“Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870-1914. Berichte der Österreich-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan”, më duket një përgjigje e mirë ndaj të gjitha përdorimeve të dokumentit dhe të tendencave për të “rithemeluar” historinë pas përmbysjeve ideologjike që kanë ndodhur ndërkohë: kemi këtu në 4 libra të gjitha raportet e konsujve austro-hungarezë për Kosovën nga Vilajeti i Kosovës. Raportet e konsujve janë dhënë në origjinalin e tyre, shumica gjermansiht, por ka dhe frëngjisht e italisht. Një pjesë e raporteve janë njoftime ditore të konsujve për çka kishte ndodhur në hapësirën që ata mbulonin, por shumë shpesh ka ndër to dhe analiza të thelluara të situatës, të raporteve midis vepruesve të ndryshëm shoqërorë dhe parashikime se nga mund të lëvizin gjërat
Miq dhe kolegë të nderuar, sot po përurojmë një botim shumë të rëndësishëm të Akademisë së Shencave të Austrisë lidhur me Kosovën: “Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870-1914. Berichte der Österreich-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan, (Politikë dhe shoqëri në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Njoftime të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani Qendror), vëll. I-V, Wien 2020, me gjithsejtë mbi 2408 faqe, përgatitur nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz në bashkëpunim dhe me Sven Mörfsdorf, në pesë vëllime, prej të cilëve i fundit përfshin aparaturën kritike të botimit, shënimet e ndryshme për dokumentet, pasqyrën e dokumenteve, shënimet për vendet, për autorët e raporteve, etj.
Akademia e Shkencave e Austrisë është ndër institucionet europiane që më së shumti janë marrë me studimin e çështjeve të Ballkanit e në këtë kuadër edhe me çështjet shqiptare, me historinë, me shoqërinë, me kulturën, me gjeografinë, me gjuhën e me antropologjinë e tyre dhe ka bërë botime me vlerë. Balkan Komission i njohur gjithandej i kësaj Akademie ka ndërmarrë veprimtari të ndryshme hulumtuese, ka bërë raporte dhe ka botuar vepra shkencore. Sot, pas reformimeve, është krijuar një institut që konceptualisht është menduar për studime ballkanike, por që në fakt merret intensivisht me albanologji (aty janë përfshirë: Oliver Jens Schmitt, Michael Matzinger, Robert Pichler, Konrad Petrovszky, pastaj edhe Stefan Schumacher e të tjerë). Në kuadër të bashkëpunimit me këtë Institut nga Akademia jonë kemi marrë pjesë dy herë me konferenca shkencore dhe përurim botimesh të ASHAK (veprat e W. Fiedler-it dhe të Jokl-it të botuara nga ASHAK). Nga viti 2006 ASHAK-u ka marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Austrisë dhe sot kemi kënaqësinë të përurojmë para opinionit shkencor një vepër të madhe të saj.
Autorët e botimit janë: Oliver Jens Schmitt, anëtar i rregull i Akademisë Austriake, Kryetar i Komisionit për Shkencat Shoqërore dhe anëtar i Kryesisë, profesor i Universitetit të Vjenës për historinë e Europës lindore, anëtar i jashtëm i ASHAK-ut nga viti 2012 (kjo nuk thuhej në media këto ditë), autor i veprave të shumta, ndër të cilat përmenden:
2001 Das venezianische Albanien (1392–1479), München 2001 (shqip 2007);
2005 Levantiner - Lebenswelten und Identitäten einer ethnokonfessionellen Gemeinschaft im osmanischen Reich im “langen 19. Jahrhundert”. München 2005 (frëngjisht 2007).
