Për çdo ditë në ambientet e “Brainobrain” rrethohet përplot me numra.
Kjo edhe ishte dëshira e tij qysh kur ishte i vogël.
Ky është Rron Fazliu, nxënës në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë.
Para se të nisë zgjidhjen e detyrave më shumë shifra në matematikë, Rroni me trajneren e tij bëjnë ushtrime që atij i duhen për përqendrim.
Me vetëm një sinjal nga trajnerja, Rroni po e niste zgjidhjen e testit që ngjasonte me atë të garave në Dubai.
“Këto detyra që po i shihni që i kam zgjidhur në ‘Brainobrain’ zgjidhen ndryshe nga ato që i bëjmë ne në shkollë a shtëpi. Këtu shumëzimin e nisim nga numri i parë e jo i fundit. Zakonisht edhe kur i kam numra me treshifror i zgjidhi për 15 sekonda. Mundem me e kry shumëzimin katërshifror me dy shifror e tre shifror për një kohë të shkurtër”, tregon Rroni zgjidhjen e detyrave.
“Kam dashur gjithnjë që ta eksploroj më shumë matematikën”, thotë 10-vjeçari nga Prishtina.
Çdo ditë pas mësimeve në shkollë, matematikës i kushton kohë të veçantë edhe në shtëpi.
“Kur i kisha 5 vjet kam nisur që të interesohem për matematikën. Si i vogël kam pasur dëshirë të zbuloj matematikën edhe më shumë. Për këtë arsye u kushtoj më shumë kohë në ditë kësaj lënde dhe detyrave në matematikë jashtë atyre që i kam në shkollë”, thekson Rroni.
Bashkë me 26 nxënës të tjerë nga shkollat e Kosovës, Rroni mori pjesë në garat ndërkombëtare për matematikë në Dubai.
U rendit i pari në mesin e 15 nxënësve të tjerë nga Kosova, në testin që duhej ta përfundonte në kohë prej 3 minutash.
“Në nëntor të këtij viti ne kemi shkuar në Dubai bashkë me 26 nxënës që kanë qenë nga krejt qytetet e Kosovës. Në fillim kur i kam zgjidhur detyrat atje në garë kisha frikë se nuk do të dal i pari, por kur e pashë rezultatin u emocionova shumë. Testin kemi pasur ta mbushin për 3 minuta dhe të zgjidhim sa më shumë detyra për rezultat të mirë”, deklaron Rroni.
Trajnerja e Rronit, Adella Rodiçi, thotë se talentin e tij në matematikë e ka parë qysh kur ishte 5-vjeçar.
Ajo thotë se mungon ende mbështetja institucionale për fëmijët e tillë sidomos kur ata garojnë për ta përfaqësuar shtetin.
“Gjallërinë e Rronit e kemi vërejtur qysh herët kur na ka ardhur këtu. Ai vazhdimisht angazhohet që t’i kryejë detyra të matematikës në kohë rekord, gjë që për moshën e tij nuk është aspak e zakonshme. I tillë ka qenë edhe në garat ndërkombëtare që i kemi mbajtur në Dubai. Vetëm më vjen keq që nuk kanë mbështetje nga institucionet prindërit e këtyre fëmijëve, prandaj detyrohen që në mënyrë vetjake t’u ndihmojnë atyre të zhvillohen”, thekson ajo.
Në “Brainobrain” përveç matematikës, rreth 600 fëmijët që janë pjesë e tij kryejnë edhe aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me gjuhët, psikologjinë e zhvillimin logjik.