Çdo të enjte gratë e komunës së Kastriotit mblidhen për të zhvilluar aktivitete të ndryshme në ambientin e “shtëpisë së të moshuarve” në këtë komunë.
Prej dy vjetësh, ato kanë krijuar një organizatë të gruas, ku pjesëmarrëse janë kryesisht pensionistet, të cilat përfshihen në aktivitete rekreative.
Azemnie Simnica është njëra nga gratë që pozicionohet te këndi i makinave të qepjes.
Pa hezitim, ajo ua mëson edhe grave të tjera si të punojnë me këto makina.
“Këtu jemi te shtëpia e pleqve. Ne si gra tubohemi çdo të enjte këtu dhe bisedojmë për çdo telashe që mund ta kemi. Organizojmë shpesh edhe punëdore e besa organizojmë edhe shëtitje në raste të shpeshta, vizitojmë vende kudo që ne kemi dëshirë. Për çdo vit këtu tubohemi edhe për iftare. Këto i kemi dy makina për qepje. Nuk jam shumë aktive në qepje, por kështu di dhe kur të më jepet rasti unë qepi. Ndonjëherë bëjmë edhe si lloj panairi ashtu të vogël me punëdoret që ne i kemi punu”, thotë Simnica.
Ajo tregon se këto gra janë lidhur ngushtë me njëra-tjetrën dhe shpesh ndajnë rrëfime personale.
“Kemi madje raste të grave që janë bërë mike tona e që e kanë një histori jo shumë të lehtë, prandaj ‘Shtëpia e pleqve’ këtu është vendi i vetëm që ato i bën të dalin nga shtëpitë dhe kalojmë kohë të mirë me to”, deklaron Simnica.
Një tjetër grua, e cila është e pensionuar dhe e rregullt në këto takime, shijon qepjen dhe punën e dorës në “Shtëpinë e të Moshuarve” në Kastriot.
“Këtu vijmë për ta kaluar monotoninë që e kemi në shtëpitë tona. Këtu pimë kafe, bëjmë qef, flasim e bëjmë biseda të shumta me njëra-tjetrën. Prej aktiviteteve më të rëndësishme për neve si të moshuara është qepja me makinat që na i kanë siguru këtu”, thekson Jalldyze Maloku.
Drejtoresha e “Shtëpisë së të Moshuarve” thekson se ky ambient frekuentohet nga 90 gra nga rrethina e Kastriotit. Ajo përmend se aktivitetet si loja e shahut, qëndisja, shëtitjet e rregullta dhe aktivitete të tjera, e bëjnë takimin e këtyre grave të veçantë.
Ato ndajnë hapësirën me burrat ndërsa së shpejti pritet që në këtë ndërtesë të krijohet një ambient i veçantë vetëm për gratë.
“Kjo më parë ka qenë një ndërtesë e vjetër, ku në fillim kanë ardhur vetëm burra të pensionuar. Pastaj e kemi parë të rëndësishme formimin e aktivit të gruas para dy vitesh. I kemi disa aktivitete që i zhvillojmë këtu me gratë. E kemi bërë një marrëveshje me burrat, pasi që e kemi hapësirën e njëjtë me ta. Prandaj e kemi bë si marrëveshje që ne gratë të vijmë këtu çdo të enjte dhe ta kalojmë ditën me aktivitetet tona. I kam 90 gra edhe pse nuk vijnë çdo herë të gjitha, por me rëndësi e kemi kriju një grup të mirë”, deklaron Magribe Salihaj.
Në orët e fundit të qëndrimit ditor aty, ato relaksoheshin duke pirë çaj.
“E tash për me u relaksu paksa tash është edhe koha e çajit. Organizata e grave që e kemi formu e që vijmë këtu nuk e ka rolin vetëm që të kalojmë kohën, por edhe për vetëdijesimin e grave në përgjithësi që të shkëmbejmë mendimet e njëra-tjetrës e të marrim informacione për fusha të ndryshme, qe shumë kohë më parë nuk kemi mundur t’i marrim”, thotë Xhemile Krasniqi.
Tavolinat me lojën e shahut përdoren gjithashtu nga gratë pensioniste, edhe pse shumicën e kohës ato janë të zëna nga burrat.