Edhe pse në një ambient kompleks të Luftës së Ftohtë dhe të ndërlikueshmërisë së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, Ukshin Hoti shpërfaqte vizionin jo vetëm të çimentimit të komunikimit dhe afrimit ndërshqiptar, përmes shkëmbimit të pedagogëve dhe studentëve e literaturës, por edhe projektimin e një të ardhmeje të përbashkët. Në fakt, ky ishte edhe orientimi zyrtar politik i përfaqësuar nga shumica e elitës shqiptare dhe nga elita intelektuale në Kosovë
Në pjesën e fundit, të tretën me radhë, në dokumentin “tepër rezervat” me titull “Marrëdhëniet midis RSF të Jugosllavisë dhe të RP të Shqipërisë-Pozita e KSA të Kosovës dhe detyrat e saj”, i hartuar më 20 nëntor 1974, mr. Ukshin Hoti, sekretar i Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, Kryesisë së Këshillit Ekzekutiv i ofron disa propozim-masa me qëllim që bashkëpunimi me RP të Shqipërisë të zhvillohet pa pengesa dhe në frymë të marrëdhënieve të mira dhe me qëllim të aftësimit organizativ të Kosovës.
1. “Në kontekst të forcimit të prezencës së Kosovës në planin ekonomik, duhet të insistohet që në vijim të mënjanohen këta faktorë pengues:
a: të dërgohet një delegacion ekonomik i KSA të Kosovës në RP të Shqipërisë, i cili do t’i hulumtonte mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit nga fusha e shkëmbimit të mallrave;
b: që këtu, më parë, të përpunohet propozimi për përmirësimin e komunikacionit (rrugëve, hekurudha, linja ajrore) dhe i komunikimit (PTT) me RP të Shqipërisë;
c: të hulumtohen mundësitë për bashkëpunimin e planifikimin hapësinor,
d: të dërgohet një zyrtar nga Kosova (punohet në këtë drejtim) pranë Ambasadës së RSFJ në Tiranë ose në cilësinë e përfaqësuesit të Dhomës,
e: duhet që organizatave ekonomike t’u tërhiqet vëmendja për nevojën që të jenë luajalë në bashkëpunimin e RP të Shqipërisë, t’u përmbahen rregullave të tyre për mënyrën e kontaktit me të huajt dhe t’i respektojnë afatet e përcaktuara për dërgimin e mallrave.
2. Në planin politik, duhet mbajtur llogari për disa çështje të rëndësishme. Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë duhet t’i mundësohet ta kryejë detyrën e informimit dhe përgatitjes së delegacioneve. Në këtë drejtim është me rëndësi të dihet qëllimi i shkuarjes eventuale të delegacionit, karakteri i manifestimit në të cilin ato marrin pjesë dhe i nivelit të atyre delegacioneve. Në këtë kontekst, Hoti tërheq vëmendjen se Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë nuk mund t’i zgjedhë ato delegacione, por nuk mund të lejojë që të mos konsultohen në lidhje me vizitat e tyre. Në këtë linjë ai thekson se për shkak të përgatitjeve joadekuate të disa delegacioneve, shkaktojmë habi te vetë anëtarët e delegacioneve, të cilët nganjëherë mendojnë se përfaqësojnë interesa më të larta se ato të institucionit të tyre, dhe për shkak të këtij karakteri stihik në shtypin e vendit mungojnë informacione për qëndrimin e delegacioneve të Kosovë në Shqipëri.
3. Në bashkëpunimin arsimor – shkencor duhet që sa më parë t’i qasemi precizimit të kompetencave në këtë problematikë. Përndryshe, “Rilindja” – edicioni i botimeve të librave dhe Enti Krahinor i Mjeteve Arsimore duhet të merren vesh se kush nga ta është kompetent për blerjen e librave dhe mjeteve të tjera shkollore.
4. Pritet të zgjidhet çështja e formimit të komisionit apo trupave për dhënien e lejes për të huajt, që do të bëjnë hulumtime shkencore tek ne. Prandaj, duhet të pritet që një komision i karakterit shkencor shtetëror ta bëjë zgjedhjen e disa kërkesave për punë shkencore – hulumtuese, aftësim, specializim dhe përgatitjen e disertacioneve të magjistraturës dhe doktoratës në RP të Shqipërisë. Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë tashmë ka përgatitur projektpropozim për një kërkesë të tillë, realizimi i së cilës pritet paralelisht me rezultatet rreth sjelljes së vendimit të KEF-it, i cili, sipas mendimit tonë, do ta zgjidhë çështjen e sipërtheksuar për bashkëpunimin e Krahinës në lëmin e specializimit në vendet e jashtme.
