Renditja e librave dhe mirëmbajtja e tyre është rutina e përditshme e librashitësit nga Prishtina.
Ndonëse blerja e librave kohëve të fundit është reduktuar, Bajram Kastrati nga mëngjesi deri në mbrëmje qëndron në shtandin e vendosur në sheshin “Nëna Terezë”.
72-vjecari ka më shumë se 30 vjet që shet libra të autorëve të ndryshëm. Atë e njohin të gjithë si një punëtor, i cili nuk ka asnjë ditë të vetme pushim.
“Për mua nuk ka ditë pushimi, harroj shpesh a është e hënë, e martë apo vikend. Këtu e kam vendqëndrimin ditor. Pa dalë këtu unë në shtëpi nuk mundem me qëndruar, kjo punë më mban mua, takohem me shok, bisedoj me ta”, thotë ai.
Kastrati në shtandin e tij më së shumti shet libra që kanë përmbajtje psikologjike.
Përderisa një kafe kushton 1.50 euro nuk mund të jetë shtrenjtë një libër, i cili kushton vetëm 5 euro, thotë Kastrati.
“E kuptoj situatën ekonomike se vërtet jem në krizë, por ka humbur interesimi nuk e di pse. Ndoshta si arsye e të rinjve është telefoni, por në telefon nuk mund t’i gjesh të gjitha. Në perëndim teknologjia është më herët se ne, por ata lexojnë, edhe në Shqipëri lexojnë shumë. Shumë librari janë në Tiranë dhe nuk e gjen ndonjë librari që dikush të mos e blejë një libër. Ndërsa në Kosovë nuk e njëjta. Një lektyrë shkollore kushton 3euro deri 5 euro. Pastaj deri në 40euro ka libra. Një makiato është 1.50euro dhe një libër 5 euro besoj që libri ia vlen më blej se makiaton e pinë për kohë ndërsa libri mbetet gjithmonë”, thotë ai.
100 euro pension nuk janë të mjaftueshme për të. Thotë se ka ditë që me libra nuk ka aspak fitim, por ka ditë që lëviz puna.
Në kohën kur nuk ka myshteri, ai e shfrytëzon për lexim.
“Për herë të parë kam filluar të shes libra me kushëririn tim te “Qafa”, në një kënd aty se këtu nuk kem pasur hapësirë për neve shqiptarët. Nuk mjafton pensioni 100 euro për mua dhe bashkëshorten time. Unë idol e kam librin, është shoku im pa të nuk mundem nëse nuk mundem me lexuar shumë, të gjithë titujt dhe parathënët i lexoj. Ka ditë që nuk shitet asnjë libër por ka ditë që lëviz punë. Libri është ushqim i trurit, unë nuk mundem me i thënë askujt e ke obligim me ble libër”, tregon Kastrati.
Ai bën thirrje te të rinjtë që t’i kthehen librit.
“Uroj që të rinjtë t’i kthehen librit, sepse pa libër nuk ka jetë. Libri është ushqim i shpirtit, trurit besa edhe kulturë e leximit”, thotë ai.
Bajram Kastrati nga ora 09:00 e mëngjesit e deri në orët e vona e gjejmë në shtëpizën e tij të vogël me libra. Vullneti i tij për punën e bën që të punojë edhe përkundër moshës së tij.