Shumë figura të njohura ndërkombëtare që sot janë në zenitin e karrierës së tyre, përfshirë këtu presidentë të shteteve më të fuqishme në botë, dikur kishin kryer punën e akulloreshitësit.
Nga kjo premisë sikur janë nisur edhe dy vëllezërit ferizajas Fatlind e Labinot Rexhepi.
Edhe pse kanë përvojë të gjatë pune, ka fare pak vite që kanë hapur pikën e tyre freskuese e ëmbëltuese në qendër të qytetit.
Secilës stinë ata ia përshtatin edhe menynë. Klientela është e shumtë në numër dhe kërkesa për t’i shijuar akulloret aty është e lartë.
Ata sot janë emër asociues për akulloren.
Ndërkaq, tollovia e krijuar pranë pikës së tyre është e kurdondodhshme.
Klientët që frekuentojnë dyqanin e tyre të akullores u takojnë grupmoshave të ndryshme, ndërkohë që shërbimi nis qysh në orët e hershme të mëngjesit e nuk mbaron gjer në mesnatë.
Sipas dy vëllezërve, cilësia e shërbimit që ofrojnë është shumë e lartë dhe gjithnjë mundohen që ta japin maksimumin, ashtu që akullorja e tyre të jetë më e mira si në shije, ashtu edhe në pamje.
Se kanë fituar edhe zemrën e klientëve kjo tashmë është më se e dukshme. Mirëpo, diçka që bie në sy vazhdimisht është se klientëve të shumtë u bën përshtypje raporti që kanë mes vete dy vëllezërit, gjë të cilën e reflektojnë edhe te të tjerët.
Në periudhën e nxehtë të verës, sidomos edhe me ardhjen e mërgimtarëve që duan t’i shijojnë akulloret “Me kënaqësi”, përpos gjatë orëve të para të ditës, fluksi shtohet edhe më tej në orët e vona të mbrëmjes.