Hormonet janë substanca, të cilat ndihmojnë funksionimin e qelizave dhe organeve në mënyrë të duhur e shpeshherë kur te njerëzit shfaqen probleme shëndetësore shërbejnë si indikatorë se hormonet mund të mos jenë të balancuara. Por më të theksuara janë te gratë.
Për të kuptuar gjendjen doktorët rekomandojnë se duhet nënshtruar analizave të posaçme e të cilat mund të kryhen edhe në Klinikën e Biokimisë, në Qendrën Klinike Universitare.
Meqenëse kjo klinikë është e pajisur me aparatura të ndryshme, aty mund të kryhen një sërë analizash.
Rëndësinë e rregullimit të hormoneve e pohon edhe vetë endokrinologia Rina Tafarshiku-Sejdiu.
Hormoni lutenizues, stimulues, estradiol e shumë të tjerë janë vetëm disa prej vlerave që kërkojnë doktorët t’i dinë para se të vazhdojnë në terapinë e caktuar.
E cila është analiza më e kërkuar nga specialistët?
“Më të shpeshta janë ato të gjëndrës tiroide”, ka shpjeguar Tafarshiku-Sejdiu
Drejtori i Klinikës, Shemsi Veseli, tregon se shpesh kanë munguar reagensët e andaj kjo ka qenë arsyeja se pse shumë qytetarë është dashur t’u drejtoheshin laboratorëve privatë.
Pavarësisht kësaj, vetëm në vitin 2021 janë dhënë rezultatet e mbi 1 milion e 800 mijë analizave.
Analizat hormonale në QKUK kushtojnë 10 euro, kurse për të njëjtat në laboratorë privatë çmimi mund të arrijë deri në 100 euro.