5. Përvojat e kohëve të fundit, sidomos gjatë këtij viti, tregojnë se disa kuvende komunale (si Prishtina, Mitrovica, Gjakova dhe Peja) kanë filluar të konsiderojnë se nuk duhet të informohen organet krahinore për shkuarjen e disa grupeve në RP të Shqipërisë ose gjetiu.
6. Sipas vlerësimeve tona, thekson Hoti, nuk ka mundësi të zhvillimit të karakterit spektakolar të marrëdhënieve më RP të Shqipërisë, pos marrëdhënieve të karakterit të organizuar. Prandaj, pavarësisht faktit se akoma nuk është nënshkruar Programi i bashkëpunimit kulturor, duhet të mblidhen propozimet për bashkëpunim për vitin 1975 nga të gjitha institucionet kulturore dhe të përpilohet programi i brendshëm për bashkëpunim. Një propozim-program të tillë bashkërisht do ta shqyrtonin kryetari i Komisioneve për Marrëdhënie me Jashtë në Krahinë dhe i Sekretariatit Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
- Gjithashtu duhet të veprohet edhe në pikëpamje të bashkëpunimit sportiv me RP të Shqipërisë, si dhe të shqyrtohen mundësitë e zhvillimit të disa formave elementare të mbajtjes së garave ndërkufitare sportive. Mirëpo kjo gjë duhet rregulluar përmes rrugës diplomatike dhe jo përmes organizatave sportive.
7. Duhet të shmangen marrëveshjet individuale rreth shkuarjes në RP të Shqipërisë dhe të vihet në pah nevoja e konsultimeve me organet dhe institucionet përkatëse.
8. Më në fund, është koha të mendohet për dërgimin ose të ftohet një delegacion politik, i cili konkretisht do të konstatonte se çfarë mund të bëhet më tutje. Delegacioni do të shkonte në marrëveshje me Sekretariatin Federativ për Marrëdhënie me Jashtë dhe pas kthimit të delegacionit do të mund të saktësoheshin mënyrat e realizimit të bashkëpunimit kulturor me RP të Shqipërisë”.

Synimet për dinamizim marrëdhëniesh Kosovë-Shqipëri
Nga tezat kryesore të këtij dokumenti dhe propozim-masat që liston Ukshin Hoti si drejtues kryesor i një institucioni kompetent për marrëdhënie me jashtë, përkatësisht të Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, duket qartë se ai dëshironte ta shfrytëzonte hapësirën e krijuar për zhvillimin dhe dinamizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë, duke marrë parasysh si komplikueshmërinë e raporteve midis RSFJ-së dhe RP të Shqipërisë, si dhe qëndrimet rigjide dhe orientimet ideologjike dogmatike të udhëheqjes shqiptare. Po ashtu, si një vëzhgues i vëmendshëm dhe njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të zhvillimeve në Shqipëri, ai paralajmëronte se Tirana ishte në kërkim të mundësive të reja për një hapje graduale dhe të heqjes dorë nga politika e vetizolimit. Pa dyshim, marrëdhëniet me Kosovën ishin një shtysë e fuqishme për zgjerimin dhe thellimin e raporteve në rend të parë ekonomike të Shqipërisë me Jugosllavinë. Kështu, në raportet e tregtisë së jashtme të RP të Shqipërisë, RSFJ-ja zinte vendin e dytë ose të tretë, ndërkohë që Kina akoma ishte partneri i parë strategjik.
Gjithashtu, Ukshini Hoti angazhohej për një bashkëpunim të mirëfilltë institucional, duke shmangur në minimum vizitat dhe organizimet individuale që do t’u ngjanin më shumë organizimeve turistike sesa atyre me qëllim të bashkëpunimit arsimor-shkencor. Ai e shihte të domosdoshme që secili lloj i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të bëhej i organizuar, jo spontan e stihik. Në këtë mënyrë, ai synonte ta fuqizonte maksimalisht Sekretariatin Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, që në fakt ishte Ministria e Jashtme e Kosovës, dhe që Kosovës në fakt ia jepte imazhin e një entiteti me atribute shtetërore, edhe pse në ato kohë mjaft të limituara. Për më tepë, këto propozim-masa të Sekretarit për Politikë të Jashtme të Kosovës, sipas Ukshin Hotit, mbështeteshin edhe në Rregulloren mbi organizimin intern të Sekretariatit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, të hartuara në Prishtinë në vitin 1972, që sipas fushëveprimtarisë së tij realizonte një varg detyrash nga lëmi i marrëdhënieve me botën e jashtme e që rezultonin nga pozitat e Kosovës në krijimin dhe ekzekutimin e politikës së jashtme. Në këtë linjë, Kosova kishte të drejtën ligjore të zhvillonte aktivitete dhe marrëdhënie me vendet që ajo ishte e interesuar në mënyrë të veçantë, e në këtë kuadër pa dyshim hynte Shqipëria.
