas saj, qytetarët u kushtojnë shumë rëndësi aksesorëve për të plotësuar veshjen e tyre.
Nga afër i ka treguar edhe disa nga punimet që i punon me përkushtim.
E çmimet e tyre thotë se janë të kapshme për çdo konsumator.
Tashmë është vetëm fillimi dhe ajo pretendon që biznesin e saj ta rrisë varësisht prej punës që do të ketë. Të gjithë këtë shpreson ta bëjë në bashkëpunim me shumë gra që i duan punimet e dorës.