“Pas gjithë vështirësive të tiranisë turke dhe shqiptare që populli ynë serb ka duruar për shekuj me radhë për ta ruajtur besimin e krishterë në këto rajone, sot kanë aguar ditët e fundit të ekzistencës sonë të trishtuar”, shkruanin murgjit serbë në një letër të vitit 1905 dërguar konsullatave evropiane në Shkup. Një praktikë e tillë e ekzagjerimit të propagandës serbe dhe me tone raciste, ka qenë evidente edhe në vitet 1980, kur në Kosovë, incidente të pandriçuara merrnin karakterin e një fushate histerike dhe nacionaliste. Ndërkaq nuk është rastësore që edhe sot në historiografinë serbe, provohet të bëhet një paralelizëm në mes të pushtetit osman dhe shqiptarëve, duke përdorur komponentin fetar, por edhe duke u dhënë zjarr edhe më tej miteve
“Tirania turke dhe shqiptare”
Në shkresën bashkëngjitur si aneks, të datës 5 (18) mars 1905 dhe që i është drejtuar Konsullit të Përgjithshëm në Shkup, klerikët ortodoksë serbë flasin për tiraninë e shtetit osman dhe të shqiptarëve që duhet ta durojë popullsia serbe në Kosovë.
I titulluar: Kisha Ortodokse Serbe dhe Komuniteti Shkollor në Ipek/Pejës, dhe shënimin se dokumenti mbanë vulën e Kishës Patriarkale Serbe në Ipek/Pejë, është një kopje e përkthyer nga serbishtja dhe që i është dërguar të gjitha konsullatave evropiane në Üsküb/Shkup.
“Pas gjithë vështirësive të tiranisë turke dhe shqiptare që populli ynë serb ka duruar për shekuj me radhë për të ruajtur besimin e krishterë në këto rajone, sot kanë aguar ditët e fundit të ekzistencës sonë të trishtuar. Për disa ditë me radhë, autoritetet turke kanë vëzhguar me indiferencë dhe pa fuqi aktivitetet arbitrare të shqiptarëve. Nga qyteti dhe fshatrat ata sulmojnë së bashku, duke mbajtur takime të fshehta dhe publike në të cilat kishin qëllimet e tyre djallëzore dhe shfarosjen e të gjithë atyre, që ne i kryqëzojmë me kryq”, thuhet në shkresën e murgjve serbë, e cila për nga gjuha dhe fryma e propagandës ngjason me propagandën kishtare nacionaliste të KOS-it në vitet 1980, e deri më sot.
E gjithë kjo propagandë për terror dhe përndjekje të serbëve ilustrohen duke përmendur vetëm një fakt të paverifikuar apo edhe të izoluar, sikur ai kur një qytetar i përkatësisë shqiptare, një shitës duhani Ramiz (:Rasim:) Ujkani pati një përleshje me serbin Zaptieh Luka Ristiq, në mesditën e 3 (16) marsit në çarshinë e qytetit, kur para dyqanit të tij e goditi në kokë me jatagan dhe i preu dorën e majtë në nyjë, duke e lënë dorën plotësisht të ndarë. Pavarësisht nga plagët e tij të tmerrshme, Luka kishte qenë gjendje të tërhiqej dhe më pas të dërgohej në spital, ndërsa agresori Ramiz arriti të largohej i qetë, duke shtuar se në të gjitha anët qëndronin shqiptarët e gatshëm për ta shpëtuar.
Pavarësisht nëse kjo ngjarje e përmendur këtu mund të ketë qenë e vërtetë apo e sajuar, nuk dëshmon me asgjë që një konflikt mes dy personave të nacionalitetit shqiptar dhe serb është dëshmi e përndjekjes së pakicës serbe në Vilajetin e atëhershëm të Kosovës.
Paralelja me vitet ‘80
Një praktikë e tillë e ekzagjerimit të propagandës serbe dhe me tone raciste, ka qenë evidente edhe në vitet 1980, kur në Kosovë incidente të pandriçuara merrnin karakterin e një fushate histerike dhe nacionaliste, si ai i Gjorgje Martinoviqit (1985) nga Gjilani, apo ai i Vushtrisë, apo rasti i pandriçuar i shtatorit 1987 në kazermën e APJ-së në Paraqin dhe rasti i fotografisë së rrejshme nga fshati Prekallë (1987), ku imazhi i një fshatareje serbe, të veshur si fshatare e rëndomtë serbe, me një fëmijë të vogël në krah dhe një pushkë, në krahun tjetër, përçonte mesazhin e rrezikimit të serbëve të Kosovës. Një viktimizim i tillë mbështetej mbi një traditë të vjetër të narracionit vetëviktimizues serb.
