“Unë munda vetëm të konfirmoj se i vrari Marinkoviq, (natën midis 2 dhe 3 korrik 1890) të cilin unë e njihja personalisht, ishte një person gjaknxehtë, që i manifestonte antipatinë e tij kundër shqiptarëve dhe turqve. Ai u përpoq të bënte propagandë për Serbinë në një mënyrë mjaft pa takt...”, raportonte konsulli austro-hungarez, Norbert Ritter von Schmucker, për vrasjen e konsullit të parë serb në Prishtinë, Lluka Marinkoviq, i cili për habi kishte zgjedhur për truprojë një shqiptar, Rexhepin nga Nishi. Por si pasojë e sjelljeve dhe kryeneçësisë, shumë shpejt dhe në mënyrë tragjike e përmbylli misionin e tij. Konsulli i radhës, Todor P. Stankoviq te përjetimet e tij të paharrueshme në Kosovë, ka edhe kumbarinë me shqiptarin, Bajram Avdia
Qysh nga arritja në Prishtinë, Lluka Marinkoviq, u paraqit mjaft agresiv në veprimet e tij, sidomos në raport me muhaxhirët shqiptarë që më parë ishin dëbuar nga vatrat e tyre të rrethinave të Nishit, qytetit të Leskocit, Vranjës, Kurshumlisë e Prokuples. Kuptohet se hallet e shqiptarëve të dëbuar prej tyre ishin të mëdha. Primare për ta ishte sidomos rregullimi i çështjeve të pronave të dikurshme, pjesa dërmuese e të cilave thjesht u uzurpuan nga Serbia. Por, është për t’u habitur se vetë Marinkoviq madje e kishte zgjedhur për truprojë një shqiptar, Rexhepin nga Nishi. Por, siç e cekëm më lart si pasojë e sjelljeve dhe kryeneçësisë, konsulli serb shumë shpejt dhe në mënyrë tragjike e përmbylli veprimtarinë e tij.
“Unë munda vetëm të konfirmoj se i vrari Marinkoviq, (natën midis 2 dhe 3 korrik 1890) të cilin unë e njihja personalisht, ishte një person gjaknxehtë, që i manifestonte antipatinë e tij kundër shqiptarëve dhe turqve. Ai u përpoq të bënte propagandë për Serbinë në një mënyrë mjaft pa takt dhe kjo e solli atë disa herë në konflikt me pushtetin vendor. Siç mësova nga një burim i sigurt, para disa muajsh vetë Qeveria e Serbisë kishte kërkuar shkarkimin e tij”, ka raportuar konsulli austro-hungarez Norbert Ritter von Schmucker (1854–1925) nga Shkupi, menjëherë pas vrasjes së konsullit Marinkoviq në Prishtinë. Ndërsa në raportin zyrtar të konsullatës serbe në Prishtinë qëndron se “duke iu falënderuar intervenimeve të drejtpërdrejta te sulltani, njëri prej të akuzuarave Sejfedini është arrestuar. Ky Sejfedini ishte rrahur prej konsullit Marinkoviq dhe gavazit të tij para dhjetë ditësh. Sot i arrestuari e ka pranuar se ka marrë pjesë në vrasje bashkë muhaxhirët e Prokples Ibrahimin dhe Raifin, por ata janë ndihmuar edhe nga romi i quajtur Ajvaz. Tani të gjithë janë arrestuar. Shtëpia e shqiptarit Ibrahimit nga Prokupla është rrethuar dhe aty është gjetur edhe revolja me të cilën ai ka qëlluar mbi konsullin. Provat janë bërë pasi plumbi që është nxjerrë prej trupit të konsullit, është i njëjtë me ato që janë gjetur në revolen e Ibrahimit”.
Kuptohet se vrasja e konsullit Marinkoviq në radhë të parë paraqiste shqetësim serioz për vetë pushtetin turk, prandaj edhe nuk ka munguar edhe sqarimi i rastit nga kreu i Vilajetit të Kosovës.