2008 Kosovo: kurze Geschichte einer zentralbalkanischen Landschaft, Vienna, 2008.
2011 Korčula sous la domination de Venise au 15e siècle, Paris 2011 (e-book).
2012 Die Albaner – eine Geschichte zwischen Orient und Okzident, 2012, bot. i dytë 2018 (shqip 2012; italisht 2020).
2014 Skanderbeg – der neue Alexander auf dem Balkan, Regensburg 2009 (shqip 2008, rumanisht 2014).
2016 Căpitan Codreanu – Aufstieg und Fall des rumänischen Faschistenführers. Wien 2016 (rumanisht 2017).
2018 România în 100 de ani, Bukarest 2018.
2019: Der Balkan im 20. Jahrhundert. Eine postimperiale Geschichte, Stuttgart 2019 (përkthyer italisht 2021, rumanisht 2021, shqip 2022)
Ka përgatitur për botim vëllime të mëdha përmbledhjesh të studimeve për historinë e Europës Juglindore, për Europën e rajoneve, etj. Studimet e tij shquhen për vështrimet e zhvillimeve në kontekste më të gjera europiane e ballkanike me mbështetje në analizat historike, në dokumentacionin sa më të plotë, për vështrimet e gjithanshme dhe sidomos për pyetjet dhe çështjet e diskutueshme, për çka shpesh ka ngjallur diskutime. Me një fjalë, në perceptimin e ne johistorianëve fjala është për një studiues që jo vetëm sjell njohje pozitive për çështjet me të cilat merret, po edhe ngre diskutime e çështje të ndryshme, nxit debate. Opinioni shkencor shqiptar gjithandej është i njoftuar me veprimtarinë shkencore albanologjike të O. J. Schmitt-it: deri tash janë përkthyer veprat e tij “Arbëria Venetike” (Tiranë), “Kosova” (Prishtinë), “Skënderbeu” (Tiranë), “Shqiptarët” (Tiranë) dhe tash “Ballkani në sh. XX” (Prishtinë). Në të gjitha veprat e tij bie në sy begatia e materialeve arkivore, shqyrtimi dhe analiza kritike e tyre. Në ASHAK në bashkëpunim me profesor Schmitt-in synohet realizimi i projektit për Hasan Prishtinën si figurë shumëdimensionale politike, për çka tashmë është mbledhur një pjesë e materialit arkivor.
Eva Anne Frantz është studiuesja tjetër historike e hapësirës së Europës Juglindore, poashtu me studime në Mynih, edhe në departamentin e gjuhës shqipe (vitet '97-'99), pjesëmarrëse e Seminarit të Prishtinës, studiuese e shquar për historinë e çështjeve shqiptare. Më 2016 ka botuar librin “Gewalt und Koexistenz. Muslime und Christen im spätosmanischen Kosovo (1870-1913)” (Dhunë dhe bashkekzistencë. Myslimanë dhe të krishterë në Kosovën e vonë Osmane) te Degruyter Oldenburg, në 430 faqe, ku merret pikërisht me hapësirën dhe kohën për të cilën janë përfshirë raportet që kemi në botimet përpara. Kemi të bëjmë me dy njohës të shquar të materies arkivore në përgjithësi, po edhe të arkivave austro-hungareze në veçanti. Bashkëpunëtori i tyre Sven Mörsdorf është po ashtu studiues me interesa për Ballkanin dhe Europën Juglindore dhe njohës i arkivave.
Vëllimet që kemi përpara sjellin raportet e konsujve austrohungarezë kryesisht nga Kosova/ Vilajeti i Kosovës – konkretisht nga Prizreni, Shkupi, Mitrovica, po ndonjëherë edhe nga Manastiri, Shkodra, Selaniku, Beogradi, Vjena a Stambolli. Pra kemi një përkufizim të parë territorial: “Vilajeti i Kosovës” nga viti 1918 e deri në fund të perandorisë Osmane, përfshirë dhe dy vitet e turbullta ballkanike nën sundimin serb pastaj. Vilajeti i Kosovës ngërthente një hapësirë pak më të gjerë se Republika e Kosovës sot – Sanxhakun e Jeni Pazarit (sot në Serbi/ Mal të Zi), Plavën e Gusinë në Malin e Zi, Preshevën dhe luginën në Serbi dhe pjesë të hapësirës veriperëndimore të Maqedonisë së sotme të Veriut. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një prej pjesëve më të rëndësishme të Turqisë Europiane në fazat e saj të fundit.
