Mbi 20 kilometra larg qendrës së Prishtinës, përtej Mramorit, gjendet fshati Busi.
I rrethuar nga malet, ky fshat ka një natyrë të mrekullueshme, sidomos gjatë verës.
Megjithatë, dita-ditës, banorët po e braktisin atë për shkak të kushteve të vështira të jetesës.
Ata pak banorë që kanë mbetur, merren kryesisht me blegtori, sikur dhe Ali Sopi, i lindur dhe rritur në Busi.
“Unë jam Ali Sopi, merrem me bagëti, këtu kam lindur e jam rritur e jemi marrë gjithë me to edhe qumështin e shesim, vijnë e marrin. Në përditshmëri duhet të zgjohemi herët, duhet të ju qesim ushqim çdo ditë, të heqim plehun e kështu. I kemi 31 krerë me gjithë vica, gjithë jemi marrë me to por pas luftës kemi filluar të shesim edhe qumësht”, thekson Sopi.
Për t’u kujdesur për bagëtinë, Sopi zgjohet çdo ditë në orën 6 të mëngjesit.
“Vështirë është, punë kanë mjaft shumë por leverdi ka. Në ora 6 zgjohem vijë këtu i mjelim, e bëj qumështin gati, e prapë në mbrëmje duhet të vijmë këtu. Për momentin 12 i kam që qesin qumësht, do shtohen më shumë. qumësht varet prej ditës 250-260 i qesin”, shton Sopi.
Dikur, fshati ishte plot shtëpi, por Sopi thotë se tani në lagjen ku ai jeton kanë mbetur vetëm dy familje.
“Shtëpi nuk ka, janë dalë krejt, jemi vetëm dy shtëpi që mbajmë bagëti e tjerat nuk ka, të banuara vetëm dy. Por vila janë duke ndërtuar shumë se vështirë është për fëmijë të vegjël pak larg për shkollë. Për momentin nuk kemi fëmijë në shkollë por edhe një vit a dy bëhet nipi për shkollë. Përpara ka ardhur një kombi i ka bart i ka dërguar në Busi. Edhe aty kanë dalë krejt. Duhet të ja bëjmë disi të shkojmë në Hajvali a në Prishtinë se ndryshe është vështirë”, deklaron Sopi.
Kujdesi ndaj lopëve është prioriteti i tij.
Me një mikser që e ka përfituar nga komuna, ai çdo ditë përgatit ushqimin për bagëtitë, edhe pse për këtë i duhet të shpenzojë shumë naftë për traktorin.
“Ka qenë e nevojshme se është e mirë për ta përgatitur ushqimin e lopëve sepse e bëjmë përziejnë me silazh, grurë, sanë është shumë e mirë, prej që e kemi marrë këtë edhe lopët janë më mirë dhe qumësht qesin më shumë. Ua përgatit edhe ua bën të gatshme nuk shkon poshtë hiq. Kjo e grinë e bën të gatshme e kështu kur të ua qesim gjysmën e lënë. Nuk kemi konkurruar për të, kemi konkurruar për një kultivator ndërsa për këtë vjet dhe na kanë sjellë. Ka qenë shumë e nevojshme”, deklaron Sopi.
Në përgjithësi, Sopi thotë se fshati i plotëson kushtet elementare, përveç furnizimit me rrymë, për të cilin ata gjithmonë kanë probleme.
“Punën e kemi tonën dhe ujë kemi boll të gjitha i kemi, rrugën na e kanë shtruar asfalt. Problem është shkolla për fëmijë që është pak larg se përndryshe të gjitha të mirat janë. Rrymën e kemi shumë të dobët, më shumë punojmë me agregat, telat janë katastrofë. Një ditë i kam thirr se një tel ish këputë, në vend që ta lidhin telin e kanë këputë një dhe një fazë tashmë nuk kemi vetëm dy faza. Më shumë me agregat duhet të merret. Shumë herë mi ka djegë edhe mjetet për qumësht, nuk na ka kompensuar askush”, thekson Sopi.
Pas braktisjes nga shumica e banorëve, në fshat kanë filluar të ndërtohen vila nga qytetarë të ndryshëm, të cilët po blejnë toka në atë zonë.