Idolatria serbe rreth ringjalljes së heronjve mesjetarë nga Kosova zë rrënjë edhe me shkrimet e Vasilija Petroviqit nga dinastia e Njegoshëve në Mal të Zi. Autor i librit të parë që ravijëzon historinë e shkrepave të Malit të Zi (Историја о Черној Гори), ai ishte i pari që në vitin 1754 do ta quante heroin nga Drenica si Millosh Obiljeviq, që në një lojë etimologjike përftonte një ngjashmëri sipërfaqësore me fjalën serbe “obilan” për “bollëk, pasuri”. Por do të ishte Petri II Njegosh, autori i epit të famshëm “Kurora e Maleve”, ai që do të zbulonte heroin e Drenicës si dhe elemente të tjera të Betejës së Kosovës para botës serbe. Kenneth Morrison, autor i një monografie depërtuese e mbresëlënëse për historinë e Malit të Zi, thotë se Petri II Njegosh përveç kontributit të tij në formalizimin e një epike për sllavët, do të yshte një identitet serb në Mal të Zi, duke i bindur fiset e atjeshme për bartjen e kapelës së re “kapa” si një shprehje vullnetmirë e solidaritetit me Serbinë dhe braktisjes së fesit tradicional osman.
Qëndisma e zezë anësore e kapelës malazeze do të shenjëzonte vajtimin e pikëllimin për humbjen në Kosovë, pjesa tjetër e kuqe në mes do të nënkuptonte derdhjen e gjakut serb, kurse qëndismat me gjysmë-rrathët e verdhë do të shënonin shekujt e gjatë të shtypjes turke. Njegoshi po ashtu do të sajonte çmimin ushtarak “Millosh Obiliq” për ushtarët malazezë që tregonin trimëri në fushëbeteja, duke u bërë tevona si nderi më i lartë ushtarak. Është Malcolm, i cili tëhollon mitin serb për Kosovën në thellësinë e tij, thekson në mënyrë të përmbledhur se “thjesht nuk ka asnjë evidencë për të sugjeruar se ndonjë serb pati ndonjë ide për një ‘Premtimin për Kosovën’ nga këto figura retorike para shekullit të nëntëmbëdhjetë’’.
Nga Njegoshi deri knjaz Nikolla
Kontributi i Njegoshëve si dhe ai Vuk Karaxhiqit ndërkall në vetvete edhe problemin e komb-bërjes në Evropën e shekullit XVIII dhe XIX. Thuhet shpesh se ndryshimet revolucionare ekonomike që pasuan vitin 1789 të Revolucionit Francez, sheshuan rrethanat e sajimit të kombeve moderne. Megjithatë, nuk mund të mohohet se një hapësirë ekonomike nuk prodhon ipso facto një ndjenjë identiteti të përbashkët midis individëve që marrin pjesë në të. Vetë ideja e kombit duket a priori se është në kundërshtim me modernizimin, përderisa premisa e tij mbështetet mbi një lloj bashkësie jokohore, e cila e gjen legjitimitetin në ruajtjen e një trashëgimie. Përbërësit simbolikë dhe material që i japin një emër të mirë kombit janë: një histori vijëdrejtë që vendos lidhje me pasardhës me emër të mirë, një shumësi heronjsh me të bama heroike pas vetes që japin shembuj moralë, një gjuhë e njësuar, disa monumente kulturore, një folklor si dhe një peizazh tipik me një mendësi të veçantë, pastaj simbole, veshje e flamuj të veçantë. Anna Marie Thesie ka një libër të mrekullueshëm që qendërzohet pikërisht rreth përpjekjeve të vetëdijshme të mileut intelektual evropian që zë fill me “Makfersonin”, e që krijoi ligjshmërinë simbolike të kombeve bashkëkohore. Ajo mendon se nga mesi i shekullit XVIII, do të ndodhte një ndryshim i ligjshmërisë kulturore. Antikiteti greko-romak aq i lëvduar gjatë periudhës së Rilindjes, do të zëvendësohet nga një kthim drejt rrënjëve barbare: bota mesdhetare do të zëvendësohej nga mjediset borale evropiane, sallonet elegante e mondane me kasollet fshatare. Prijetar i këtij ndryshimi të madh do të bëhej James Makfersoni, një skocez i pajisur me dhuntinë e pasionin e pashuar për mbledhjen e gojëdhënave nga Kaledonia, e sidomos të këngëve të Fingalit. Puna e skocezit të devotshëm do të sillte një ortek të madh që sfidoi modelin francez. Më të vrullshëm se kushdo tjetër ishin intelektualët gjermanë, të cilët do t’i kundërviheshin hegjemonisë