Shtojca për Kulturë

Violeta Rexhepagiqi kujtohet si zë i ekstravagancës, ikonë e guximit

Kujtime për Violeta Rexhepagiqin

Përfaqësoi një botë shumëngjyrëshe në muzikë e në stil, bëri revolucion në rryma muzikore, e shumëngjyrësh kanë qenë edhe ambienti dhe kujtimet për Violeta Rexhepagiqin në mbrëmjen përkujtimore në dyvjetorin e vdekjes së saj. Pos si zë i ekstravagancës e ikonë e guximit, është kujtuar edhe si “New wave” e Kosovës, gruaja që u bë rrymë më vete në muzikë, ëndërrimtare e pazakonshme...

Këngët e Violeta Rexhepagiqit kumbuan në krejt hapësirën e “Defy Them”, të shtunën mbrëma, në ngjarjen që u organizua në përkujtim të gazetares dhe këngëtares revolucionare në shoqërinë kosovare. Dyvjetori i vdekjes së saj u shënua në një ambient shumëngjyrësh, pikërisht siç karakterizohej edhe vetë profili i saj në muzikë dhe jo vetëm, ku përpos në shpirtin e saj prej zonje e artisteje, ngjyrat shiheshin edhe në pamjen e jashtme të saj.

Se prezente aty ishte edhe vetë ajo, simbolikë qenë fotografitë dhe këngët e saj, në të cilat, prapë ngjyrat ishin ato që reflektojnë, si dukjen, ashtu edhe tingujt e këngëve të saj.

Kjo ngjarje mblodhi miq, adhurues të krijimtarisë së këngëtares e krerë institucionalë. Figura e këngëtares u vlerësua si një grua e guximshme për të sfiduar paragjykimet e thyer tabutë e shoqërisë, rebele, në të njëjtën kohë shumë e dashur, ekstravagante dhe e afërt, një talente e jashtëzakonshme, karriera dhe jeta e së cilës filloi para kohe. Violeta Rexhepagiqi edhe vdiq para kohe, në moshën 55-vjeçare, në mëngjesin e 16 prillit të vitit 2020. Por kujtimi për të gjëllin ende dhe mbrëmja përkujtimore qe dëshmi për këtë.

“New wave” e Kosovës

“Violeta si e vogël ka qenë tip ekstravagant, por për njerëzit ekstravagantë lidhet një perceptim se janë arrogantë dhe nuk janë socialë. Përkundrazi Violeta ka qenë shumë komunikative, shumë e këndshme, shumë e mirë. Shumica e fëmijëve në Kosovë jemi rritur me këngët e saj dhe e kemi adhuruar atë me prezantimet e saj që i ka pasur që në fëmijëri në ‘Akordet e Kosovës’ kur merrte pjesë ajo bashkë edhe me Armendin”, ka thënë producentja e sipërmarrësja, Linda Shala, mike e afërt e Violeta Rexhepagiqit.

Për miqtë dhe dashamirët e saj edhe dy vjet pas, Rexhapagiqi kujtohet si një ikonë, e cila solli revolucion më skenën muzikore dhe një qasje më ndryshe për brezat pas saj.

Shpërthimi i saj në ngjyra nuk ishte diçka shumë e pranueshme për mentalitetin e shoqërisë shqiptare, aq më pak kur ngjyra e njërës këpucë i dallonte nga tjera, teksa edhe ngjyrat e llojllojshme tek flokët e saj flisnin aq shumë për shpirtin rebel që solli një frymë, stil e thyerje e mentalitetit të shoqërisë patriarkale. Një shfaqje e Violetës në atë kohë që edhe pasi kalojnë vite nga ajo e saja, sot ende shoqëria mbetet nën hijen e frikës së paragjykimeve të tilla. Ajo theu tabutë e asaj kohe dhe solli stilin e dukjes dhe muzikës si një hap i madh për rininë pasardhëse të saj.

“‘New wawe-in’ në muzikën në Kosovë pas atyre këngëve të lehta qytetare e ka sjellë Violeta, definitivisht. Spotet e pikave muzikore zakonisht xhiroheshin në studio televizive, vinte bendi, këngëtari, spotin e parë muzikor realisht e ka bërë Violeta, por e ka bërë vetë, pasi ka qenë talente, e ka ideuar, xhiruar, ka qenë një pishtare. Këta pishtarët e parë gjithmonë digjet shumë shpejt dhe përfitimet i marrin të tjerët dhe përfitojnë nga rebelimi i tyre”, ka thënë Shala, teksa ka vlerësuar se ideja dhe përkushtimi i Violeta Rexhepagiqit ka sjellë një qasje ndryshe për programet e rinisë në atë kohë.