Identiteti i Kosovës në politikën e jashtme
Në këtë linjë, elita politike dhe kulturore në Prishtinë synonte përafrimin dhe hartimin e mëtejshëm të politikave e programeve të përbashkëta arsimore dhe zhvillimin e përbashkët të gjuhës letrare.
Nga tezat e Hotit dhe propozimet që ai ofronte për elitën politike kosovare është evidente se ai synonte që këtë bashkëpunim dhe marrëdhënie me Shqipërinë t’i përdorte për rritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, si dhe për rritjen e kohezionit gjithëkombëtar, si parakusht për afirmimin e kauzës së Kosovës dhe zgjidhjes së saj në rrethana të caktuara. Njëkohësisht, këto marrëdhënie i bënin mirë edhe Shqipërisë, pasi në këtë mënyrë elita intelektuale e Tiranës kishte mundësi të zgjeronte komunikimin dhe eksperiencat me elitën e re shqiptare në Prishtinë. Pa dyshim, formati i këtyre marrëdhënieve, edhe pse në një ambient kompleks të Luftës së Ftohtë dhe të ndërlikueshmërisë së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, shpërfaqte vizionin e Ukshin Hotit jo vetëm të çimentimit të komunikimit dhe afrimit ndërshqiptar, përmes shkëmbimit të pedagogëve dhe studentëve e literaturës, por edhe projektimin e një të ardhmeje të përbashkët. Në fakt, ky ishte edhe orientimi zyrtar politik i përfaqësuar nga shumica e elitës shqiptare dhe nga elita intelektuale në Kosovë, e cila përpiqej të shfrytëzonte çdo hapësirë të krijuar në kontekstin e zhvillimeve politike dhe gjeostrategjike rajonale dhe globale. Veç kësaj, ky dokument shpërfaq edhe natyrën unike të politikës së jashtme të Kosovës dhe fillimin e ndërtimit gradual të identitetit të Kosovës në politikën e jashtme. Ajo u çimentua duke u ballafaquar me vështirësi dhe duke vepruar në situata komplekse.

Karakteri i saj ishte i determinuar nga realiteti politik dhe juridik i Federatës jugosllave, si dhe nga qasja e veçantë e elitës politike kosovare në përmbushjen e prioriteteve, përkatësisht për integrimin dhe forcimin e kohezionit gjithëkombëtar në funksion të përballjes me sfidat e ardhshme. Mbi këto premisa dhe objektiva, Kosova ka ndërtuar marrëdhënie specifike me Shqipërinë në kontekstin e Federatës jugosllave, e cila përbëhej nga republika dhe dy krahina, të cilat në vitet ‘70 të shekullit XX fituan të drejta të gjera kushtetuese edhe në rrafshin e politikës së jashtme. Duke vepruar në këtë mjedis federal, Kosova arriti të ndërtonte një qasje të posaçme dhe të ndërmerrte nisma të guximshme dhe proaktive për zhvillimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe me vende të ndryshme të botës. Në këtë kontest federal, Ukshin Hoti dhe elita kosovare në përgjithësi ravijëzuan kornizat e politikës së jashtme dhe morën vendime madhore për thellimin dhe dinamizimin e marrëdhënieve me shtetin shqiptar, pavarësisht perceptimeve dhe botëkuptimeve të ndryshme ideologjike mbi sistemin ndërkombëtar.
Si rrjedhojë e këtij orientimi edhe eksportet e Kosovës drejt Shqipërisë shënuan rritje graduale, saqë pjesëmarrja e Kosovës në këmbimin e gjithmbarshëm të RSF të Jugosllavisë me RS të Shqipërisë në vitin 1978 kishte arritur nën 13,74 për qind. Ky intensifikim dhe zgjerimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë gjithsesi në radhë të parë ishte rezultat i orientimit të qartë të elitës politike dhe intelektuale të Kosovës, respektivisht ky sukses i detyrohet Ukshin Hotit si drejtues i Sekretariatit të Kosovës për Marrëdhënie me Botën e Jashtme dhe mendimit të tij politik largpamës.