Kjo vetvetiu do të thotë se në këto vështrime raportimesh të gjera janë përfshirë interesa dhe raporte politike, ekonomike e të tjera, që popullin shqiptar shumicë të kësaj hapësire e ndërlidhin me të tjerët – serbët, bullgarët, myslimanët sllavë, malaziasit dhe organizimet përkatëse brenda vendit në raport me administratën osmane, në një anë, po edhe në raport me shtetet pretenduese përreth – të Serbisë, të Bullgarisë, të Malit të Zi. Nuk do harruar po ashtu në këtë rast interesimi i fuqive të tjera të mëdha – i Rusisë, i Italisë, po edhe i Francës, Gjermanisë e Britanisë, e sidomos i Austro-Hungarisë. Përveç burimeve të drejtpërdrejta të administratës osmane, të cilat nuk janë zbardhur në tërësi ende, për historinë e kësaj periudhe të Kosovës kanë vlerë edhe raportimet e konsujve rusë të pranishëm qysh atëherë, raportimet e burimeve italiane, të konsujve serbë, të burimeve bullgare, e të tjera, të cilat për një pjesë tashmë janë botuar, por mund të ketë ende për të zbardhur. Duket që raportimet e konsujve austrohungarezë si përnga intensiteti, ashtu edhe përnga cilësia e analizave, duken sipërore në raport me të tjerat.
Të gjithë i kanë pasur interesat e tyre të drejtpërdrejtë apo të ndërmjetmë në këto hapësira. Sigurisht që aspekti më i rëndësishëm për këto zhvillime është ai i pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë, e që janë shqiptarët, edhe pse më i munguari. Për të krijuar pasqyrën objektive për gjendjen dhe zhvillimet në këtë hapësirë të kësaj kohe është e nevojshme të merren parasysh të gjitha këto burime. Një pjesë prej tyre tashmë janë botuar, ndonjëherë vetëm në fragmente, apo me përzgjedhje të interesuar, herë të tjera më të plota, ndonjëherë vetëm në përkthime, që nuk e japin mundësinë e verifikimit, etj. Është legjitime dhe e drejtë kërkesa që, sipas mundësisë, për të krijuar pasqyrën e plotë për zhvillimet dhe gjendjen në Kosovë në këtë kohë, të botohen të gjitha këto materiale burimore, në mënyrë që pastaj të jemi në gjendje të gjykojmë duke marrë parasysh dhe interesat që përfaqësojnë burimet përkatëse, po edhe vetë gjendjen dhe zhvillimet në vend. Kështu bëhet e mundshme të evitohen gjykimet e shpejtuara, ndonjëherë të mbështetura ekskluzivisht në interesat e një mjedisi, kuptohet, edhe për ne që nuk jemi historianë të papranueshme, siç ishte rasti me librin e Teodora Toleva “Ndikimi i Austro-Hungarisë në formimin e kombit shqiptar 1896-1908, disertacion i mbrojtur në Barcelonë, u botua gjermanisht në Klagenfurt-Vjenë-Lubjanë më 2013, u përkthye bullgarisht menjëherë dhe serbisht me 2016, shqip në Tiranë më 2018, me komente si ato të akademikut bullgar Markov për themelimin, ndërtimin, konstruksionin, për t'u dukur më modern me termin e Gellner-it, të kombit shqiptar nga Austro-Hungaria (Markov thoshte: katër kombe në Ballkan kanë banenjtë e tyre: turqit – Ataryrkun, maqedonasit dhe boshnjakët – Titon, ndërsa shqiptarët Austro-Hungarinë). Dhe tërë kjo propagandohej në emër të një “pozitivizmi” të ri të mbështetur në “të vërtetat” që gjen autori përmes dokumentave të selektuar, apo në raste të tjera të interpretuar, me synimin që të hidhet poshtë e tërë hisotirografia “zyrtare” për shqiptarët, që, sipas saj, na qenka ajo e S. Skendit, e P. Bartl-it e D. Schanderl-it, të cilët po ashtu i kanë pasur parasysh dokumentat në fjalë. Nuk ka dyshim se libri në fjalë i autores që nuk rron më u shpërdor në mjedise të interesuara për Kosovën, në Serbi e Bullgari, siç shihet dhe nga reagimet në rrjete.
