SOT

21-vjeçari nga Strazha që kultivon dhi të racës autoktone

Shkollën e mesme ekonomike e kreu në Kaçanik, ndërkohë kishte qenë edhe i dalluar në mësime. Por studimet nuk i vazhdoi, e duke pasur një natyrë kaq të bukur në fshatin e tij të lindjes, Çlirim Lika vendosi t’i shfrytëzonte të mirat e Strazhës.

Në një vend të tillë, ku do kullotnin e rriteshin dhitë e Çlirimit patjetër se edhe prodhimet e tyre do të ishin shumë më cilësore.

Kështu ai pa ndihmën e askujt arriti t’i binte disa dhi të racës alpine, por që i dështoi investimi.

Ato nuk arritën të mbijetonin në këtë hapësirë, por Çlirimi nuk hoqi dorë. Kështu investoi përsëri, porse tani në dhi të kuqe të racës autoktone me afro 50 sosh e të cilat po i përshtaten mjaft mirë kushteve atmosferike të Strazhës.

Çlirimi thotë se asnjëherë nuk e kishte menduar alternativën për të vazhduar jetën jashtë vendit të tij, e me ato që ka investimin në fermë do ta vazhdojë në Strazhë.

Duke pasur fshati edhe lartësinë mbidetare në mbi 1 mijë metra, edhe klima ndryshon nga vendet e tjera, prandaj sipas fermerit, produktet e dhive të tij janë shumë më cilësore.

21-vjeçari tregon se ka paragjykime nga moshat e ndryshme për punën që e bën, por kjo nuk po e demotivon atë, madje thotë se nuk do të ndalet derisa të arrijë ato që ka synim.

Familjarët e tij po ashtu kishin qenë ndër ata të cilët nuk besuan shumë në iniciativën e tij, por se tash e dy vjet një ditë e zakonshme për Çlirimin fillon qysh në orët e hershme të mëngjesit, e vizita e parë është menjëherë te stalla.

Fermeri i ri pret që të ketë më shumë ndihmesë për punën që ka vendosur ta bëjë, e në të ardhmen pikësynim ka që ta ketë një pikë grumbulluese të qumështit për ta nxjerrë më të mirën e kafshëve që po i mban.

Fshati Strazhë e Kaçanikut njihet ndryshe edhe si vend turistik, i cili në çdo stinë mirëpret turistë nga vende të ndryshme e po ashtu edhe të huaja. E edhe puna e Çlirimit po rritet pikërisht nga ata që po e vizitojnë