Duke marrë në konsideratë këto specifika, Hoti angazhohej që këto marrëdhënie të ngriheshin, po ashtu, në shkallën e reciprocitetit, duke pasur parasysh, në këtë rast, edhe mundësitë e palës shqiptare. Pra, ishte e qartë se objektivi kryesor i masivizimit të komunikimit dhe të marrëdhënieve ndërshqiptare ishte konsolidimi i faktorit shqiptar, fuqizimi i identitetit nacional të shqiptarëve të Kosovës dhe etablimi i programeve të përbashkëta arsimore dhe zhvillimi i përbashkët i gjuhës letrare dhe i identitetit kombëtar. Natyrisht, realizimi i këtij synimi më vonë do të bëhej shtrati mbi të cilin u formësua edhe ideja për avancimin e statusin të Kosovës në nivel republike, të ngjashëm me statusin e republikave të tjera të Federatës jugosllave.
Edhe pse është dashur të jetë sinkron me kornizën politike të sistemit shtetëror të Jugosllavisë së asaj kohe, janë identifikuar në mënyrë subtile shtyllat e rëndësishme, vitale, për të adresuar interesin e popullit shqiptar në Kosovë. Në këtë kuadër është mbresëlënëse qasja largpamëse e Ukshin Hotit për lidhjen e hapësirës shqiptare Kosovë-Shqipëri edhe nëpërmjet linjës hekurudhore, e cila është riaktualizuar edhe gjysmë shekulli më vonë. Në këtë mënyrë ai u kundërvihej planeve jugosllave për reduktimin e lidhjeve hekurudhore vetëm në drejtim të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kështu, ai synonte që Kosova të bëhej pjesë e infrastrukturës rajonale dhe evropiane dhe si një nyjë e rëndësishme edhe e komunikimit ndërshqiptar dhe evropian. Marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë, sidomos në planin tregtar, arsimor dhe kulturor, i shërbenin edhe afrimit më të madh të Jugosllavisë me Shqipërinë, e cila në aspektin strategjik ishte mjaft e rëndësishme për Jugosllavinë, që shteti shqiptar të ruante pozitën e tij neutrale ndaj Bllokut të Lindjes dhe Perëndimit, sidomos pas ndërhyrjes ushtarake të sovjetikëve në Çekosllovaki, me qëllim që t’i parandalonte reformat politike në këtë shtet ( Paravera e Pragës).
Në të njëjtën kohë, synimet e prof. Ukshin Hotit ishin futja e Kosovën në hartën kulturore, akademike dhe ekonomike të rajonit dhe të Evropës, fillimisht përmes bashkëpunimit me vendet e rajonit evropian, me tendencë që në rrafshin rajonal Shqipëria të përdorej për konsolidimin e kohezionit të brendshëm kombëtar si projeksion për një zhvillim më të shpejtë ekonomik. Ishte e qartë se vizioni i Ukshin Hotit në politikën e jashtme ishte që Kosovën, e cila me Kushtetutën e vitit 1974 kishte mundësi për zhvillimin autonom në planin arsimor, ekonomik, sportiv dhe të politikës së jashtme, ta fuste në hartën kulturore, sportive dhe tregtare të rajonit dhe të Evropës. Në të njëjtën kohë, këtë marrëdhënie e konsideronte me interes edhe për vetë Shqipërinë, pasi e shihte si një mundësi të mirë për shpërthimin e izolimit të saj, e që, sipas tij, Tirana kishte dhënë shenjat e para.
Pa dyshim, për punën e madhe që ishte bërë në Kosovë atëbotë edhe në planin organizativ në realizimin e detyrave në lartësinë e kërkuar në aspektin e marrëdhënieve me jashtë dhe për kontributin e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, merita e veçantë i shkon Ukshin Hotit, i cili ishte jo vetëm titullari kryesor i Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, por njëkohësisht edhe njëri ndër politikanët dhe intelektualët e rrallë në botën shqiptare, por edhe në rajon, që mendimin e tij politik dhe intelektual e përdori ekskluzivisht për të vendosur themelet e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të një politike profesionale në Kosovë, si dhe për të mbrojtur dhe afirmuar të drejtën e vetëvendosjes të shqiptarëve të Kosovës. Prandaj edhe goditja e vazhdueshme e politikës së Beogradit kundër Ukshin Hotit, personalitetit të shumanshëm në historinë tonë kombëtare, nuk ka qenë e rastësishme, por pjesë e doktrinës antishqiptare, e cila, për fat të keq, deri më sot ka mbetur e padënuar, edhe pse bombat e NATO-s e ndëshkuan Serbinë më 1999.