Ndonëse i ri në moshë, ka rreth pesë vjet që ai e bën këtë rrugë.
Taulant Jakupi është 17-vjeçari nga Gjakova, i cili vitet e fundit pasditet i kalon në klubin e boksit “Sport Center”.
Bashkë me trajnerët Lekë Ramoja dhe Leonard Hoxha, Jakupi fillon ushtrimet për sportin e tij të preferuar.
“Jetë” është sinonimi që i riu i jep përshkrimit të sportit që e ushtron.
“Unë ushtroj që afërsisht pesë vite. Për mua sporti i boksit është jetë sepse unë e kam gjetur veten në këtë sport dhe mendoj që të vazhdoj e të merrem me sportin e boksit. E vështirë ka qenë shumë sepse kemi pasur shumë ushtrime të rënda. Kam pasur shumë sakrifica por nuk jemi lodhur kurrë dhe kemi vazhduar”.
Ani pse është i suksesshëm në fushën e sportit, ai e ka edhe jetën si të gjithë adoleshentët.
Mësimet në shkollë e daljet me shoqërinë janë pjesa tjetër me të cilën ai merret. Ndihmën e tyre e vlerëson shumë.
“Mund të them që është pak e vështirë, sepse më ndalon që të merrem vetëm me boks por unë nuk ndalem, do të vazhdoj të merrem me të dyja. I falënderoj edhe profesorët që më kanë kuptuar kur kam pasur gara e përgatitje. Shoqëria më kanë pritë shumë mirë, më kanë thënë të vazhdoj, të mos ndalem dhe ata kanë besim në mua që do të arrij”.
Krahas titujve të shumtë që Jakupi ka marrë, këtë vit atij iu shtua edhe një.
Ai është zgjedhur sportisti i vitit 2021 për sportin e boksit.
“Për mua do të thotë shumë sepse ky shpërblim më ka motivuar e më ka shtyrë të vazhdojë edhe njëherë, të punojnë edhe njëherë më shumë i motivuar. Unë kam pasur disa arritje, ku jam shpallur kampion i boksit në peshën 86 kg, kam marrë pjesë në turneun në Bosnje ku jam shpallur tekniku më i mirë dhe kam fituar medaljen e arte”.
E filloi në Gjakovë, por nuk mendon ta lërë me aq, sepse synimi i boksierit është debutimi në arenat ndërkombëtare.
“Sporti në Kosovë për momentin është shumë mirë, sidomos ai i boksit. Unë mendoj që njëherë të vazhdojë në Kosovë pastaj mendoj që të dalë në arena ndërkombëtare sepse e ka boksin më cilësor. Unë mendoj vetëm për një arsye sepse në Kosovë nuk kam konkurrencë”.
Jakupi rrugëtimin e filloi me ndihmën e trajnerëve.
Lekë Ramoja, trajner i boksit, thotë se fillimet e Taulantit kanë qenë të vështira si të gjithë, por me punë ai ka arrirë të bëhet kampion.
“Taulanti është këtu qe afër pesë vjet. Ka ec mirë, është kampion i Kosovës, i ka pasur disa turne që i ka përfunduar me sukses. Është kampion që u shpall në Bosnje, Ballkan dhe u emërua si tekniku më i mirë. Vështirë është me secilin në fillim, por më vonë koha e bënë të vetën e talentët ecin përpara. Besojmë se në të ardhmen Taulanti do të marrë tituj edhe më të mirë.”
Trajneri numëron të mirat që vijnë nga ky sport e njëkohësisht fton edhe të gjithë të rinjtë të angazhohen, sepse, sipas tij, përfitimet janë të shumta.
“Më e para është shëndeti, stresi largohet, e ne e gjejmë edhe talentin, sepse askush nuk lind boksier, ne e bëjmë boksierin, ne trajnerët jemi themeli. Ju kisha lut edhe të rinjtë tjerë më mirë është të vijnë për të bërë sport sepse në këtë kohë të vështirë me sport largohet stresi.”
Puna e boksierit të ri u shpërblye edhe nga institucionet.
Urim Fazlija, ushtrues detyre i udhëheqësit të sektorit të sportit në Komunën e Gjakovës, thotë se arritjet e shumta që i riu i ka sjellë qytetit e bën meritor të këtij titulli.
E sipas Fazliut, talentet e reja do të jenë fokusi i Komunës për këtë vit.
“Vitin e kaluar për herë të parë kemi vendosur kategorinë Shpresë. Në vitin e parë kanë qenë katër kurse këtë vit janë shpërblyer nëntë shpresa të sporteve të ndryshme, të cilët kanë pasur të arritura të shumta. Kanë pasur jo vetëm suksese në Kosovë por edhe në arena ndërkombëtare. Besojmë që edhe këtë vit të kemi një subvencionim në bazë të numrit të të rinjve që janë të anëtarësuar në klube në Kosovë.”
Mirënjohja nga Komuna, boksierit të ri i shtohet në koleksionin e trofeve që mori nga ndeshjet ku mposhti kundërshtarët. Njëjtë i ka aspiratat edhe për të ardhmen.