Ka pak ditë që viti i ri shkollor në Kosovë ka filluar. E për herë të parë nxënësit e klasës së parë të Kosovës dhe Shqipërisë do të mësojnë nga e njëjta Abetare.
Abetarja e Përbashkët Unike tashmë gjendet në bankat e secilit fatos, të cilët mezi po presin ta shfletojnë atë e të fillojnë mësimin e shkronjave.
Sipas mësimdhënëses të shkollës model “Qamil Batalli” në Prishtinë, Sherife Dibrani, Abetarja e gjeneratave të kaluara ka qenë më e ngarkuar me tekste, ndërsa e reja ka më shumë përparësi.
Për mësuesen është pozitive që fëmijët shqiptarë në të dy shtetet mësojnë me të njëjtën Abetare.
E 6-vjeçari Unik Dibrani nuk e fsheh entuziazmin që kishte për të ardhur në shkollë.
Ndërsa Nota Aliu thotë se mezi pret t’i mësojë shkronjat.
E drejtori i shkollës, Liridon Maliqi, thotë se Abetarja luan një rol të rëndësishëm në kujtimet e fëmijërisë për secilin fëmijë.
Ai thotë se Abetarja e Përbashkët ka bashkuar edhe më shumë vendet shqipfolëse.
E sipas nënës, Zana Efendia Beja, e cila me origjinë është nga Kosova por tani jeton në Shqipëri, djali i saj ka filluar sivjet klasën e parë. Ajo thotë se kjo abetare dikur kishte qenë ëndërr për fëmijët kosovarë, e që tani djali i saj ka mundësinë ta mësoj atë sikurse gjithë fëmijët tjerë shqipfolës të gjeneratës së tij.
Abetarja e Përbashkët ka qenë zotim i dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë që nga mbledhje e përbashkët në nëntorin e vitit të kaluar, e përurimi i saj u bë më 1 shtator gjatë një ceremonie të organizuar nga të dy qeveritë në Gjakovë.