Botimi që kemi përpara më duket një përgjigje e mirë ndaj të gjitha përdorimeve të dokumentit dhe të tendencave për të “rithemeluar” historinë pas përmbysjeve ideologjike që kanë ndodhur ndërkohë: kemi këtu në 4 libra të gjitha raportet e konsujve austro-hungarezë për Kosovën nga Vilajeti i Kosovës. Raportet e konsujve janë dhënë në origjinalin e tyre, shumica gjermansiht, por ka dhe frëngjisht e italisht. Një pjesë e raporteve janë njoftime ditore të konsujve për çka kishte ndodhur në hapësirën që ata mbulonin, por shumë shpesh ka ndër to dhe analiza të thelluara të situatës, të raporteve midis vepruesve të ndryshëm shoqërorë dhe parashikime se nga mund të lëvizin gjërat. Aspektiu i fundit merr peshë sidomos kur e dimë se shpesh përfaqësuesit e tillë konsullorë ndërlidheshin apo ishin të zhytur në zhvillimet politike në vend në forma të ndryshme. Në aspektin e njohjes së gjendjes së Vilajetit në atë kohë, të dy këto procedime kanë rëndësi jo të vogël. Përfshirja e të gjitha raporteve e përjashton seleksionimin e interesuar të dokumenteve, që jo rrallë ngjet në vështrimet historiografike. Njëherësh ato e shtrojnë nevojën e njohjes dhe të dokumentave të tjerë përreth.
Raportuesit janë konsuj të Austro-Hungarisë, që kanë marrë edukim dhe përvojë që mbështetet në interesat e kësaj Perandorie shumënacionale. Përtej instruktimit që duhet të ketë qenë i ngjashëm dhe që, sipas raporteve, duket të ketë qenë shumë cilësor sa i përket vrojtimit dhe interpretimit të raporteve shoqërore, duhet të kemi parasysh dhe faktin po ashtu me rëndësi se karakteri shumënacional i perandorisë dykrerëshe lejonte mundësinë e ndërhyrjes në raportime të atilla dhe të interesave pak më specifikë të raportuesve-analizuesve sipas përkatësisë së tyre. Bie në sy se këta raportues, përfaqësues të shtetit të Austro-Hungarisë, shpesh janë nga hapësirat e tjera, që ose ishin pavarësuar si shtete, ose ishin në procese politiko-shtetërore që mund t’u interesonin specifikisht zhvillimet në këto pjesë të Ballkanit. Ndeshim aty konsuj që vijnë nga hapësirat sllovene, çeke, polake, hungareze, rumune, madje serbe apo kroate, përbri të tjerëve. Kuptohet që raportet u drejtoheshin zyrtarëve të lartë të ministrisë së jashtme. Megjithatë, kam vërejtur se mund të ndërlidheshin dhe interesa të tjerë. Duke kërkuar në këtë arkiv për aspektet kulturore si Komisija Letrare e Shkodrës, kam ndeshur një letër të panënshkruar nga një ushtarak austriak që i drejtohej eprorit në Vjenë me vrojtimin se në strukturat komanduese në terren kishte shumë zyrtarë që shqiptarëve u drejtoheshin në gjuhët sllave të jugut. Shpjegimi që kishte marrë – ata e kuptojnë, nuk i kishte mjaftuar atij dhe shtronte pyetjen: ku shpie kjo? Për të evituar paqartësitë e këtij lloji hartuesit e këtyre përmbledhjeve kanë zgjedhur t’i japin lexuesit shënime të shkurta biografike për secilin raportues dhe për marrësit e tyre. Me shënime të këtij lloji është mbushur vëllimi V i botimit.
pas leximit të tërë këtij materiali mbetet e nevojshme që për të nxjerrë përfundime me rëndësi për gjendjen, të shihen dhe materialet e tjera, të përmendura më sipër, apo letrat, shkresat e reagimet e vetë shqiptarëve, sikurse edhe vetë zhvillimet në terren. Në ndënjë botim, ta zëmë, në bazë të dokumenteve të kësaj provenience janë nxjerrë dhe përfundime për shkallën e mungesës së vetëdijes kombëtare/ etnike te banorët e Vilajetit në atë kohë. Por harrohet se mbetet e vështirë në atë rast që mbi baza të atilla të shpjegohen organizimet si ai i Lidhjes së Prizrenit, i Lidhjes së Pejës apo shpërthimet e mëdha, që ndodhin në vitet 1908-1910. Me këtë ndërlidhet dhe supozimi se procese të dhunës në rajon do të kenë lindur specifikisht pas viteve ‘70 dhe pas shpërnguljes së muhaxhirëve nga Sanxhaku i Nishit 1878. Kuptohet që lëvizje të atilla të popullsisë do të kenë krijuar shqetësime. Por lëvizje të atilla ka pasur dhe më herët, qoftë drejt veriut, qoftë e kundërta. Kështu etnologu dhe historiani serb Tihomir R. Ðorđević në “Arhiv” të Barić-it, libri I, 1-2, ff. 197-201, 1923, raportonte për arnautët në Serbi në kohën e Knez Miloš-it (1815-1839) dhe për proceset e dëbimit të tyre nga qyteti Aleksinac drejt Nishit e Leskovcit e më tej në Arnautlluk, përmes dhunës, përmes blerjes së pronave nga shteti, etj. Fjala ishte për lagje të tëra, të cilat mund të kishin ardhur andej nga Gollaku duke kërkuar një jetë më të mirë. Një pjesë e madhe e atyre muhaxhirëve në vijim ngërthehej në procese konfliktesh shoqërore e pronësore në zonat ku vinin, pra, në mjediset shqiptare me shqiptarë dhe me të tjerë. Në ato konflikte ndërlidheshin dhe dallimet fetare, traditat, gjendja shoqërore, gjuha, raportet me pushtetin osman, etj.
