Shtojca për Kulturë

Vinçenc Gjini – figurë e shquar e muzikës shqiptare

Kompozitor, pedagog dhe figurë e shquar e muzikës shqiptare. Kompozitor i stilit nacional, besnik i formës klasike me tingëllimë neo-romantike. Kultivues i traditës muzikore popullore shqiptare dhe asaj kishtare, studiues i artit muzikor dhe autor i një vargu veprash të gjinive dhe formave të ndryshme muzikore

Kur flasim për personalitete të shquara të krijimtarisë muzikore si pjesë e kulturës shqiptare, gjithnjë duhet të kemi parasysh faktin se ato personalitete me veprimtarinë e tyre paraqesin figurat më të shquara të universit tonë muzikor. Një ndër këto është padyshim figura e kompozitorit dhe pedagogut Vinçenc Gjini.

Gjini vinte nga një familje qytetare (nga Ferizaj) që e kishte traditë kultivimin e muzikës popullore dhe kishtare, andaj qysh në fëmijëri kishte treguar talentin dhe interesimin e tij të veçantë për muzikën. Pas përfundimit të shkollës së mesme të muzikës në Prizren (gjenerata e dytë e të diplomuarve në atë shkollë 1953/54), ai shfaqi dëshirën për të vazhduar studimet e mëtutjeshme për muzikë, (dëshirë që iu realizua). Në vitin 1958 kishte përfunduar studimet e larta muzikore në Akademinë e Muzikës në Beograd (Dega e Teorisë së Muzikës), për të vazhduar më tutje edhe studimet postdiplomike (Teori dhe Kontrapunkt) duke u bërë kështu magjistër i parë i shkencave muzikore në Kosovë. Dëshira dhe vullneti i madh që kishte për muzikën, e shtynë atë që të vazhdonte studimet edhe më lartë. Në vitin 1979, kishte mbaruar edhe shkollën Superiore muzikore në Shkup (në Degën e Kompozimit - prof. Tome Zogravski). Pas mbarimit të studimeve ishte kthyer në Kosovë duke kontribuar intensivisht në gjallërimin dhe intensifikimin e aktiviteteve dhe krijimtarisë muzikore (që asokohe në Kosovë ishte mjaft e zbehtë). Fillimisht kishte punuar në Radio Prishtinë, më pas në Katedrën muzikore pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike (1963-1975), e më pas në Akademinë e Muzikës – Fakulteti i Arteve në Prishtinë (1975-1991). Përveç punës edukativo-arsimore, si një muzikant i gjithanshëm dhe i palodhshëm ishte marrë edhe me punë organizative dhe udhëheqëse. Ka qenë udhëheqës artistik muzikor i Ansamblit “Shota” (1963), udhëheqës i Shoqërisë Kulturore Artistike “Ramiz Sadiku” të studentëve të Universitetit të Prishtinës (1964), si edhe anëtar i korit “Collegium Cantorum”. Nga viti 1993, për arsye të njohura të situatës në Kosovë, ai u detyrua që të shpërngulej për në Buje – Istër të Kroacisë, ku jetoi deri në frymën e tij të fundit.

Vinçenc Gjini si njëri ndër krijuesit e brezit të dytë të kompozitorëve në Kosovë (ndarje brezash sipas muzikologut E. Berisha), ishte krijues i frytshëm në historinë e muzikës shqiptare dhe autor i një vargu të madh veprash të gjinive dhe formave të ndryshme. Opusi i tij krijues është mjaft i gjerë e i larmishëm dhe pothuaj i përfshin të gjitha gjinitë muzikore. Ai krijoi vepra në lëmin e muzikës vokale, instrumentale, vokalo-instrumentale e sakrale, të inspiruara shpeshherë nga melodia e muzikës nacionale shqiptare, sepse frymëzimin dhe inspirimin më të madh e gjente në gurrën dhe vatrën e muzikës popullore. Faktura e veprave simfonike është e qartë, duke mos i kaluar kufijtë e simetrisë klasike dhe harmonive neo-romantike ndërsa temat muzikore janë ose tema të invencionit origjinal ose tema të invencionit të muzikës popullore shqiptare të cilat ai i ka përdorur si të tilla ose të shkrira në fuqinë e tij krijuese. Nga krijimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme veçohen disa vepra që Gjinin e bëjnë kompozitor të madh dhe të veçantë. Në mesin e më të popullarizuarave është kënga korale “Blegëron delja”, njëra ndër përpunimet më të famshme të muzikës popullore (mbi 500 sosh). Cikli i këngëve solo “Letrat” botuar në vitin 1973 shkruar sipas vargjeve të poetit shqiptar, Ibrahim Kadriu, është padyshim njëra ndër krijimet më të famshme dhe me vlera antologjike në tërë krijimtarinë muzikore shqiptare. Krijimtarinë e tij e pasurojnë edhe veprat e muzikës vokalo-instrumentale si kantatat “Vatra e urtësisë”, “Të duam liri”, “Ramiz o vëlla”, “Udhëkryqet e jetës” e të tjera. Vepra orkestrale “Simfonieta in D” vepër e parë e këtij lloji në Kosovë e kompozuar në vitin 1977 është vepër orkestrale e shkruar për formacion të vogël të orkestrës simfonike me përbërje orkestrale si tek orkestrat klasike të Hajdnit. Pastaj vijnë 4 Simfonitë, si dhe një varg veprash të tjera. Sukses i vlerësuar (sidomos nga prijësit e kishës katolike) ka qenë edhe botimi i veprës kapitale kishtare me titull: “Eja t’i këndojmë Zotit” vëllimi I dhe II. Veprat e tij janë ekzekutuar nga solistë dhe ansamble të ndryshme duke filluar nga Orkestra Simfonike e RTP-së, Filharmonia e Tiranës, e Kosovës, e Beogradit, e Maqedonisë, madje veprat e tij janë interpretuar edhe në Kroaci, Angli, Norvegji, Gjermani, Rumani, Zvicër, Austri, Amerikë etj. Arti krijues i kompozitorit Vinçenc Gjini konsiston në krijimin e shumë parametrave artistikë, krijimtari që shquhet, para së gjithash, me kompleksitetin e realitetit brenda një universi muzikor shumështresor. Për të plotësuar figurën e tij nga shumë aspekte krijuese, morale, estetike, artistike etj. përmes veprave të tij, futemi në rrethin vicioz të tij, duke vërejtur eksperiencën krijuese dhe jetësore, si rezultat të imazheve të tija muzikore. Nëse do t’i vlerësojmë ato nga aspekti i diskursit të drejtpërdrejtë, në krijimtarinë e tij do të gjejmë një gjuhë të shprehjeve politonale precize muzikore, harmoni të sintetizuara, ritme të gjalla dhe të paimponuara, një arkitektonikë të qartë të formës, që paraqet rrjedhojë të gamës së pasur dhe të gjerë të fenomeneve estetike. Elementet estetike në muzikën e tij si kohezion, jo vetëm emocional, por edhe moral i shpirtit të tij artistik, i hasim në përkime që paraqesin ndjenja refleksive të një idealit estetik, që V. Gjinin e veçojnë nga krijuesit e tjerë kosovarë. Edhe pse diskursi mbetet i fokusuar në komunikimin e fuqishëm, me një gjuhë të qartë dhe pa tendenca kah trendët modernë botërore të avangardës inovative, siç veprojnë disa nga bashkëkohësit e brezit të tij (e.g., Akil M. Koci), në veprat e tij vërehet një invencë krijuese, plot pastërti stilistike. Konteksti dhe thelbi estetik në veprat e tij paraqesin një sintagmë të gjerë, e cila integrohet me sukses në vizionin e gjerë të artit muzikor shqiptar, duke u shfaqur si interaksion dinamik me universin kulturor bashkëkohor.

Prishtinë, 24 shtator 2022

Kristina Perkola (PhD. Cand), është muzikologe