SOT

46-vjeçarja e përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike të Motorsportit

Mësimdhënia është profesioni i saj i parë i Dashurie Sefas, e në përditshmëri një pjesë të mirë të kohës ia kushton pasionit të saj, ngasjes së veturave.

Që 2 dekada tashmë ajo e zotëron timonin, por viteve të fundit këtë pasion ka filluar ta shndërrojë në suksesin më të arritur nga ajo.

46-vjeçja është garuesja e cila do ta përfaqësojë Kosovën në disiplinën auto sllallom me vetura elektrike, në FIA Motor Sport Games “Valencia 2024”, që do të mbahet nga 23-27 tetor.

“Unë me gara është viti i dytë që merrem, pasion e kam pas gjithmonë ngasjen e makinës, mirëpo për shkak rrethanave dhe se është sport shumë i shtrenjtë nuk jam përfshirë. Në vitin 2019 për herë të parë u bëra pjesë e garave auto sllallom në Ferizaj, ka qenë një garë me garues të mëdhenj nga vendet e ndryshme dhe aty kemi garuar me makina profesionale. Kemi qenë 13 garues e unë dola e 5-ta, në atë kohë e konsiderova sukses në 2-3 prova mbërrita në atë rezultat, por e kuptova që unë nuk e kisha një makinë adekuate për me qenë pjesë e garave dhe me mbërri rezultate të kënaqshme, mundem me pas pasion, por rezultate me makinën time Opel Corsa ka qenë e vështirë”, tregon ajo

Sefa aktualisht nget një makinë modeste Opel Corsa, e cila nuk është më e mira për gara të tilla. Andaj edhe më parë ishte tërhequr nga këto gara, por kur Federata e Autosporteve vuri në dispozicion vetura elektrike për garuesit, atëherë edhe erdhi rikthimi i saj.

"Në 4 gara që mora pjesë gjatë vitit, në 3 prej tyre arrita ta fitoj vendin e parë dhe me këtë fitova të drejtën të marrë pjesë në Valencia në gara që zhvillohen këtë vit në tetor.  Atje do të jem në disiplinën autosllallom siç kam qenë në Kosovë dhe shpresoj të kthehem me rezultate të mira. Gjithmonë kam pas ëndërr me qenë pjesë e garave sepse mendoj se secili mund ta ketë një pasion që merret me të paralelisht me profesionin si lloj relaksimi dhe adrenalinë, por fati im ishte që këtë vit u realizuan garat me makinë elektrike që na u siguruan nga Federata prandaj u riktheva, por fakti se unë ndonjëherë mund të jem pjesë e garave ndërkombëtare dhe të përfaqësoj shtetin kjo është një ëndërr që nuk e kisha mendu kurrë dhe sot jam shumë e lumtur që më është dhënë kjo mundësi por edhe përgjegjësi e madhe”, thotë Sefa.

Garuesja e cila do ta përfaqësojë vendin në këto gara aktualisht provat i ka të mangëta pasi nuk e ka të siguruar hapësirën për të ushtruar por as veturën adekuate.

"Jam përpjekur të gjej një vend për prova por fatkeqësisht kushtet në Kosovë nuk janë të tilla që neve të na mundësohen provat, e dini se në secilin sport duhet parapërgatitje, disiplinë e përpjekje për të mbërritur sukses. Në Prishtinë kemi garuar me makina elektrike ndërsa në Valencia sipas FIA-s që na ka informuar atje do kemi makinë Hyundai që janë më të larta se sa Opel Corsa e ky fakt më shqetëson sepse nuk do jem me makinën e njëjtë siç kam qenë në Kosovë. Jam përpjekur ta sigurojë një makinë Hyundai në Kosovë madje edhe ta paguaj apo ta marr me qira sa për të ushtruar por ende nuk e kam siguruar, është shumë e vështirë me garu në këto kushte me shku në një garë ndërkombëtare por besoj ne eksperiencën time, në reflekset e shkathtësitë e mia dhe shpresoj të kthehem me arritje”, deklaron Sefa.

Thotë se është shumë e kujdesshme në vozitje, madje falë aftësive të fituara ka arritur shpeshherë të iu shmanget aksidenteve të ndryshme.

"Nuk kam qenë edhe aq shumë pasionante ndaj veturave që nga mosha e hershme, ndoshta për shkak të kushteve që unë kam punuar dhe kam pas një rrogë jo të lartë dhe nuk kam pas mundësi ta blej një veturë sportive, zakonisht kam pas vetura mesatare mirëpo ajo që mua më ka bërë me dashtë ngasjen e makinës është që gjatë jetës më ka rastisë me vozitë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, e duke pa vozitjen e ashpër në Shqipëri që bëhet dhe kur në rrugë isha e sigurt me vetën time aty e kuptoja që jam e zonja në makinë, kam pas raste që falë reflekseve të mia ia kam dal me iu shmang aksidenteve”, tregon Sefa.

46-vjeçarja shton se e lumturon fakti që kohët e fundit gratë po dëshmojnë se janë të zonja në profesione të ndryshme e madje po mbështeten nga të gjithë pa pasur paragjykime.
"Është hera e parë në jetë që nuk po ndjejë asnjë paragjykim, përkundrazi po urohem dhe po ndjehen krenarë për arritjet e mia. Më vjen mirë që më në fund edhe gratë janë pjesë e garave ndërkombëtare dhe nuk ka paragjykime, kanë besim tek gratë duke i motivuar me ecë para”, thekson Sefa.

Përpos Dashurie Sefas, në auto sllallom me vetura elektrike, në konkurrencën e meshkujve në Spanjë do të garojë edhe Genc Macula nga Prishtina.