SOT

Plisat e punuar nga e vetmja grua në Kosovë dërgohen në Amerikë

38 vjet traditë në punimin e plisit, punë të cilën edhe sot si e vetmja grua e bën Ergyle Gjurgjialo nga Prizreni.

Në secilën dhomë të punëtorisë gjenden plisat e rajoneve të ndryshme, por edhe veshjet kombëtare, krejt punë dore nga Ergylja.

Veshjet kombëtare, simboli kombëtar - plisi po kërkohen shumë nga të rinjtë. 

“Sot nuk ka dasmë a aheng pa plis”, thotë Gjurgjialo. 

E me veshjet kombëtare nga Ergylja u veshën edhe aktorët e serialit më të ri në KTV “Xhemajl Abria”.

Një sasi të konsiderueshme plisash ia kishin kërkuar shqiptarët në Amerikë. Këtë rast e veçon nga të gjitha vitet e punës. Ndërkaq thekson se secili anëtar i familjes së saj e ka plisin.

E makinat që Ergylja i përdor arrijnë vjetërsinë prej 100 vjetësh. Thotë se ka nevojë për makinë të re për prishjen e leshit, përmes së cilës, do të prodhonte në vazhdimësi simbolin shqiptar, plisin.