E të njëjtit diskurs është edhe ngjarja që përshkruhet në këtë letër të murgjve serbë, të cilët me asgjë nuk dokumentojnë se vërtet serbët lokalë ishin të përndjekur nga shqiptarët vendas, ndërkohë që pushtetin real ishte në duart e autoriteteve osmane. Duket qartë se vetëm pak vite para se të shpërthente Lufta e Parë Ballkanike, 1912/13, përfaqësuesit e klerit ortodoks serb, dëshironin që përmes vetëviktimizimit të serbëve të krijon një frymë armiqësore ndaj shqiptarëve. Nuk është rastësisht që edhe sot në historiografinë serbe, provohet të bëhet një paralelizëm në mes të pushtetit osman dhe shqiptarëve, duke përdorur komponentin fetar, por edhe duke i dhënë zjarr edhe më tej miteve dhe narracioneve të tilla me karakter nacionalist si një instrument për ta justifikuar spastrimin etnik, i cili nismën e tij e ka te spastrimi etnik në rajonin e Toplicës 1877-1878 dhe që më vonë do të përsëritej dekadë pas dekade deri në spastrimin biblik të viteve 1998/99.
Nga dokumenti siç është shkruar duket qartë se njerëzit e fesë ortodokse serbe abuzojnë qëllimisht me përkatësinë myslimane të shqiptarëve, duke i paraqitur ata si kërcënues të vlerave të krishtera evropiane. Më tej, në shkresën e murgjve serbë thuhet se “plani i osmanëve dhe shqiptarëve ishte të fillonin me Lukën, dhe përmes kësaj të provokonin një kasaphanë më të madhe dhe më pas t’i jepnin fund krishterimit lokal serb. Për shkak se ata nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë për momentin, ata synojnë të kryejnë sulme të ngjashme dhe pastaj thernin të gjithë të krishterët, gjë që me siguri do të ndodhë së shpejti”.
Urrejtja racore ndaj shqiptarëve
Është evidente se i gjithë narracioni është i ndërtuar mbi konstruktin e viktimizimit të serbëve lokalë, si një metodologji për mobilizimin e nacionalizmit serb kundër shqiptarëve. Urrejtja racore ndaj shqiptarëve ishte lajtmotiv i shtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe. Kjo frymë e urrejtjes raciste ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët shiheshin si element armik që kishin “pushtuar” Kosovën dhe prania e tyre po bëhej pengesë për restaurimin e ambicieve serbomëdha, të cilat kishin filluar të realizoheshin në fundin e shekullit XIX. Dihet tashmë se gjatë historisë së shekujve XIX dhe XX, pas çlirimit nga Perandoria Osmane, spastrimet etnike ishin bërë koncept i veprimit politik të shtetit serb. Spastrimet etnike nuk realizoheshin spontanisht por me komandë, me synim të homogjenizimit etnik të popullit serb. Serbia vazhdoi duke i parë shqiptarët si pengesë në realizimin e projektit serbomadh”.
Mungesa e fakteve në shkresën e klerikëve serbë justifikohet me pamundësinë e përshkrimit të të gjitha “vuajtjeve” të popullatës serbe dhe të vizatimit të një tabloje të arsyeshme dhe besnike. Prandaj, pamundësinë e argumentimit të një situate të pretenduar për gjoja ndjekjen e serbëve lokalë, dëshironin me kërkesën për dërgimin e një deputeti, i cili do të shkonte në Kostandinopojë, i cili do të fliste në emër të të gjithë njerëzve që do të shpallnin dëshirat e tyre dhe do të luteshin për ndihmë. Por, një kërkesë e tillë deri atëherë u ishte mohuar, çka ceket edhe në shkresat diplomatike.
Kërkesa e tillë për dërgimin e një deputeti u mohohej, murgjit serbë vajtojnë me viktimizimin e tyre duke nënvizuar se “nuk dinë kah të shkojnë dhe kujt t’i drejtohen”. Ky diskurs, që ngjason shumë me viktimizimin aktual, vazhdon me ankesën se para syve të tyre shtypësit shekullorë osmanë dhe shqiptarë hapin varre, vrasjet e tmerrshme, “ndërsa përgatiteshin për të vrarë serbët dhe fëmijët e tyre”.