“Sipas sqarimeve të valisë nga Shkupi, një ditë para ngjarjes tragjike, para portës së ndërtesës së konsullatës i dehur kishte bërë zhurmë romi Ajvazi (me origjinë nga Leskoci që ndër vite jetonte në Prishtinë). I ndjeri, konsulli Lluka e kishte urdhëruar gavazin, Rexhepin që ta përzinte romin prej aty. Mirëpo, të nesërmen Ajvazi kishte ardhur sërish në të njëjtin vend po ashtu i dehur. Më në fund vetë konsulli e kishte urdhëruar Rexhepin që ta arrestonte romin, ndërsa ai vetë ishte nisur drejt stacionit policor të Prishtinës. Ishte ora 21 e mbrëmjes kur ishin dëgjuar të shtënat dhe konsulli ishte vrarë në vend. Po ashtu, në informacionet shtesë të valiut thuhej se ‘konsulli serb e kishte rrahur romin, më pastaj edhe vetë kishte shkuar në polici, por në kthim ishte vrarë’”. Ndërsa përfaqësuesi i Serbisë në Stamboll, Stojan Novakoviq, shkruante se “derisa vetë Lluka Marinkoviq e godiste me grushte Ajvaz romin, një shqiptar që e kishte shtëpinë në anën tjetër të konsullatës serbe dhe me të cilin vetë konsull Marinkoviq ishte grindur para dy javëve në njërën prej kafeneve të Prishtinës, e kishte vrarë në vend konsullin dhe kjo kishte ndodhur rreth orës 20 e 30 minuta”.
Megjithatë, informacionet përfundimtare rreth vrasjes së konsullit serb në mbrëmjen e 2 dhe 3 korrikut të vitit 1890 u kompletuan në fund të muajit, me ç’rast ishte konstatuar se konsullin Lluka Markinkoviq e kishte vrarë shqiptari njëzete trevjeçar Ibrahim Hyseni nga Prokupla, i cili ishte vendosur në Prishtinë në vitin 1878. Bashkëpunëtor në vrasje kishin qenë Hamdi Hetemi, Raif Agushi dhe romi Ajvaz (Sjefedin) Aliu. Ndërsa brenda përfaqësuesve serbë në Prishtinë dhe rrethinë ekzistonte bindja se në vrasjen e konsullit serb ishte i përzier edhe gavazi i tij, Rexhep shqiptari nga Nishi. Sipas disa serbëve prishtinas “kur Rexhepi me urdhër e çoi romin e dehur në polici ai u vonua shumë gjatë dhe kjo është mjaftë dyshimtë, bile vetë Marinkoviqi e kishte marrë guximin të dilte nga konsullata për shkak të shqetësimit për vonesën e Rexhepit”.
Të kujtojmë se “në kohën e vrasjes së konsullit Lluka Marinkoviq postin e mytesarifit të Prishtinës e mbante Hafiz pasha që ishte me origjinë kurde. Ishte shumë religjioz dhe e dinte Kuranin përmendësh. Për nga fizionomia Hevzi pasha më tepër i përngjiste një dervishi religjioz se sa pashait. Kur një herë shpërtheu një kryengritje në Azinë e Vogël ai e shoi atë në mënyrën më mizore. Por, edhe herën tjetër kur në vitin 1894 midis shqiptarëve u paraqit një lëvizje e fuqishme, ai u ngrit në pozitën e valiut pasi përveç tij nuk kishte pushtetar tjetër që mund t’ia dilte me shqiptarët. Për pamëshirën e tij flitej se ai së pari i vriste të pabindurit ndaj pushtetit dhe më pastaj ua shqiptonte dënimin”.

Stambolli dhe disa detaje rreth gjykimit të Ibrahim Hysenit
Në javën e fundit të gushtit të vitit 1890 në Shkup, gjykata i shpalli fajtorë për vrasjen e konsullit serb Lluka Marinkoviq, tregtarin Ibrahim Hysenin, Hamdi Hetemin, Raif Agushin dhe romin Ajvaz (Sjefedin) Aliun. Ibrahimi u dënua me vdekje, ndërsa të akuzuarit tjerë për të cilat u tha se e kanë ndihmuar vrasësin u dënuan me nga tre vjet burg.
Megjithatë përfaqësuesi i Serbisë në Stamboll, Stojan Novakoviq dhe qeveria e tij mbetën të pakënaqur me dënimet e shqiptuara në Shkup.
“Turqit nuk e pranuan ankesën tonë se vrasja e konsullit Marinkoviq është vepër e konspiracionit politik”, ka shkuar Novakoviq më 28 gusht të vitit 1890 nga Stambolli, duke precizuar: “Kur në notën e tretë unë e paraqita se ne nuk jemi duke kërkuar kompensim prej gjykatës si parti private por nga Porta e Lartë jemi duke kërkuar kompensim si qeveri pasi kemi të bëjmë me lëndë gjyqësore ndërkombëtare dhe ne nuk do ta ndryshojmë mendimin pavarësisht vendimit që do ta sjellë gjykata në Shkup. Meqenëse ju do të shkoni në Prishtinë, ju lutem të më informoni a është vrasja e konsullit vetëm çështje e hakmarrjes personale apo diçka tjetër dhe e ka pasur ndonjëherë Lluka Marinkoviq mosmarrëveshje me Ibrahimin, më pastaj a e ka njohur atë, a është e mundur që vrasja të jetë pasojë e hakmarrjes personale”.