Periudha për të cilën bëhet fjalë në dokumentet e këtij botimi përfshin fazën e parë të Çështjes lindore, kohën e përpjekjeve për stabilizim nga ana e pushtetit osman, por edhe konkurrencën serbo-bullgare për trashëgiminë osmane në Ballkan, reagimet e popullsisë shqiptare, përgjithësisht manifestimet e identifikimeve etniko-kombëtare, luftërat serbo-malaziase/ osmane (1876), Kongresi i Berlinit, Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, luftërat greko-osmane, shfaqja e komitave bullgaro-maqedonase dhe kryengritja e Ilindenit, përmbysja e xhonturqve, krangritjet shqiptare 1910-12, rënia e sundimit osman, pushtimi serb, etj.
Në këto vëllime janë përfshirë 742 raporte, më së shumti nga Prizreni, pastaj nga Shkupi, e më vonë dhe nga Mitrovica, më pak nga Beogradi, nga Shkodra, Manastiri, Selaniku e Stambolli. Raportet janë shkruar në gjermanisht, por ka edhe frëngjisht e italisht. Cilësia e raporteve është e lartë, veçohen qartë raportimet e zhvillimeve nga analizat e gjendjes apo edhe nga parashikimet. Në shumë raste mund të lexohen vështrime të vërteta me sens sociologjik për gjendjen. Duket se raportuesit kanë marrë edukim të veçantë për punët e tyre dhe në këtë aspekt dallojnë dukshëm nga raportet që gjenden nga mjediset dhe qendrat e tjera joaustrohungareze.
Botimi prihet nga një parathënie e gjatë e Oliver Jens Schmitt, ku jepen shpjegime për hapësirën, për Vilajetin, për raportet midis aktorëve të ndryshëm popullativë/ shtetërorë, të fuqive të mëdha, të lëvizjeve popullore, të konflikteve, etj. Ka dhe një shënim të natyrës më teknike arkivistike nga Eva Anne Frantz. Të gjitha raportet shoqërohen me shënime e shpjegime, qoftë gjeografike-toponomastike, apo të tjera.
gjitha këto e bëjnë botimin më lehtësisht të përdorshëm. Në përgjithësi kemi përpara një botim të përgatitur me kriteret më të larta për botimin e dokumenteve arkivore, të shoqëruar me udhëzime dhe jashtëzakonisht të dobishëm. Nga aspekti shkencor-kulturor ne duhet t'u jemi mirënjohës përgatitësve të botimit dhe botuesit – Akademisë së Shkencave të Austrisë që na kanë dhënë një ndihmesë kaq me vlerë. Po nga aspekti kulturor do të dëshironim t’i kishim të përkthyera shqip dhe, kuptohet, të kishim dhe botime burimesh të tjera të kësaj kohe – osmane, italiane, bullgare, serbe, greke e të tjera me këtë cilësi të përgatitjes. Autorët i përgëzojmë për punën që kanë bërë, ndërsa Akademisë Austriake i urojmë të mos përfundojë me kaq.
Fjalë me rastin e përurimit të botimit Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870-1914. Berichte der Österreich-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan, I-V, gjithsejt 2408 ff., Hg. von Oliver Jens Schmitt und Eva Anne Frantz unter Mitarbeit von Sven Mörsdorf, Verlag der Österreichischen Akademie der Wissenschaften, Wien 2020, në Akademinë e Shkencave dhe tël Arteve të Kosovës, Prishtinë, 22 mars 2022. Botohet me leje të autorit.