Manastiri i Deçanit një vend luksi me paratë e Rusisë
Por, krejt të kundërtën e thotë autori francez, Gabriel Lois Jaray, i cili personalisht e ka vizituar Manastirin e Deçanit, thotë se ky manastir është “më i pasuri nga manastiret serbe. Është i mbrojtur me mure të dyfishta dhe me hendek. Kështu ai duket si një fortesë e vërtetë serbe në një vend shqiptar. Në ndërtesat e tij të mëdha banojnë murgjit, miqtë, shërbyesit, bujqit e barinjtë e shumtë, që përbëjnë një koloni të vërtetë serbe. Aty ishte e vendosur edhe një postë ushtarake, me në krye një oficer (osman)” (fq.45). Ky fakt dëshmon se objektet e kultit ortodoks gëzonin mbrojtjen e vazhdueshme edhe të shtetit osman, ndërsa diskursi vetëviktimizues i shërbente ideologjisë nacionaliste. Sipas këtij autori, Manastiri i Deçanit ishte një vend luksi dhe nuk vuante për financa, pasi mbahej me paratë e Rusisë”. Unë vura re se në mure ishin varur portretet e carit dhe caricës të Rusisë, si dhe të carëve të mëparshëm rusë,” (45-46), shkruante ai.
Në pjesën e fundit të kësaj ankesë, autorët e saj shkruajnë se këtë situatë të dëshpëruar, “ne shprehim britmën e fundit të frikës duke ua drejtuar këtë kërkesë të gjitha fuqive të mëdha evropiane dhe duke u kërkuar atyre të bëjnë çmos për të ndihmuar”. Po ashtu, aty shkruan: “Ne i bëjmë thirrje ndjenjës së krishterë të njerëzimit dhe të kërkojmë me përulësi, të kenë dhembshuri dhe hir të krishterë, t’i shpëtonin dhe çlironin ose të hapeshin portat e vendeve evropiane për emigrimin e tyre atje.”
Në përmbyllje të kësaj shkrese bëhej e qartë se pos shpresës për ndihmë, një kërkesë e tillë i drejtohej Konsullit të Përgjithshëm në Üsküb/Shkup, Vilajet Kosovo, përgjegjës me kërkesën për t’ia përcjellë të dërguarit të tij në Kostandinopojë në mënyrën e përcaktuar dhe i kërkojmë me përulësi Shkëlqesisë së Tij që t’ia dërgojë këtë kërkesë qeverisë së tij me vajtimet e fundit të klerikëve serbë.
Me shpresën se ankesat e tyre do të dëgjoheshin, në fund të këtij dokumenti jepet lista e personave në emër të të cilëve ishte hartuar kjo shkresë:
Pleqtë lokalë:
Aleksa Vasiljeviq
Antonije Z. Popadiq
Jovan Z. Geriq
Dimitrije Rozidareviq
Vasilije Dimitrijeviq
Rista Timotijeviq
Zhivko Stefanoviq
Prezantimet e bashkisë:
Sava Jovanoviq
Nënkryetar:
Mita J. Vitiq
Anëtarët e komisionit:
Stefan K. Rajeviq
Stefan V. Stanjeviq
Dimitrije Jankoviq
Mladen Gojkoviq
Vasilije Jovanoviq
Vasilije S. Sotiq
Gjorgje Jovanoviq
Narracioni për nevojën e një “hakmarrjeje për Kosovën”
Propaganda e tillë e Kishës Ortodokse Serbe, ishte intensifikuar që nga krijimi i Mbretërisë serbe, dhe kishte një shpërthim të mitit të Betejës së Kosovës dhe që rezultonte, jo vetëm nga një shpërdorim i zotimit të kishës për të legjitimuar ose justifikuar një ideologji politike agresive kombëtare, por edhe nga interpretimi i pjesshëm i antagonizmit serbo-shqiptar. Nëse shumë serbë ende e shohin ”tokën e shenjtë“ të tyre në Kosovë, në fillim të shekullit XX, ky është rezultat i klerit ortodoksë serb që për shekuj me radhë kanë predikuar fenë e kombit të tyre.
