SOT

60-vjeçari që përshkoi 130 km në ditë me biçikletë

Me një shpejtësi mesatare mbërrin në destinacionin e tij të udhëtimit për çdo ditë.

Shtigjet e Parkut të Pishave në Sllatinë janë ato që Kemail Pacolli do t’i përshkojë me biçikletën e tij.

60-vjeçari në mungesë të një mjeti transportues ecte në këmbe 13 km në ditë për në punë, e një gjë e tillë ia merrte një pjesë të mirë të energjisë.

Andaj shtatë vjet më parë, Pacolli vendosi që rrugën e tij ta bënte me biçikletë, mirëpo qëllimi i përdorimit të këtij mjeti nuk mbeti vetëm nevoja.

Për 60-vjeçarin biçikleta tashmë është bërë bashkudhëtare në rrugëtimet e tij, e andaj edhe përvojat e tij i ndan me emocion që, sipas tij, vështirë përshkruhet.

Kilometrat që çiklisti përshkon në ditë janë numra dyshifror e edhe vendet që viziton ndonëse brenda Kosovës kërkojnë energji më të madhe për t’i arrirë.

Udhëtimi më i gjatë i Pacollit kishte kaluar të 100-at e kilometrave e madje ai thotë që ishte një rrugëtim i lodhshëm, por që fundi të krijonte kënaqësi. E një ditë e bukur e kaluar në këtë park, për çiklistin sjell shumë të mira.

Përveç adrenalinës së krijuar, 60-vjeçari numëron edhe disa përfitime të tjera shëndetësore që vijnë nga çiklizmi, e të cilat kanë ndikim të madh në mirëqenien e organizmit.

Ani pse më i moshuar, Pacolli nuk mbetet mbrapa të rinjve çiklistë.

Ai rrëfen se shëtitjet me të rinjtë e klubeve për çiklistë janë të shpeshta e krahas tyre nuk e ndien lodhjen.

Meqë çdo ditë është në rrugë, ai potencon edhe problemet me të cilat has gjatë çiklizmit.

Nevoja për shtigje të veçanta për biçikleta është e dukshme, sepse, sipas Pacollit, shtigjet e veturave u përbëjnë rrezik.

Me gjithë problemet që i përballon, Pacolli thotë se nuk do të ndalojë së çikëluari deri kur nuk do të ketë më forcë, e ai shpreson që kjo të shërbejë për të gjithë që kanë një dëshirë për këtë sport.