Pionierja e rrymave muzikore

Organizimi i kësaj ngjarjeje është përkrahur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar se Violeta Rexhepagiqi ka sfiduar frymat e asaj shoqërie, duke u kthyer vetë ajo në një frymë të re, por jo vetëm.

“Violeta Rexhepagiqi është një nga emrat më të njohur te skenës sonë, jo vetëm muzikore, por shumë më shumë se aq, një personaliteti i fuqishëm, që ka qenë pjesë e shumë ndryshimeve që kanë ndodhur në vendin tonë, një nga ato figura të pakta, që duke u vënë kundër rrymës dhe frymës konvencionale, ka arritur vetë të shndërrohet në frymë dhe rrymë, është përfaqësuese e denjë dhe pioniere e rrymave të muzikës”, ka thënë ministri Çeku.

Shumë ikona të kulturës shqiptare janë shuar ndër vite, krijimtaria e të cilëve në vete përbën një art të mirëfilltë dhe ngërthen në vete origjinalitetin e asaj kohe. Për ruajtjen dhe dokumentimin e kësaj trashëgimie artistike, ministri Çeku e ka përmendur edhe njëherë themelimin e një institucioni që i shërben një gjëje të tillë, që, sipas tij, kjo mund të ndodhë edhe këtë vit.

“Ne jemi duke punuar në themelimin e Institutit Kulturor të Kosovës, që do të jetë një qendër dokumentimi kulturor dhe që për herë të parë do të krijojë një lloj arkivi me veprimtarinë, krijimtarinë, me gjithë çfarë kanë lënë prapa emrat e njohur të artit në vendin tonë, e cila pastaj do të jetë qendra më e rëndësishme ku dokumentohet puna dhe krijimtaria artistike e këtyre emrave, por në të njëjtën kohë edhe shërben si bazë për studime, promovime dhe projekte të tjera në të ardhmen. Besoj që gjatë këtij viti do të kemi veprime konkrete rreth formimit të Institutit Kulturor të Kosovës”, ka thënë ai.

Image
Këngët e saj në sfond kanë fuqizuar zërin që nuk shuhet kurrë...

Ëndërrimtarja e pazakonshme

Këngëtarja e gazetarja Rexhepagiqi u vlerësua edhe si aktiviste e jashtëzakonshme urbane, duke e vendosur vetën si “peng” i ndryshimit në shoqëri përballë çdo paragjykimi.

“Violeta ka pasur guxim të jetë ndryshe, të jetë origjinale, të jetë vetvetja, të ëndërrojë e të bëjë gjëra jashtë asaj të zakonshmes. Prishtina si kryeqytet e reprezenton në njëfarë mënyre shpirtin e Violetës, vendi ku jemi këtu është në një mënyrë pjesë e shpirtit të Violetës. Ajo është një brend, ikonë e kryeqytetit në aspektin e muzikës dhe e guximit për të qenë ndryshe”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, teksa guximin se përse Prishtina ka arritur të ndryshojë ia jep meritë energjisë së Violeta Rexhepagiqit, për të transferuar rininë e këtij qyteti.

Portretet ikonike të saj janë përzgjedhur në shënimin e një dite që përkujton humbjen e madhe për skenën kulturore, teksa i gjithë ambienti i “Defy Them” qe veshur në po ato ngjyra që e shoqëruan gjithë jetën Rexhepagiqin.

“Sot e përkujtojmë artisten tonë të madhe, Violetën, e cila ka dhënë shumë për skenën tonë kulturore, e aq më shumë ka qenë pararendëse ose avangardë e gjithë kulturës sonë”, ka thënë udhëheqësi i kësaj qendre, Ilir Dalipi.

Violeta Regjepagiqi u lind më 16 prill 1965. Ka interpretuar rreth 40 këngë e ku zëri i saj u përdor po ashtu në shumë radio-drama për fëmijë e që më vonë në vitin 1984, bashkë me vëllain e saj, Armend Rrexhepagiqi, themeluan bendin “Vivien”, emër ky i bazuar në atë të aktores së saj të preferuar, Vivien Leighu.

Grupi mori pjesë në garat e famshme të asaj kohe, “Stereovizija” (Zagreb) e “Hit meseca” (Beograd). Në vitin 1986, si 21-vjeçare, ajo mori pjesë në përzgjedhjen e këngës që do të përfaqësonte Jugosllavinë në “Eurovision”.

E kënduar në shqip, kënga “Nora” e renditi atë të shtatën në ranglistë.

“Ka qenë shumë e bukur dhe tragjike”, e kujtonte këtë situatë shumë vite më vonë. “A ka më keq se sa kur dëgjon prej anëtarëve të jurisë që pyesin se a mundet kënga shqipe ta përfaqësojë Jugosllavinë në ‘Eurovision’? Ishte zhgënjim aq i madh dhe ti e di që je ajo”.