kulturore franceze. Herderi do të krijonte modelin e kësaj ere të re kulturore: ai si asnjë tjetër do t’i përvishej mbledhjes së folklorit gjerman, duke rivlerësuar historinë burimore gjermane. Kjo flakë e re kulturore do të mbahej e ndezur nga vëllezërit Grimm, Goethe e të tjerë e që shpejt do të frymëzonin tërë Evropën, e cila u vu në kërkim të rrënjëve të veta, duke qëmtuar drejt traditave gojore në kërkim të gjetjes së “shpirtit kombëtar”. Vepra e Herderit, siç pohon Thiesse, do të bëhej shumë shpejt pikë reference për të gjithë ata që në Evropë shqetësoheshin për çështjen e kombëtares. Ajo thotë se “epopeja osianike” që nismoi me Makfersonin, do të triumfonte në Evropë nën shenjën e dyfishtë të emocionit dhe të aspiratave për liri. Vuk Karaxhiqi gjatë kohës sa ndodhej në Vjenë do të njihej me Jakob Grimmin, i cili do ta frymëzonte për të mbledhur poemat gojore sllave. Shumë prej mbledhësve të folklorit evropian gjatë kësaj kohe do të bënin falsifikime duke u përpjekur t’i mbushnin boshllëqet dhe jokoherencën e poemave gjysmake gojore. Sipas studiuesit Enver Mehmeti, Karaxhiq në fjalorin e tij “Srpski Rječnik” në hyrjen “Lazarica” në parantezë shpjegonte se këtë këngë gjoja e kishte dëgjuar nga lahutarët e verbër në Srem dhe Hercegovinë. Vuku, pasi këtë këngë të gjatë nuk mundi ta gjejë askund, do t’i përvishej vetë punës që ta krijojë atë. Edhe Elodie Lawton Mijatoviq thotë se një tjetër poet serb si Joksim Noviq, qysh në vitin 1849 do të shkruante një poemë epike të quajtur “Lazarica” ose “Këngët për Lazarin”’, duke i përdorur të gjitha traditat për mbretin e fundit serb. Por, megjithëse Noviq imitoi ritmin dhe stilin e këngëve të vjetra serbe, “Lazarica” ishte qartësisht një prodhim vetjak i poetit dhe jo i rapsodëve fshatareskë popullorë. Pas proklamimit të mbretërisë në Serbi në vitin 1882, përpjekje të veçanta u bënë nga qeveria që në vitin 1889 të kremtohej 500-vjetori i Betejës së Kosovës, duke e kthyer këtë një manifestim të bashkimit kombëtar, aspiratave kombëtare dhe fatit mbretëror. Poende në filmin më të vjetër serb të bërë në Serbi “Kurorëzimi i Mbretit Petri I” (1904), kinematografi anglez Frank Mottershaw u bind që të përfshinte një skenë historike të aktorëve të veshur me petka mesjetare, që përfaqësonin Milosh “Obiliqin”, nëntë vëllezërit Jugoviq dhe vetë princin Llazar. Impuls të veçantë konstruktimit të “Millosh Obiliqit” do t’i jepte vetëm Njegoshi në një dorë poemash. Ajo çka i bënte të përveçëm malazezët ishte fakti se ata pëlqenin ta modelonin veten sipas heronjve më të fismë serbë. Një varg i shkëputur nga “Kurora e Maleve” është i mjaftueshëm për të pasqyruar urrejtjen ndaj gjithçkaje jo-serbe, duke shpërdorur figurën e heroit të 1389-s:
“Pra rrëzoni minaret dhe xhamitë,
Dhe shërbeni ëmbëlsirat serbe...
Të betohem në emër të Millosh Obiliqit
Dhe armëve besnike që i mbaj,
Fetë tona do të bashkohen në gjak”.
Prifti Nikolaj Velimiroviq, i pasionuar pas veprave të Njegoshit, nënvizon se emri i përdorur më së shpeshti pas Zotit, është Millosh Obiliqi, vrasësi i Sulltan Muratit në Kosovë. Sipas fjalëve të tij, “ky luftëtar është për poetin tonë diçka hyjnore; kjo është arsye pse flasim për altarin e Obiliqit”. Edhe mbreti i fundit malazez, Nikolla do të evokonte Kosovën dhe Millosh “Obiliqin” në poemën e tij të njohur, e cila u shkrua enkas për trupat e tij ushtarake në prag të luftërave ballkanike:
“Atje lart, përtej atyre bjeshkëve,
Ku parajsat ngjiten me qiellin e kaltër,
Drejt fushave serbe, drejt fushave luftarake,
Atje, o vëllezër, të bëhemi gati të shkojmë!
Atje, atje, përtej atyre maleve,
Mund të gjesh, ata thonë, varrin e Milloshit...
Atje!...Shpirti im do të gjejë prehjen
Kur serbi nuk do të jetë më rob!
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë.