Shtojca për Kulturë

Zë e piano për një gjurmim mjeshtëror të repertorit operistik

Sopranoja Ulpiana Aliaj dhe Peter Valentovic

Sopranoja Ulpiana Aliaj dhe Peter Valentovic në piano, kanë sjellë në “Chopin Piano Fest” magjinë e skenave botërore, ani pse kushtet janë kontrasti (Foto: Chopin Piano Fest)

I parafundit koncert i edicionit të 14 të “Chopin Piano Festit” ka qenë tamam ashtu siç është titulluar: “Opera night”. Ka “thyer” rrugëtimin maratonik të koncerteve kryesisht me instrumentin të cilit i dedikohet, tek ka sjellë sopranon Ulpiana Aliaj me maestron sllovak Peter Valentovic në piano. Koncerti i ka ngjarë një dialogu mjeshtëror në zbërthimin e magjisë së muzikës

Se forma më e madhe muzikore sa i përket muzikës klasike në vend shpesh përmbyset është kaherë e ditur. Edhe nga vetë institucioni operistik. Në “Chopin Piano Fest” ka qenë i pranueshëm pa kurrfarë dileme. Madhështinë ia kanë shtuar solistët e skenave ndërkombëtare operistike. Me programin e larmishëm që prek kultura nga vende të ndryshme që e kanë kultivuar këtë repertor, sopranoja Ulpiana Aliaj me maestron sllovak Peter Valentovic, i janë rrëfyer publikut nëpërmjet libretit e tingujve. 

Kur po shkon nga fundi i edicionit, festivali ndërkombëtar i muzikës klasike “Chopin Fest” kujdeset t’i lë publikut shije të këndshme muzikore. Ndonëse secili koncert ka qenë i veçantë në mënyrën e tij. 
Me pianon e pandarë nga podiumi – në përjashtim të koncertit nga “Croatian Guitar Quartet” – instrumenti në qendër të festivalit është sjellë në disa forma stilistike. I fundit ka qenë ai me këndim sa i përket kësaj lloj prove. 

Në sallë pa kondicionerë, për solistët shtohet një gajle më shumë përtej përgatitjeve dhe kujdesit për paraqitje dinjitoze. Njashtu edhe për publikun që tenton ta shijojë koncertin. Sikurse në koncertet e fundit të edicionit të kaluar, e njëjta situatë ka vazhduar edhe sivjet. Salla me po të njëjtat kushte e pret edhe pianistin e skenave botërore Giovanni Bellucci nga Italia, i cili do ta mbyllë edicionin e sivjetmë, të 14-tin të “Chopin Piano Fest”. 

Me dyert e hapura të sallës, me zhurmën që dëgjohej kur pushonin partiturat, filloi një tjetër mbrëmje sfiduese. 

Dyshja e nisi koncertin me arien “Non si da follia maggiore” nga opera “Il Turco in Italia” të Rossinit. Sopranoja Ulpiana Aliaj ka mahnitur edhe në interpretim të arieve “J’amais l’aspect de nos momtagnes” nga opera “Ivan IV” të Bizet dhe “Liebe du Himmel auf Erden” nga opera “Paganini” e kompozitorit Lehar. Ka mahnitur me zërin magjepsës e kontrollin në vokal. 

Pos si përcjellës në këndimin e sopranos Aliaj, pianisti Valentovic ka shpalosur mjeshtërinë e tij në instrumentin me taste. Sa ulet në piano, nuk i duhet shumë kohë për të projektuar krejt veprën. Nuk i jep vetes kohë të përgatitet mendërisht për nisjen e veprës tejet atraktive e të veçantë – “Bugatti step” të çekut Jaroslav Ježek. Harmonia e gëzimi nëpërmjet tingujve janë në shkallën maksimale. Meloditë e shpejta e të harmonizuara mahnitshëm, e bëjnë veprën tejet atraktive. Sjellin imazhet e një vallëzimi që duket se buron nga një lumturi e pafundme. 

Pos kësaj vepre, Valentovic ka interpretuar edhe një pjesë improvizimi nga një temë e Sergei Rachmaninoff të përgatitur nga vetë ai. Ka qenë kontrasti me veprën paraprake. Ka shpalosur natyrën më serioze e virtuoze. Tingujt bas kanë sjellë atmosferë të zymtë e tensionuese. 

Valentovic që është edhe dirigjent i shquar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, ka thënë se veprat që ka zgjedhur kanë qenë kompakte dhe të këndshme. 

“Vepra e parë ishte vepër tipike për piano, por me ritme jazzi. Shumë e vështirë, shumë e shkurtër, shumë e mirë dhe efektive. Vepra e dytë ishte e shkurtër gjithashtu por me shumë zhvillime. E luaj shpesh në koncerte dhe ishte kënaqësi që e interpretuam edhe sonte këtu”, ka thënë sllovaku Peter Valentovic, i cili njihet në gjithë botën si dirigjent operistik e orkestral dhe si pianist e përcjellës i këngëtarëve të shquar botërorë. 