Edhe në edicionin tjetër për “Eurovision”, ajo prapë mori pjesë në garë me këngën “Nuk të harroj”, e cila u rangua në vendin e 20-të.

Pas uzurpimit të Radiotelevizionit të Prishtinës në kohën e masave të dhunshme të Serbisë, edhe Rexhepagiqi pati fatin e qindra mijëra shqiptarëve që u flakën në rrugë, por shpejt ajo nisi punë si korrespondente e “TV Sky News” për t’u angazhuar edhe në agjenci lajmesh, si “News Network” e “WTN”.

Profesionin e saj e kishte përshkruar si tejet të vështirë.

“Ishte shumë e vështirë, sepse njerëzit asokohe nuk ishin të mësuar që femrat të jenë gazetare”, tregonte Rexhepagiqi për punën e saj në terren.

Në një intervistë të para disa vjetëve, ajo kishte evokuar një rast se si i kishte shpëtuar demonstruesit shqiptarë, ndërsa ishte duke xhiruar në rrugë.

“Shpesh më ka ndodhur të isha e pranishme edhe në demonstrata. Atyre që ishin aty iu thosha që ta kthejnë kokën në anën tjetër, në mënyrë që të mos iu shihej fytyra. Kishte shumë gazetarë që i xhironin fytyrat dhe pastaj policia i burgoste. Duhej të kisha kujdes në këtë profesion që të mos iu sillje të këqija njerëzve”, kishte thënë ajo.

Vitet në vijim do ta shpinin atë edhe në fronte të nxehta të luftës. Kështu në bagazhin e saj gazetaresk janë reportazhe “vivide” nga Vukovari, Spliti e vende të tjera të luftës, ashtu sikundër edhe intervista me kriminelë lufte, si Zhelko Razhnatoviq, i njohur si “Arkan”, ish-diktatorin irakian, Saddam Hussein e të tjerë.

Në artikullin “Mozaiku dhe gjurmët që nuk shlyhen”, të botuar në “KOHA”, si fejton në vetën e parë, në tetor të vitit 1994, Rexhepagiqi kishte rrëfyer me ngjyra të gjalla për bombardimin e qytetit të Splitit nga forcat serbe, por edhe përvoja të tjera.

“Ishim të vendosur në hotelin ‘Split’, atë natë kur nga orët e mesnatës më zgjuan nga gjumi detonimet aq të forta, aq që nga fuqia e tyre e madhe filloi të ‘lëvizë’ çdo gjë në dhomë, thuajse është tërmet i shkallës më të lartë të Rihterit. Duke u mbajtur për muri dhe për pjesët e tjera të mobileve, ia dola që t’i afrohem dritares. I tërë mundi im ishte i kotë, sepse terri e kishte mbështjellë Splitin, andaj nuk lejonte dëshmitarë”, kujtonte në atë seri shkrimesh. Gjatë kësaj kohe, ajo kishte intervistuar edhe kriminelin serb, “Arkanin”.

Duke rrëfyer vite më vonë, Rexhepagiqi kishte thënë se nuk kishte ditur si të reagojë kur ishte takuar me të.

“Aty tha se me Kosovën do të ndeshemi në fund, Kosova do të ketë luftë kurdo”, kujtonte Violeta fjalët e kriminelit serb.

Përveç punës së saj në RTK, Viki, siç e njihnin miqtë, ishte tërhequr nga jeta publike. Me të rrallë ndonjë intervistë për media, artistja dukej sikur po mjaftohej me vetminë. Sepse si e vetmuar edhe kishte mbërritur majat në një kohë që pak e kuptoi.

Por si një thirrje për ta kuptuar e ruajtur artin e saj ka qenë edhe ngjarja në dyvjetorin e vdekjes së Violeta Rexhepagiqit, mbajtur në një vend që para gati dhjetë ditësh është “ringjallur” si Qendër e Kulturës Alternative dhe zë vend në strehimoren e dikurshme në “Breg të Diellit” të lënë për disa vjet në harresë.

Perlat që zbukuruan krijimtarinë e elitës muzikore shqiptare, edhe pse të pavdekura, u rikthyen në dyvjetorin e ikjes fizike nga kjo botë të muzës kosovare. Nën interpretimin e Diana Toskës, këngët “Hëna”, “Nuk të harroj” dhe ‘coveri’ që Rexhepagiqi e ka sjellë në shqip “Do të mbijetoj”, sollën atmosferën e një rilindjeje të këngëtares, e cila mbi të gjitha, është e përjetësuar thellë në memorien e çdo artdashësi, e në historinë e ndryshimeve në vendin ku jetoi.