Dega e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në “Taslixhe” është një nga hapësirat më të pasura me tituj librash për fëmijë në kryeqytet.
Fëmijët që vijnë të marrin libra këtu, një numër i konsiderueshëm prej tyre janë të obliguar nga mësimdhënësit për leximin e lekturave të ndryshme, por ka prej tyre që vijnë thjesht nga dashuria për leximin. Ndër ta është edhe 9-vjeçarja Erika Karavitaj, një lexuese e rregullt dhe e pasionuar.
Erika, nxënëse e klasës së 4-t në shkollën “Gjergj Fishta”, thotë se ende e kujton librin e parë që e lexoi. Ajo shton se prej tij mori një mesazh shumë të rëndësishëm për jetën.
“Dëshira për lexim erdhi pasi kuptova se leximi është pasurim i dijes, andaj fillova të lexoja. Libri i parë ka qenë 'T'u përmbahesh rregullave', aty flitej për kafshët që kanë qenë duke ndërtuar kinema për kafshët e vogla dhe aty të vegjlit kanë bërë rrëmujë me lëngje e kokoshka duke thyer rregullat. Nga ky libër kam mësuar disa rregulla: nëse shkoj në kinema duhet mbajtur qetësinë dhe të mos hedhim kokoshka e lëngje”, thotë ajo.
Librat e autorëve të huaj, sipas saj, janë më tërheqës. Deri më tani ka lexuar mbi 100 të tillë.
“Më shumë më pëlqejnë librat me autorë të huaj, por edhe autorët shqiptarë i lexoj. Aktualisht jam duke lexuar disa libra të Geronimo Stilton, të përkthyer nga Agim Doksani dhe deri tani kam lexuar 115 sish”, deklaron ajo.
Erika thotë se dëshira për lexim i ka lindur nga shembulli që ka parë tek prindërit e saj, të cilët si të vegjël kishin qenë të pasionuar pas leximit.
“Gjatë javës lexoj deri në 5-6 libra e në ditë lexoj 2-3 libra varet sa më tërheq libri, ku përmes tij marr informacione të ndryshme. Dëshirën për lexim e kemi tërë familja edhe prindërit e mi kanë lexuar si të vegjël madje kam një minibibliotekë në shtëpi që ma ka blerë babi. Kur të rritem do bëhem bibliotekare ose laborante”, shton ajo.
Bibliotekarja Afërdita Pacolli tregon se biblioteka pasurohet vazhdimisht me tituj të rinj që kryesisht sigurohen nga Komuna e Prishtinës, mirëpo ka edhe prej donatorëve që duan të kontribuojnë.
“Në bibliotekën tonë fëmijët vazhdimisht lexojnë, sepse është afër shkollave ‘Gjergj Fishta’, ‘Elena Gjika’, ‘Pjetër Bogdani’. Kemi nxënës që marrin libra si detyrë nga mësimdhënësit, por një numër i madh është që vetë duan të lexojnë. Jemi mjaft të furnizuar, por do të ishte më mirë të kemi edhe tituj të rinj. Komuna është ajo që sjell libra, por mund të sjellin edhe donatorët”, thekson Pacolli.
Ajo thotë se të vegjlit më shumë pëlqejnë librat e autorëve të huaj, por që janë të përkthyer në shqip.
“Nxënësit që lexojnë shumë zakonisht marrin 4-5 libra përnjëherësh që mund t'i mbajnë 2 javë, edhe shkollat angazhojnë nxënësit me libra, klasat e 8-9 e kanë pasur obligim të lexojnë ‘Kështjellën’, e të vegjlit më shumë lexojnë autorët e huaj që me përkthim janë në gjuhën shqipe”, shton Pacolli.
10 euro në vit është kostoja për të lexuar dhe marrë libra nga biblioteka, por nuk janë të rralla ditët kur regjistrohen falas fëmijët.
“Kemi pagesë solide prej 10 eurosh në vit, mirëpo janë të liruar disa nga pagesa, por kemi edhe data të ndryshme që bëjmë regjistrimin falas dhe me këtë kosto besoj se nuk është e lartë dhe kush dëshiron të lexojë është mundësia”, thekson Pacolli.
Bibliotekarja bën thirrje për shkollat që të obligojnë më shumë nxënësit në leximin e librave.
“Ne bashkëpunojmë edhe me prindërit, derisa kam filluar të punoj me fëmijë nuk e kam besuar se e duan aq shumë librin, por duhet punuar shumë me ta që të shtyjmë edhe më shumë dëshirën për lexim, unë preferoj që fëmijët mos ta kenë internetin në dorë, bëj apel në shkollat të japin si detyra leximin e librave të ndryshëm”, deklaron Pacolli.
9-vjeçarja Erika vazhdon të jetë një nga lexueset e rregullta të Bibliotekës, e cila synon të zgjerojë edhe më tutje njohuritë e saja të fituara përmes librave.