Tetëvjeçari Ajan Selmani, me shumë qejf dhe emocione e nisi ditën e mësimit të martën.
Kjo pasi ishte dita për të cilën kishte kohë që e priste për t’i ekspozuar pikturat e tij në hollin e shkollës.
Nxënësi i shkollës ‘Asim Vokshi’, në “Kodrën e Trimave” është i diagnostikuar me autizëm.
Mirëpo kjo nuk po e pengon aspak që të shkëlqejë në mësime e po ashtu të jetë edhe një gjeni në matematikë.
Madje babai i tij Arbnor Selmani thotë që së bashku me gruan e tij dhe me mësimdhënëset në shkollë kanë punuar shumë që Ajani të mos e ndiejë veten të huaj në klasë dhe shoqëri.
Ai thotë që Ajani është shumë i dashur dhe i talentuar si në art e po ashtu edhe në fusha të tjera të jetës.
Në ditën ndërkombëtare të Autizmit shkolla e tij organizoi program të veçantë.
Psikologia e shkollës, Tringë Visoka, thotë se stafi ndihet i bekuar që në shkollë ka nxënës autik.
Ditën e autizmit e uroi edhe drejtori i shkollës, Nazif Jashari, duke bërë thirrje që fëmijët dhe personat me autizëm të trajtohen njëjtë me pjesën tjetër të shoqërisë.
Mungesa e një databaze me të dhëna për personat me autizëm në Kosovë është cilësuar si problem nga shoqatat që merren me trajtimin e tyre.
Në një konferencë të mbajtur me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Autizmit, Hatixhe Hoxha, nga Shoqata Autizmi, ka bërë thirrje që të miratohet ligji gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara, pasi, sipas saj, ky ligj është jetik për ta.