SOT

25-vjeçarja, e vetmja që praktikon gjimnastikën ritmike në Kosovë

Qysh e vogël, lëvizjet e saj aq elastike kishin tërhequr vëmendjen e familjarëve, e në moshë të re ajo u bë pjesë e një klubi të baletit klasik.

Por, Fiona Konxheli e sfidoi veten duke interpretuar një balet më dinamik. Kështu gjimnastika ritmike e pushtoi zemrën e saj, duke e shtyrë atë të angazhohet tërësisht për ta perfeksionuar atë.

“Rrugëtimi im drejt gjimnastikës ritmike ka filluar përmes baletit klasik, meqenëse në Kosovë nuk kishte klub të gjimnastikës ritmike, kur isha fëmijë u orientova drejt baletit klasik. Në moshën 7-vjeçare nisa baletin, në moshën 15-vjeçare fillova ta praktikoj gjimnastikën ritmike, por jo në Kosovë, në Shkup, ku atje përfundova shkollën e mesme dhe universitare, e paralelisht jam stërvitur edhe me gjimnastikën ritmike. Dy vitet e fundit jam përkushtuar profesionalisht në këtë disiplinë dhe e përfaqësova Kosovën në gara ndërkombëtare. Si fëmijë kam qenë elastike, kam pasur dëshirë të bëj akrobacione e qysh në atë kohë prindërit e mi u interesuan të më angazhonin diku”, thotë ajo.

25-vjeçarja nga Ferizaj qysh në moshë të hershme u detyrua ta braktiste vendin dhe të zhvendosej në një shtet të huaj në mënyrë që ta realizonte ëndrrën e saj - të stërvitej nga një klub dhe një profesionist i gjimnastikës ritmike, sepse të tillë nuk kishte në Kosovë.

“Me mungesë të klubit dhe trajnerëve, unë isha e detyruar të dilja jashtë vendit dhe të stërvitem me trajnerë të huaj, pas përfundimit të studimeve, unë mora pjesë në gara ndërkombëtare në Budva, ku pata fatin të takohesha me një trajnere malazeze, e cila më ka ftuar në klubin e saj. Kemi stërvitur 6 deri në 10 orë në ditë në 6 ditë të javës, andaj rezultatet kanë qenë të mira. Me Vesnën kemi ushtruar me 4 koreografi të reja, me fjongo, top, rreth dhe me shkopinj. Njëra prej koreografive të mia ka qenë me muzikë shqiptare dhe ka qenë kërkesa e trajneres që të garoj me muzikë shqip dhe kjo më bëri shumë të lumtur dhe krenare”, deklaron ajo.

Aktualisht në Kosovë vazhdon të mos ketë asnjë klub të gjimnastikës ritmike e si rrjedhojë edhe trajner të saj. Kësisoj, Fiona vazhdon të përfaqësojë vendin tërësisht e vetme në garat ndërkombëtare.

“Në vendet e rajonit e kam praktikuar gjimnastikën ritmike e këto dy vitet e fundit jam profesioniste dhe stërvitem intensivisht. Deri tani jam e vetmja që e përfaqësoj Kosovën në gjimnastikë ritmike, për mua është krenari dhe në gara, të gjitha shtetet interesohen për historinë time dhe sfidat që më kanë përcjellë që të arrij deri në këtë pikë”, thekson ajo.

Përfaqësuesja e Kosovës në garat e gjimnastikës ritmike, të vetmen mundësi për stërvitje në vend i ka sallat sportive nëpër shkollat e vendit, edhe pse ato nuk plotësojnë kriteret për stërvitje të mirëfilltë. Por edhe në këto kushte, Fiona po vazhdon të shënojë suksese.

“Për mua është privilegj dhe kënaqësi ta përfaqësoj vendin në këto gara, Kosova për herë të parë po përfaqësohet në këtë disiplinë e fatmirësisht gjej mbështetje nga të gjithë, përfshirë edhe mundësinë qe të stërvitem në sallat sportive të shkollave”, thotë ajo.

Përkundër sfidave dhe angazhimit të saj në këtë disiplinë, Fiona nuk beson se ndonjëherë do të mund ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadë. Por, gjen shpresën e saj te brezi i ri, duke besuar në mundësitë që mund të krijohen për ta. Ajo së shpejti pritet të hapë një klub të gjimnastikës ritmike, që do të jetë i pari në vend, e me gjimnastët e rinj, është e bindur se do t’i sjellin vendit shumë medalje të arta.