Gjykimi i Ibrahim Hysenit ishte përcjellë edhe prej një grupi të shqiptarëve, rreth njëzetë sosh, ndërsa si mbrojtës i të akuzuarit ishte angazhuar avokati i njohur prishtinas Kadriu beu.
Më në fund kërkesës nga Stambolli, prej Shkupi i është përgjigjur konsulli Kariq dhe ai tanimë informonte më në detaje rreth procesit gjyqësor.
“Seanca gjyqësore u hap në ora njëmbëdhjetë e gjysmë dhe si dëshmitar ishte thirrur Miko Arsiq. Ai dëshmoi se e kishte mbyllur dyqanin dhe kishte shkuar në shtëpi dhe në çastin kur e kishte vërejtur se vëllai i tij më i ri nuk ishte në shtëpi, ai kishte dalë ta kërkonte atë dhe mu atëherë i kishte dëgjuar të shtënat. Menjëherë më pas ai e kishte parë Ibrahimin duke vrapuar rrugës i veshur me tirq dhe me plisin e bardhë në kokë! Ai e bindi gjyqin se e kishte njohur Ibrahimin edhe më herët. Ibrahimi reagoi menjëherë duke e mohuar se ai e kishte vrarë konsullin. Më pastaj ai u ankua se vetëm xhaurrët dhe romët janë duke e akuzuar atë për vrasjen e konsullit, por jo turqit”. Edhe pse gjykata e Shkupit e dënoi me vdekje Ibrahim Hysenin, në një raport nga Shkupi të 18 marsit të vitit 1891, thuhej se “vrasësit të konsullit Marinkoviq i ishte anuluar dënimi me vdekje duke iu zëvendësuar me pesëmbëdhjetë vjet burg, ndërsa ndihmësit e tij tashmë ishin lënë të lirë“.
Ndonëse në procesin gjyqësor kundër Ibrahim Hysenit nuk është përmendur askund pjesëmarrja apo ndihmesa që myftiu i Prishtinës, Ibrahim Halaçi e ka dhënë lidhur me vrasjen e konsullit serb Lluka Marinkoviq, megjithatë, emri i tij është përmendur në një raport të mëvonshëm të konsullit austro-hungarez Winter nga Prizreni.

Konsulli Stankoviq dhe miqësia në shtëpinë e shqiptarit
Kur ushtria serbe hyri në Nish më 11 janar 1878, njëri prej njësiteve që u pa në rrugët e këtij qyteti udhëhiqej nga Todor P. Stankoviq (1852 – 1925). Për meritat e angazhimit të tij, Stankoviq do të jetë konsulli i radhës që do të shërbejë në Prishtinë në vitet 1890 – 1893. Ndërsa imazhet e fundit të Nishit “të çliruar” nga Stankoviqi dhe bashkëluftëtarët e tij ishte si në vijim.
“Para aneksimit të Nishit, Serbisë, atje ndodheshin 300, shtëpi të grupuara në vendin e posaçëm, të banuara nga 1500 shqiptarë. Këto shtëpi në pjesën më të madhe kishin qenë prona të shqiptarëve shumë të pasur, prej të cilëve rreth 20 prej tyre, gjatë afrimit të ushtrisë serbe, kishin shitur ato dhe ishin shpërngulur në Turqi. Të tjerët kishin gjetur shpëtim duke u strehuar në kështjellën e qytetit, dhe pas hyrjes së serbëve në Nish ishin kthyer në shtëpitë e tyre, por vetëm me premtimin zyrtar se prona dhe nderi i tyre do të respektoheshin.
