SOT

66 vjet agjërim, historia e Bajram Haxhiut

Bajram Haxhiu viziton shpesh xhaminë e vjetër, jo vetëm gjatë muajit të Ramazanit. 

Edhe pse po iu afrohet të 80-ve, Haxhiu nga fshati Herticë i Podujevës gëzon shëndet të plotë.
Këtë vit do të bëhen 66 Ramazana, të cilët i ka agjëruar gjatë jetës së tij.

Kohërat e kaluara për të, veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit, janë mbushur me nostalgji. 

“Përpara e pritshim me gëzim ardhjen e Ramazanit. Atëkohë e thirrshim hoxhën në iftare krejt katundi, edhe fqinjët i thirrshim krejt. Mysafirët atëherë kanë ardhë ma ndryshe, jo si sot, nëse iu thirr shkon, nëse jo, nuk shkon. E kujtoj ne si familje në odë e përgatitshim një sofër vetëm për mysafir. Ka qenë shumë kënaqësi”, thotë Haxhiu. 

“Edhe pse është ndërtuar xhamia e re, kjo xhami e vjetër ka vlerë më shumë se sa ajo për mua. Këtë xhami e kam shumë për zemër. Prej që jam rritur, e plakur jem këtë vend”, shton Haxhiu. 

Ai thotë se ndihet mirë me shëndet dhe se do të agjërojë sa të jetë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ndihem i shendosh si molla. Ndihem mirë me shëndet sikurse që kam le dhe sa të jetoj do të agjëroj. Nuk do ta lë kurrë. Ua uroj Ramazanin krejt shqiptareve në botë. Posaçërisht Shqipëri, Preshevë, Mal të Zi, Maqedoni etj”, deklaron Haxhiu.  

Besim Llalloshi, hoxha i fshatit, duke krahasuar kohën e mëparshme me të tashmen, thekson se edhe shtëpitë ishin të pastra disa ditë para Ramazanit.

“Parapërgatitjet dhe fillimi i Ramazanit dikur kanë qenë të jashtëzakonshme. Sepse fshati ka qenë i mbushur plot me banor, ku fshati Herticë llogaritej t’i ketë 300 shtëpi. Të gjitha rrugët ishin të mbushura me nxënës të shkollës, njerëz që ruanin bagëtitë, e bujq që punonin tokën. Mirëpo vërehej diçka shumë interesante, ku nënat, motrat dhe gjyshet tona qysh 4-5 ditë para fillimit të Ramazanit fillonin me larjen e tepihëve, me pastrimin e shtëpive, me rregullimin e oborreve. Madje edhe rrugët i kanë pastruar. Sepse e kishin përshtypjen se po vjen një mysafir e të na gjejë të pastër”, deklaron Llalloshi. 

Për Llalloshin, iftaret e shtrenjta, veçanërisht ato në restorante, janë të tepërta. Ai apelon që sofrat e familjeve gjatë Ramazanit të mbeten sa më tradicionale.

“Kënaqësia e dikurshme e pritjes së Ramazanit dallon shumë nga e tashmja. Atë kohë gjithçka ishte tradicionale, ishte shumë natyrshëm. Ndërsa sot po shohim disa iftare ‘megalomane’. Atëkohë banorët janë thirrur mes vete në iftare. Sot ka ndryshuar gjithçka. Një iftar e bëjnë në restorant, ku janë tri lloje të mishit të njëjta dhe kudo që shkon është iftari i njëjtë. Nuk ka mall të iftareve të mëhershme, ndërsa nga ana materiali shpenzohet më shumë. Është më e logjikshme t’i ndihmohet dikujt në nevojë me ato pare sesa të harxhohen në iftare të shtrenjta. Sikur ta kthenim kohën e atëhershme që të ishim më të dashur, më të bashkuar edhe të bënim sa më shumë iftare tradicionale, qysh i kanë përgatitur nënat dhe gjyshet tona”, thekson ai. 

Hoxha i fshatit, Besim Llalloshi, ka një porosi për ata që nuk janë të obliguar të agjërojnë. 

Ai thekson se të moshuarit dhe të rinjtë deri në 18 vjeç nuk duhet të agjërojnë, pasi mund të dëmtojnë shëndetin e tyre.

“Tema si temë është bukur e gjatë, por unë po ndalna te dy kategori, të cilat zoti i ka liruar dhe nuk i ka obliguar. Gjatë bisedave me njerëz problemi më i madh është te personat në moshë, të cilët kanë agjëruar 50, 60 etj. ramazan, e iu doket vetja se çfarë do bëhet nëse e prish Ramazanin. Ai nuk bën ‘sevap’ nëse agjëron e nuk mundet dhe u bëhet barrë familjes. Ku mund ta ushqej një të varfër në vend se të agjëroj. Po shoh shumë fëmijë të moshave 9-10 etj, e të cilët po agjërojnë. Pse me agjëru ata aq të vegjël. Feja thotë deri në ora 12:00 le të agjërojnë pastaj të hanë ushqim. Agjërimi është kur fillon me hy në pubertet, mosha e rritur. Shumica fillojnë si fëmijë, pastaj kur të rriten e lënë agjërimin”, deklaron Llalloshi. 

Bajram Haxhiu dhe hoxha i fshatit, Besim Llalloshi, urojnë që gjatë këtij muaji, si popull, të shfaqim më shumë humanitet, mirësinë dhe të bëjmë vizita të shpeshta te të afërmit.