SOT

80-vjeçari që e vendosi orën e parë në hapësirën publike në Kosovë

Faruk Panduklu, 80-vjeçari që merret me rregullimin e orëve, zejen e ka trashëguar nga gjyshi.

Ai rrëfen për historinë mbi 160-vjeçare, kur familjarët vendosën të merreshin me këtë punë.

Panduklu me krenari rrëfen se si e ka sjellë orën e parë në Kosovë e të cilën e ka vendosur në mes të kryeqytetit.

Mosha e shtyrë nuk e ka penguar që të zhvillojë një veprimtari të tillë, sepse dëshira për ta ruajtur punën e madhe të paraardhësve të tij e mbajti me motiv.

Në krahasim me kohët e mëhershme, Panduklu thotë se tash nuk ka adhurues të orëve, meqenëse kanë dalë imitimet, të cilat po e zbehin punën e mirë e origjinale.

Orëndreqësi thotë se sot teknologjia dhe mekanizmat e rinj po e zëvendësojnë punën e zejeve, mirëpo puna e bërë nga dora ka veçantinë e vet.

Rregullimi i orëve nuk është i vetmi pasion i tij.

Ngjitja në bjeshkë ia ka dhënë energjinë e duhur që i nevojitet të vazhdojë punën edhe sot pas shumë vjetësh.

Si orëndreqës, por edhe si adhurues i natyrës, Panduklu këshillon të rinjtë të punojnë e krahas punës të kujdesen më shumë për mjedisin ku jetojnë.

Dyqani vazhdon të punojë në qendër të Prishtinës e brenda duket si një minimuze nga orët e shumta qindravjeçare që pronari vazhdon të koleksionojë.