SOT

8 Marsi brenda 4 mureve të burgut të grave

8 Marsi shënohet në të gjithë botën, duke nderuar e respektuar në mënyrë të veçantë figurën e gruas.

E për gratë të cilat janë të privuara nga liria, 8 Marsi është një tjetër ditë e zakonshme.

Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan këtë vit me një koncert të organizuar bëri që këto gra për pak çaste të largoheshin nga realiteti dhe të shijonin ditën e gruas me këngë e valle.

E burgosura B thotë se festat janë shumë të zbehta, por gjithsesi familjarët e miqtë nuk e lënë të harrojnë asnjëherë ndjesinë e të qenit grua.

Sipas saj, jetesa mes këtyre 4 mureve e ka mësuar të ketë një rutinë për vetveten, leximin, zanatet e mësuara e aktivitetet e tjera sportive, që ajo ta ruajë pozitivitetin brenda vetes.

Gratë në këtë qendër vazhdimisht bëjnë shërbime gjinekologjike dhe radiologjike, por sipas të burgosurës B, këto shërbime nuk kishin qenë të mjaftueshme, madje nga neglizhenca e mjekëve ajo ishte detyruar të kryente një ndërhyrje kirurgjike.

Ajo uron të gjitha gratë për ditën e tyre, e në veçanti ka një mesazh për nënën dhe të bijën, të cilat po e presin jashtë për ribashkimin e tyre.

E për të burgosurën A çdo aktivitet ndryshe që mund të bëhet brenda burgut për to është tejet i rëndësishëm dhe jetesa këtu ka bërë që secilën ditë ta vlerësojë më shumë sesa bënte dikur kur ishte jashtë.

Ajo është e kënaqur me shërbimet që ofrohen brenda kësaj hapësire, e vetmja që i mungon thotë se është liria.

Shton se jeta e sfidoi duke e sjellë këtu, e dëshira saj është që gratë të mos dorëzohen asnjëherë me të gjitha vështirësitë që mund t’i vijnë në jetë.

E Fatlinda Mustafa nga Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan thotë se gratë këtu vazhdimisht bëjnë aktivitete, marrin trajnime e mësojnë zanate të ndryshme e në fund ato marrin një certifikatë përmes së cilës arrijnë të punësohen kur të lirohen.

Shumica prej të burgosurave bëjnë punë të ndryshme. Me sezonin e pranverës tani do të fillojnë edhe punën e tokës dhe serrave, e po ashtu do të kujdesen edhe për kopshtin e Qendrës Korrektuese.