Bujqësia është fusha për të cilën përmenden e krenohen banorët e Mamushës.
Tokat e pëlleshme e kushtet klimatike bëjnë që produktet nga kjo anë të piqen shumë më herët sesa në vendet e tjera.
E tani edhe pak ditë kanë mbetur që produktet e kultivuara nga Necat Morina të vjelën e të shijohen, e disa prej tyre tanimë veçse gjenden në treg.
Polenizimi thotë se luan rol të rëndësishëm në rendimentin e mbjellë.
Domatet rozë janë produktet më delikate për të cilat duhet kujdes të shtuar, që megjithatë mbesin më të kërkuarat, e në veçanti kur vijnë nga tokat e Mamushës.
Domate, tranguj, speca e lakër janë vetëm disa nga produktet me të cilat bujku furnizon një pjesë të mirë të Kosovës, por edhe jashtë saj.
Trangujt tani veçse kanë nisur vjeljen e tyre, por ajo që e brengos bujkun është mungesa e dokumenteve që dëshmon origjinën e produktit, duke shtuar se të tjerët po krenohen me kulturën e kultivuar në tokën e Kosovës.
Gastronomet qysh në vjeljet e para arrijnë ta sigurojnë shumicën e lakrës nga Mamusha, por bujku fton edhe të tjerët të vizitojnë parcelën e tij dhe vetë të kenë mundësi vjeljen e produkteve që duan.
Morina shpeshherë ka sfiduar veten me kultivimin e kulturave të ndryshme, e të cilat me sukses kanë arritur të zhvillohen edhe në Mamushë, madje ato për një kohë rekord arrijnë të shiten.