SOT

50 vjet mjeshtri në punimin e sharkive, çiftelive e violinave

Mjeshtri Enver Hajzeri, i cili për 5 dekada nuk iu nda punimit të çiftelive, sharkive e violinave. Çdo ditë e tij është e shoqëruar nën tingujt e këtyre instrumenteve muzikore

Që 5 dekada, për mjeshtrin Enver Hajzeri nga Koliqi i Prishtinës, punëtoria ku e kalon ditën është vendi që atij i jep qetësi. 

Rrethohet nga çiftelitë, sharkitë e violinat që vetë i punon. 

“Faleminderit që keni ardhur në vizitë. E nisa me një valle që e luajta në violinë. Para shumë vitesh kam luajtur shumë pika në të, por tash pak jam larguar nga violina, po prapë sa herë që ia dëgjoj tingullin, kam nostalgji të veçantë për këtë instrument”, thotë Hajzeri.

Punën e kishte nisur me çifteli e sharki. 

Më pas nisi t’i punojë edhe violinat, instrumentin të cilin e luante në rini. 

“Gjithmonë i kam dashur instrumentet tona. Para 50 vjetëve fillova t’i punoj çiftelitë dhe sharkitë, po zemrën e kisha edhe te violinat, se vetë kam luajtur për vite në violinë. Edhe ato pastaj nisa t’i punoj, por më pak, sepse violina është më vështirë ta punoj. Këtu në punëtori i kam ekspozuar disa që i kam punuar vetë”, tregon ai.

Mjeshtri Hajzeri i kushton kujdes të veçantë llojit të drurit që përdor për të punuar violinat, pasi druri ka ndikim në cilësinë e tingullit që prodhon ajo. 

Në punëtorinë e tij, ai e ruan një violinë 300-vjeçare.  

“Kjo violinë para 6 vitesh më ka ardhur prej Gjermanisë për ta rregulluar. E kam marrë dhe i kam shikuar dëmtimet që i ka, por personit që ma solli i tregova që nuk do të ndërhyj në të, sepse dua t’ia ruaj vjetërsinë. Në këmbim të saj mund ta jap një violinë timen dhe ashtu vepruam. Gjërat e vjetra duhet të ruhen të paprekura, njëjtë siç i ruajnë shtetet e huaja”, thekson ai. 

Prej vitesh këndon edhe këngë rapsodike. 

Kjo e nxiti edhe më shumë të mos i ndahej punimit të instrumenteve të folklorit shqiptar. 

“Këtu i kam disa prej çiftelive e sharkive që i kam punuar me lloje të ndryshme të drunjve. Në secilën luaj edhe për qejf kur lodhem me punën këtu te punëtoria. Edhe për ju do ta luaj një këngë”, thotë Hajzeri. 

Si rapsod e mjeshtër, Hajzeri kritikon thyerjen e çiftelisë a sharkisë nga rapsodët gjatë interpretimit me këto instrumente që janë pjesë e kulturës dhe traditës muzikore shqiptare. 

“Mendoj që pikë më të dobët se sa ta thyejë çiftelinë ose sharkinë një rapsod nuk ka. Ai mund t’ia bëjë qejfin një personi në aheng kudo që është, por për folklor e muzikë rapsodike duhet të dijë që këto instrumente janë me shumë vlerë”, thotë Hajzeri.