Vitet janë vetëm numra për Bella Braimin, pasi fiziku i saj ngjan më shumë me një vajzë të re sesa me një 59-vjecare.
Ajo rreth dy vjet më parë vendosi që ta mësojë notin edhe pse gjatë gjithë jetës i frikohej ujit.
Bella tregon se sporti i notit e ka ndihmuar atë në shëndet duke ia lehtësuar gjendjen shëndetësore.
Ishte vajza e saj që si dhuratë ia bëri një kurs noti, ku Bella është e rregullt dhe ka mësuar shumë sa i përket këtij sporti.
59-vjeçarja thekson se asnjëherë nuk është vonë për të arritur një sukses në jetë.
Bella Braimi dy herë në javë merr rrugë nga Fushë-Kosova deri te pishina në Hajvali për stërvitjet e notit.
Ajo notin në det për herë të parë e ka praktikuar verën e kaluar.
Sporti i notit është për të gjitha moshat, thotë ajo.
Trajneri i Bellës e quan storie suksesi rrugëtimin e saj në këtë sport.
59-vjeçarja është shembulli më i mirë i një gruaje, e cila pavarësisht sëmundjeve dhe angazhimeve në familje, ka arritur që ta mposhtë frikën dhe ta mësojë notin pas shumë dekadash.