SOT

Amerikania zgjodhi Kosovën për të jetuar, ka një mision të veçantë

Për vite të tëra Janet Reineck jetoi në Kosovë, e me t’u kthyer në Amerikë themeloi një organizatë humanitare, të cilën e quajti “World Dance for Humanity”. 

Tani, me t’u rikthyer për të jetuar në Kosovë, përmes grupit të vallëzimit me vajza e gra nga të gjitha këtu, ajo siguron donacione për vendet në luftë. 

“Organizata ime ‘World Dance for Humanity’ do të thotë valle botërore për humanitet, ka nisur në vitin 2010 dhe kur jam kthyer në Amerikë prej Kosovës kam punuar me ndihma humanitare dhe e themelova këtë organizatë. Pra, jemi me valle, por edhe me ndihma humanitare. Në Amerikë i kemi 6 ditë në javë, por në Kosovë 3 ditë. Rëndësi ka për mua vetëm ta kemi një kënaqësi bashkë me zonjat këtu pa e gjykuar njëra-tjetrën”, thotë Reineck.

Interesimi i grave të Kosovës për t’u bërë pjesë e orëve të vallëzimit e ka befasuar atë. Thotë se ua mëson hapat e vallëzimit të të gjitha trevave shqiptare. Por edhe ato të vendeve që janë në luftë, në shenjë solidarizimi me përjetimet e popujve të tjerë.

“Unë jam befasuar që këtu në Kosova janë të hapura për valle. Kuptohet në fillim i mësojmë ata hapat bazë të valleve. Por kemi mësuar bashkë edhe për kërcimin afrikan, indian e sidomos bëjmë valle të shteteve që ende përjetojnë luftë, për ta ngritur vetëdijen se çka kalojnë njerëzit në botë”, tregon Reineck.

Janet nuk e pati të vështirë t’i mësonte vallet shqipe. 

Në Kosovë u zhvendos të jetonte në vitin 1981, kur shqiptarët po jetonin nën masa të dhunshme, por thotë se e gjeti veten shpejt, sepse e donte melosin shqiptar. 

“Unë këtu kam jetuar për një kohë të gjatë. Për mua ka qenë shumë e vështirë adaptimi, sepse jetova në vitet e masave të dhunshme në prag të luftës që e përjetoi Kosova, por arrita ta gjej veten. U inkuadrova në jetën e njerëzve këtu, nëpër fshatra dhe besoj se ia dola vetëm se e desha shumë melosin shqiptar”, thekson Reineck. 

Përmes këtyre orëve të vallëzimit Janet po mbledh donacione për t’i dërguar si ndihmë për Ukrainën. 

“Këtu në ansamblin e valleve ‘Shota’, të cilët i falënderoj që na e kanë mundësuar hapësirën për vallëzime, jemi duke mbledhur fonde, të cilat shkojnë në Ukrainë”, thotë Reineck. 

Janet i pëlqen vallet që luhen në dasmat shqiptare, por ka kritikë kur flitet për shpenzimet e mëdha në një dasmë.

“Për dasmat e Kosovës kisha thënë më mirë në shtëpi sesa në hotel. Mua më pëlqejnë organizimet nëpër shtëpi, se aty ka gjithçka tradicionale. Jam mësuar me muzikën folklorike e ajo më pëlqen shumë. Kështu që një këshillë për të gjithë, të bëjnë sa më pak shpenzime. Më mirë të mos shpenzohen shumë para në dasma e në shtëpi të mëdha. Kosovës i duhet investim në biznese e jo më të shpenzohet në dasma”, tregon Reineck.