Kisha Ortodokse mbetet gardiani i vërtetë i përhapjes së mitit të Kosovës. Ajo edhe sot detyrën e saj më të shenjtë e ka si të ushqejë besimin në një mbretëri serbe që një ditë do të ngrihet në madhështinë e vjetër mesjetare dhe do të ribashkonte të gjithë anëtarët e shpërndarë të popullit serb. Nuk munguan as një shekull më parë dhe as tani përpjekjet për t’i dhënë fatit kombëtar një kuptim fetar. Ndërsa, mbijetesa e saj në Kosovë dhe propaganda vetëviktimizuese stilizohet si betejë e krishterimit kundër muhamedanëve – kryqi kundër gjysmëhënës. Ngjashëm si tani, edhe asokohe në mesin e elitave politike dhe fetare serbe ishte ndërtuar narracioni për nevojën e një “hakmarrjeje për Kosovën”, ku shqiptarët portretizoheshin në nivel të njëjtë armiqësor me shtetin osman dhe shiheshin si pengesë për realizimin e idesë së rindërtimit të mbretërisë mesjetare serbe. Për këtë arsye, studiuesi kroat Branimir Anzuloviq, hierarkia aktuale e Kishës Ortodokse Serbe, e sheh si një pengesë tjetër për një klimë më të shëndoshë politike, pasi ajo ngarend pas idesë së Serbisë së Madhe.
Në këtë kuptim, edhe dokumenti i lartpërmendur mbi propagandën ruse të një shekulli më parë dëshmon se njerëzit e fesë, në fakt, ishin përfaqësues të zjarrtë dhe cytës të ksenofobisë dhe njëkohësisht të diskursit të vetëviktimizimit, sipas të cilit, armiq të serbëve janë sa zyrtarët osmanë po aq edhe shqiptarët myslimanë. Viktimizimi i serbëve dhe akuzat se shqiptarët po bëjnë luftë “gjenocid” kundër serbëve brenda shtetit perandorak osman, në fakt është një përpjekje për ta justifikuar synimin ekspansionit serb ndaj Kosovës. Për dallim nga qëndrimet e lartpërmendura nga përfaqësues të komunitetit serb, autori francez, Gabriel Lois Jaray, i cili nuk është vetëm një turist mik i pamjeve piktoreske, por edhe një politikan, thotë se shqiptarët myslimanë dhe të krishterë para së gjithash, kërkojnë të jenë të lirë nga shteti osman, të jetojnë sipas ligjeve të tyre tradicionale, që i kundërvihen çdo autoritetit të jashtëm. Dhe se ideja kombëtare te shqiptarët mbretëron mbi gjithçka, madje edhe mbi fenë. Ai askund nuk flet për konflikte ndërmjet shqiptarëve shumicë dhe pakicës serbe, siç provohet të bindet ai edhe nga murgjit dhe Konsullata Serbe në Prishtinë.
Ankesat e tilla me karakter propagandistik ishin një strategji e komunikimit të drejtpërdrejtë e serbëve lokalë të Kosovës me diplomatët e fuqive të mëdha evropiane qoftë në Kosovë apo në Kostandinopojë, një praktikë e njohur e Beogradit edhe përgjatë dekadave të mëvonshme. Për më tepër, qëllimi i shtetit serb ishte që në këtë mënyrë të kthente kundër kauzës shqiptare fuqitë e mëdha të Koncertit evropian përmes përhapjes së imazhit të një lufte fetare, kur serbët paraqiteshin si mbrojtës të krishterimit ortodoks, e që për këtë e kishin edhe mbështetjen edhe të politikës dhe Kishës Ortodokse të Rusisë, ndërsa shqiptarët do të portretizoheshin si mysliman dhe si popull që bashkë me shtetin osman bënin luftë kundër të krishterëve në Ballkan. Serbët e Kosovës ishin të instruktuar si të vepronin kundër interesave shqiptare të Kosovës, merrnin detyra, mjete financiare për t’i përmbushur këto kërkesa politike të Beogradit, që problemet apo ekseset individuale t’i shfrytëzonin si instrument i vetëviktimizimit.
Përveç tjerash, kërkesa të tilla të përfaqësuesve të komunitetit serb, të mbështjella me petkun e kërkesave fetare, në fakt kishin si synim që manastiret dhe kishat serbe të jenë bastione të përhapjes së propagandës ruse dhe idesë pansllaviste si dhe shtabe politike që do të bënin përpjekje për të pamundësuar suksesin e lëvizjes kombëtare për bashkimin e vilajeteve osmane me popullatë shumicë shqiptare. Duke krijuar narrativën e “persekutimit të krishterë-ortodoksë” nga shqiptarët myslimanë, politika serbe synonte të dëmtonte imazhin e shqiptarëve dhe të kauzës së tyre në sytë e fuqive të mëdha evropiane, si dhe të krijonte terren të përshtatshëm për operimin e “misionarëve fetarë”, të cilën përmes strategjisë ideologjike dhe mjeteve financiare serbe dhe ruse përpiqeshin të ushtronin ndikim dhe të krijonin mundësi për realizimin e planimetrive hegjemoniste në Kosovë.