SOT

Agim Tahiraj, trajneri i boksit mes dy profesioneve

Kalimin nëpër korridoret e Pallatit të Rinisë e drejt sallës së sporteve luftarake e bën çdo pasdite.

Është kjo rutina që e përcjell trajnerin e boksit Agim Tahiraj prej më shumë se 20 vjetësh.

Derisa paraditen e kalon si punëtor administrate në Ministrinë e Arsimit, dy orë të pasdites ia kushton sportit të boksit dhe trajnimit të djemve të rinj.

Dashuria për këtë sport thotë se e bën balancën mes dy profesioneve krejt të ndryshme prej njëra-tjetrës.

Tërë energjinë ai e shpenzon duke i formësuar si boksier kryesisht djem prej moshave 7 deri në 15 vjeç, që kanë nevojë për kanalizimin e emocioneve të tyre.

Thotë se merret shumë me disiplinën dhe ligjëratat me ta, ku qëllimin kryesor e ka t’i largojë nga problemet në rrugë.

Të dyja profesionet kanë të mirat dhe veçoritë e tyre, sipas tij, porse trajnimin e boksit e ka më me ëndje.

“Unë jam rritur duke e pa Muhamed Alinë, e te ne Aziz Salihun. Kanë qenë kohë që t’mbesin n’kry...’’, thotë ai.

Derisa edhe për djemtë, që stërvitin me trajnerin Tahiraj, boksi më shumë është bërë një sport që iu ndihmon atyre që të largohen prej telasheve.

Por nga puna e përditshme në sallë ata tashmë e mendojnë boksin si sport karriere.