SOT

65-vjeçari që nuk heq dorë nga atletika

Shefqet Hasani është atlet tash e 40 vjet. Trajner i sportit të traitlonit. 

Edhe në moshën 65-vjeçare ai e mban veten aktiv përmes garave në disiplina të ndryshme në atletikë. 

Stërvitjet për këtë sport ia mundëson shtegu për vrapim në Taukbashçe. 

“Jam trajner, por edhe garues ende. Jam i angazhuar në garat e veteranëve të Atletikës së Kosovës, pasi që çdo vit mbahen kampionate ballkanike, si ky i fundit që u mbajt në Tivat të Malit të Zi. Është viti i tretë që jemi pranuar me të gjitha të drejtat ndërkombëtare për ta prezantuar shtetin tonë sa më mirë ndërkombëtarisht”, thotë Hasani.

Është i shpërblyer me medalje të shumta, qysh nga paraqitja në gara të ndryshme që në ish-Jugosllavi. Ato i ka fituar shumicës në disiplina të kërcimeve të shkurtra, të cilat ia sollën edhe titullin kampion i Kosovës, ndërkaq për 40 vjet mban edhe rekordin për kërcim të gjatë në rërë. 

“Si 15-vjeçar kam filluar atletikën ku e kam përfaqësuar Kosovën në kampionate të ndryshme ndërkombëtare e pastaj kam marrë pjesë në kampionate të rregullta në vend. Medaljet që i kam fituar kanë qenë pothuajse në të gjitha disiplinat, duke filluar prej sprintit, pasi që disiplinat e vrapimit të shkurtër dhe kërcimeve veçoj. E në kërcim të gjatë në rërë e mbaj rekordin në Kosovë për 40 vjet si atlet”, tregon Hasani.

Si 15-vjeçar kur nisi të merrej me atletikën, sfidë i kishte kushtet financiare. 

Kjo kishte bërë që  ai të pauzonte një kohë për t’iu rikthyer sërish mbretëreshës së sporteve. 

“Në vitet e hershme, më saktë kah mesi i viteve ’70, kur kam filluar me këtë sport, e kam pas sfidë të merrem me sportin që e doja më shumë, për arsye të mungesës së kushteve financiare. Në Kosovë nuk kishim terren që i përshtatet atletikës, prandaj edhe të shkoja diku jashtë vendit nuk kisha mundësi. Pauzova një kohë, por prapë iu riktheva atletikës, sepse e ndieja se diçka po mungonte në zhvillimin tim si sportist”, thekson Hasani. 

65-vjeçari konsideron se atletët në Kosovë janë të lënë plotësisht pas dore, ani pse pa atletikë thotë se nuk mund të zhvillohet asnjë sport. 

“Nuk është asnjë sport që nuk i ka rrënjët te atletika. Pra, gjithçka fillon me të, pasi që është baza e çdo sporti. Jo rastësisht edhe quhet  mbretëresha e sporteve. Por në Kosovë atletika e sportistët atletë janë plotësisht të lënë pas dore. Nuk ka terrene për ta, mungon stadiumi ku ata do të mund të stërviteshin e të garonin, sepse ne marrim pjesë në gara jashtë, por edhe të huajt duhet të vijnë te ne”, tregon ai. 

Hasani bashkë 28 atletë veteranë të Kosovës, së fundi i sollën vendit 27 medalje nga kampionati i mbajtur në Tivat të Malit të Zi.