Valentovic ka drejtuar operën e parë për të - “Le Nozze di Figaro” në moshën 21-vjeçare në Universitetin e Muzikës në Vjenë, ku ka drejtuar edhe “Don Pasquale” të Donizettit, “Die Kluge” të Carl Orff dhe “The Cunning Little Vixen” të Leoš Janáček. Ka qenë mjeshtër kori dhe dirigjent rezident në “Cape Town Opera” në Afrikën e Jugut, ku ka zgjeruar repertorin e tij me “Nabucco” të Verdit, “Cavalleria Rusticana” të Mascagnit, “Gianni Schicchi” të Puccinit, “Rusalka” të Dvorak si dhe me shumë koncerte simfonike. Ka mbajtur edhe postin e dirigjentit në Operën Shtetërore Turke në Stamboll.

Ai është gjithashtu mysafir i rregullt në Operën Kombëtare Sllovake. Bashkëpunimet e tij me këngëtarë të shquar përfshijnë shfaqje mbresëlënëse në pranverën e vitit 2017 në “La Scala” në Milano dhe Operën Shtetërore të Vjenës me “Norma” dhe “Gruberova” të Bellinit. 

E ka përcjellë sopranon Aliaj në interpretim të aries “Martern aller arten” nga opera “Die Etfuehrung aus dem Serail” të Mozart ku tingujt harmonizohen si dialog me këndim. 

Kombinimi i programit ka prekur repertorin operistik nga vende të ndryshme. Është futur edhe ai çek me arie nga “Rusalka” e Antonin Dvorak. 

“Mesicku na nebi hlubokem” ka qenë tejet melankolike ndërsa “Al dolce guidami” nga opera “Anna Bolena” ka ngjarë tejet sfiduese vokalisht e teknikisht. 

Sopranoja Aliaj ka thënë se i gjithë programi ka qenë sfidues dhe se koncerti “Opera night” ka përkuar me një datë të shënuar për repertorin operistik. 

“I gjithë programi ka qenë shumë sfidues. Jemi munduar të prekim vepra përfaqësuese nga të gjithë repertorët që janë emblemë e repertorit operistik. Për më tepër qëlloi në një ditë shumë të shënuar siç është ajo e Vlerës së Repertorit Operistik që tani i përket një trashëgimie botërore. Sa i takon aries së Rusalkas ka qenë veçanërisht emocion i madh për mua pasi e kam studiuar me mjeshtrin i cili është edhe nga vendi folës të gjuhës”, ka thënë Aliaj. 

Sopranoja e cila ka debutuar në shumë teatro në Itali, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Austri dhe ka interpretuar role të shumta nga opera të njohura botërore ka thënë se po aq e vështirë sa vetë interpretimi në një opere është edhe ai në version koncertal. 

“Është pak më e vështirë t’i sjellësh në një version koncertal ku ti sjell karaktere dhe personazhe të ndryshme sesa një operë që sado e gjatë dhe impenjative qoftë, patjetër që përfshirja në një gjendje emocionale bën që të jesh brenda këtij personazhi. Fakti që këtu m’u desh të ndërroja karaktere në çdo pjesë, kjo përbën një vështirësi më të madhe si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë emocional”, ka thënë sopranoja Aliaj. 

Ajo ka luajtur si Adina në “L’elisir d’Amore”, si Lauretta në “Gianni Schichi”, si Pamina në “Die Zauberflote”, si Sophie në “Werther”, si Donna Fiorilla në “Il Turco in Italia”, si Gilda nga “Rigoletto”, e si Rosina nga “Il Barbiere di Siviglia”.

“Kam qenë vërtet e emocionuar pasi jam paraqitur me një program shumë impenjativ dhe pjesa më e madhe premierë për skenën kosovare besoj. Ishte një përgjegjësi shumë e madhe edhe për vetë faktin se ‘Chopin Piano Fest’ tashmë gëzon një vulë të garancisë dhe besnikërisë së një cilësie artistike. Për ne ishte përgjegjësi e shumëfishtë”, ka thënë sopranoja shqiptare që ka ngjitur skenat prestigjioze të operës. 

Ka interpretuar në “Teatro Comunale di Bologna”, “Royal Opera House”, “Muscat”, “Teatro di Bolzani”, “Staatstheatre Nuremberg”, “Staatstheatre Bolzano” dhe jo vetëm. 

Premierë është luajtur vepra “Trëndafili i Prizrenit” e Elona Rushitit e cila ka ardhur tejet melankolike me timbrin e butë nga Aliaj. Në pjesën e fundit është interpretuar edhe “Sinfonia” e Aulon Naçit dhe “Il Bacio” nga italiani Luigi Arditi. 

“Opera night” ka qenë koncerti paraprijës i përmbylljes së edicionit të 14-t me italianin Giovanni Bellucci, të dielën mbrëma.