“Disa ditë më vonë serbët dhe bullgarët kishin sulmuar shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve që t’i plaçkitnin, por qëllimi ishte që ata të çarmatoseshin. Mirëpo, për të mos i dorëzuar armët shqiptarët i kishin hedhur ato në lumin e Nishit, kurse të tjerët kishin shkuar te komandantët serb për t’u ankuar për pabesitë e pushtetit të ri. Oficerët serbë u kishin premtuar paditësve se atyre do t’u kthenin të gjitha sendet e marra, të cilat me këtë synim duhej të silleshin në kishë! Mirëpo, asnjëri prej keqvepruesve nuk ishte dënuar as që sendet e marra ishin sjellë në kishë e as u ishte lejuar shqiptarëve që t’i identifikonin sendet e tyre. Në vend se t’u ktheheshin këtyre, ato ishin dërguar në Beograd e në vendet e tjera dhe u ishin shpërndarë zyrtarëve, të cilat me këto i kishin rregulluar shtëpitë e tyre. Sipas informacioneve të besueshme shqiptarët kishin vendosur që derisa nuk u kthehen shtëpitë e tyre në gjendjen në të cilën i kishin braktisur, do të vazhdonin me vrasjet, vjedhjet dhe plaçkitjen e serbëve, sepse këta të fundit ua kishin marrë mundësinë që ata të ushqeheshin me frytet e arave të tyre. Përkundrazi, shqiptarët ishin të gatshëm që në paqe dhe pajtim të jetonin me fqinjët e tyre, nëse serbët në mënyrë të besueshme ua siguronin atyre paqen dhe sigurinë”, kishte raportuar konsulli i përgjithshëm turk, Nikollaidis, në Nish, duke e cekur se për shkak të gjendjes së rëndë në Nish, madje do ta pranonte rolin ndërmjetësues, nëse për këtë do të autorizohej nga qeveria e tij, kurse nga ana serbe të marrë garanci se shqiptarëve do t’u garantohet siguria personale dhe dëmshpërblimi i caktuar”. Fatkeqësisht, interesimi dhe shqetësimi, për konsullin Stankoviq apo për të kaluarën e tij as që mund të besohet se ishte ngritur në nivele të pushtetit të atëhershme në Vilajetin e Kosovës apo në Prishtinë.
Në anën tjetër, nuk mungojnë dëshmitë e vetë konsullit Todor P. Stankoviq për përjetimet e tij të paharrueshme në Kosovë.
“Në vitin 1890 u njoftova me shqiptarin Bajram Avdinë. Duke iu përgjigjur kërkesave të tij të njëpasnjëshme i premtova se më 23 gusht do t’i shkoja si mysafir në shtëpi. Dhe në këtë ditë vetë Bajrami në përcjellje të dhjetë shqiptarëve të hipur në kuaj na priti në rrugë. Në shtëpinë e tij ishin mbledhur edhe disa serbë që ai i kishte ftuar që të merrnin pjesë në pritjen time. Njëri prej tyre ishte Llazar Kërstiqi nga fshati Bresje. Pasi drekuam, Bajrami e solli të birin trevjeçar duke thënë: “Deri më sot jemi njohur mes vete dhe kemi qenë miq, por prej sot, nëse Zoti, do të jemi kumbarë dhe sipas zakonit ma uli djalin në prehër tri herë radhazi. Propozimin e tij e pranova me dëshirë dhe më pas i dhashë para djalit të vogël. Më pastaj nën hijen e një peme para shtëpisë vazhdoi ceremonia e prerjes së flokëve dhe ajo u përcoll me të shtëna armësh prej shqiptarëve dhe serbëve që ishin aty. Më vonë e vizituam urën e Vragolisë, por edhe shqiptarët e atjeshëm më lutën që në të ardhmen të isha edhe mysafir i tyre. Iu premtova se këtë do ta bëja një herë tjetër. Si dëshmi se sa shqiptarët e vlerësojnë kumbarinë do t’ua afroj një shembull konkret. ‘I ndjeri babai im ka qenë kumbara i Vesel Latifit nga Deshillova, rrethi i Dobriçit, qysh para 50 – 60 vjetëve. Veseli e braktisi Deshillovën gjatë luftës turko-serbe të vitit 1877 dhe më pas u vendos në fshatin Talinoc të Ferizajit. Kur në vitin 1890 erdha si konsull në Kosovë, Veseli më vizitoi dhe kur më takoi për herë të parë qau si fëmijë. Gjatë gjithë kohës së shërbimit tim në Prishtinë, ai më vizitonte shpesh me të bijtë e tij dhe gjithherë më sillte pite, pogaçe dhe pulë të pjekur. Për çudi ai i mbante në mend të gjithë emrat e familjarëve të mi në Nish, duke më pyetur veç e veç për secilin. Veseli tani i ka 75 – 80 vjeç. Bile disa herë ai më vizitoi edhe në Shkup”, ka kujtuar Stankoviq.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë