SOT

Amerikanet në Junik me punë vullnetare në shkolla

Nga trafiku i dendur i Amerikës erdhën në rrugicat shumëngjyrëshe në Junik.

Kjo është rruga që këto gjashtë vajza po e bëjnë tash e disa ditë, prej kur janë vendosur në familjen e Safete Gacaferit.

April Knab, Madison Busey, Gina Dickinson, Jordan Allen, Camden Clark dhe Taylor Hall, në Kosovë ditën po e kalojnë në gjimnaz e në shkollën fillore ku po i ndihmojnë nxënësit në përvetësimin e gjuhën angleze.

April Knab, njëra nga vajzat, rrëfen për eksperiencën e saj në Kosovë gjatë këtyre ditëve, duke theksuar në veçanti mikpritjen.

“Më pëlqen shumë, këtu është shumë bukur, edhe njerëzit janë shumë të shoqërueshëm. Juniku po ashtu është shumë i bukur, me një natyrë fantastike, është një vend shumë i vogël dhe prandaj më pëlqen shumë që mund të takoj njerëz dhe t’i shoh vazhdimisht. Ne e kemi takuar dikë në një udhëtim për ngjitje në mal në Shqipëri dhe ai ishte nga Juniku e pikërisht i njëjti na ftoi që të vinim edhe këtu, prandaj edhe erdhëm”.

25-vjeçarja thotë se aktivitetet me të cilat ato do të merren gjatë tri javëve që do të qëndrojnë këtu, kanë të bëjnë me shpërndarjen e ndihmës dhe paqes me aq sa ato kanë mundësi.

“Ne jemi duke ndihmuar në shkolla të mesme dhe në fillore, ndihmojmë me praktikën e gjuhës angleze tek fëmijët, po ashtu ndihmojmë edhe me aktivitete të tjera që shërbejnë në të mirë të komunitetit. Të gjithë fëmijët janë shumë të mirë dhe janë shumë të mençur. Po, ata janë shumë të avancuar edhe në gjuhën angleze, madje disa prej tyre janë edhe të vegjël në moshë, mirëpo na kanë befasuar me njohuritë në këtë gjuhë”.

Këto aktivitete të rejat i kanë filluar që nga shtëpia e tyre në Amerikë.

Ato në vazhdimësi po udhëtojnë nga vendi në vend për të kontribuar për shoqëri.

Madison Busey thotë se udhëtimin e kanë filluar që në gusht ku destinacion të parë kishin Rumaninë.

“Po, ne filluam në Amerikë, u nisëm në gusht, me datën 12 besoj dhe pastaj shkuam në Rumani dhe qëndruam atje. Kemi bërë shumë punë vullnetare si: pastrimin e rrugëve nga mbeturinat, diskutime me të rinjtë dhe bëmë punë vullnetare edhe me kishën. Më pas shkuam në Shqipëri, në Theth dhe qëndruam atje për disa ditë. Edhe aty ndihmuam njerëzit në mënyra të ndryshme, por shkuam edhe për ngjitje në malet e Shqipërisë. Pas Shqipërisë e vizituam Kroacinë, ku aktivitetet nuk i ndalëm as aty. Shpesh herë edhe kemi pastruar shtëpitë e njerëzve dhe kjo na shërbeu për të njohur njerëz të rinj e për të krijuar shoqëri. Tani jemi në Kosovë, e edhe këtu jemi duke u marrë me punët në shkolla dhe po ashtu kemi në plan të pastrojmë rrugët që kanë nevojë në Junik”.

E i gjithë ky udhëtim siç duket përveçse argëtues ka qenë edhe informativ.

Kjo, sepse nga të gjitha këto kultura të ndryshme ato arrijnë të bëjnë një diferencim.

Busey i numëron edhe veçantitë që e karakterizojnë secilin prej vendeve.

“Secili shtet është unik në vete dhe shumë ndryshe po ashtu për shumë arsye. Ka shumë gjëra fantastike që ia vlen t’i përmendësh për vendet që i kemi vizituar. Specifikisht, këtu në Kosovë të gjithë njerëzit janë shumë të shoqërueshëm dhe nuk hezitojnë të na ndihmojnë për çfarëdo që kemi nevojë dhe mikpritja është ajo që e vlerësojmë më së shumti në Kosovë.

Edhe në Shqipëri vlen të përmendet po e njëjta, njerëzit ishin të mrekullueshëm dhe kishin një vullnet të paparë për të na dalë në ndihmë.

Nga ana tjetër në Rumani të gjithë shoqëroheshin me ne pa hezituar, gjë që ishte shumë e mirë nga ana e tyre, e po ashtu në Rumani do të veçoja edhe ushqimin fantastik. Në Kosovë ende nuk kemi mundur t’i shijojmë ushqimet tradicionale, megjithatë ato që i kemi provuar kanë qenë të mrekullueshme”.

Juniku dukej shumë bukur në vjeshtë, e kjo i ka rënë në sy edhe Gina Dickinson.

Ajo u bashkohet mendimeve të bashkudhëtareve të saj në këtë mision duke rrëfyer për eksperiencën e kaluar deri më tash në Kosovë dhe për punën e madhe që ato po bëjnë me fëmijët e këtij vendi.

“Koha që kam kaluar deri më tash në Kosovë ka qenë fantastike, fatmirësisht kemi ardhur në stinën e vjeshtës sepse kemi mundësinë të shohim ngjyrat e bukura që merr vendi në këtë sezon. Ashtu si vajzat e tjera, edhe unë do të theksoja më shumë është pritja e mirë që na kanë bërë vendësit këtu dhe këtë e vlerësojmë shumë. Për aq kohë sa jemi këtu, kam parë që dashuria që kanë njerëzit për njëri- tjetrin është shumë e rëndësishme, të gjithë janë shumë të sjellshëm dhe këtë gjë e kam shijuar shumë. Realisht nuk ka diçka që nuk më pëlqen. Gjithçka këtu po na bën mirë, sidomos ajri i pastër, fqinjët i kemi shumë të kujdesshëm, fëmijët që punojmë me ta janë shumë të zgjuar. Pra, kam krijuar një përshtypje shumë të mirë për Kosovën. Në përgjithësi nuk mendoj se ka diçka që duhet të ndërrojë, sepse puna me fëmijët po ecën mirë, andaj përvetësimi i gjuhës angleze është i nevojshëm e ne për këtë po mundohemi”.

Këto gjashtë vajza nuk janë të vetmet që po qëndrojnë në Kosovë.

Dickinson thotë se ka edhe pjesëtarë të tjerë të organizatës të cilët janë të vendosur në qytete të ndryshme e që po i zhvillojnë aktivitetet njëjtë si to.

“Pra, ne jemi në organizatën e quajtur “ The World Race” me qendër në Georgia të Amerikës. Jemi rreth 32 anëtarë të organizatës që momentalisht jemi në Kosovë në qytete të ndryshme. Jemi ndarë në grupe, secili grup përbëhet nga gashtë anëtarë dhe tani jemi në vende të ndryshme. Ne mundohemi t’i shërbejmë shoqërisë e popullit me anë të aktiviteteve duke synuar të shpërndajmë paqen ngado”.

E siç duket me të vërtetë kosovarët u kanë lënë një shije të mirë vajzave amerikane, sepse nuk treguan dyshime kur u pyetën se a do të vizitonin sërish Kosovën.

“Po, patjetër që do të doja të vija prapë në Kosovë edhe herëve të tjera. Realisht arsyeja më e madhe janë fëmijët. Ata kanë hyrë në zemrën time, janë shumë të mirë, shumë të sjellshëm dhe gjithashtu shumë të interesuar për të mësuar. Me të vërtetë e vlerësoj shumë rëndësinë që i kushtohet mësimit këtu në Kosovë.”

Vajzat i kanë sjellë një frymë të re qytetit të vogël të Junikut, sepse ngado që shkonin, merrnin dashuri të madhe nga banorët e kjo vihej re edhe gjatë kohës sa ne qëndruam aty.