Data e 23 gushtit është e veçantë, sepse kjo ditë në sajë të Deklaratës së Parlamentit Evropian nga 23 shtatori 2008, është shpallur Dita Evropiane e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Kemi të bëjmë me një datë simbolike, sepse më 23 gusht të vitit 1939 është nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Molotov, në lidhje me mossulmimin në mes Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik. Nga ajo datë, Evropa kujton me pietet viktimat e regjimeve totalitare të cilët likuiduan me miliona individë, ndërsa vendet e ish-kampit socialist në Evropën Juglindore në mungesë të vullnetit politik ende hezitojnë të dënojnë krimet e tilla. Dëshmi e një konstatimi të tillë është mosshënimi i kësaj date si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut, që nuk mund të arsyetohet me asgjë, duke e ditur se shqiptarët gjatë diktaturës komuniste përjetuan krime të ndryshme. Ndërsa shteti amë-Shqipëria, ishte ndër vendet më kriminale komuniste në Evropën Juglindore, me pasoja të mëdha shoqërore deri në ditët tona
Në rrethana të reja shoqërore, pas falimentimit të ideologjisë komuniste dhe dështimit të sistemit socialist, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit (8.11.1989) dhe miratimit të pluralizmit në vendet e ish-kampit socialist, filloi rishkrimi i historisë me argumente, duke dëshmuar vuajtjet e persekutimet e qytetarëve në sistemet totalitare. Kemi të bëjmë me kohën e lirisë personale e shoqërore, e cila ka eliminuar paragjykimet duke shpalosur të kaluarën e popujve nën pushtetet diktatoriale komuniste me pasoja të mëdha për qytetarët e këtyre vendeve, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.
Ende pa përcaktimin e ditës së viktimave
Në lidhje me këtë çështje Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006 ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Evropës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, por dita e kujtimit të këtyre viktimave deri më tash ende nuk është përcaktuar. Nga një qëndrim i tillë, pushteti në Mal të Zi nuk ka respektuar rekomandimin e Parlamentit Evropian, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për t’u ballafaquar me të kaluarën.
Po ashtu, Parlamenti Evropian ka miratuar rekomandimin, ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziston një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet e tjera nga ish-kampi socialist.
Qasje të dyfishta të pushtetit në Mal të Zi
Me këtë rast, duhet cekur se Kuvendi i Malit të Zi në vitin 1992 ka miratuar Deklaratën se shteti obligohet të rehabilitojë viktimat e Goli Otokut (1948), si dhe të dëmshpërblejë familjet e tyre.
Nga një qëndrim i tillë del qartë se kemi standarde të dyfishta, duke eliminuar krimet para vitit 1948, ku trajtojnë vetëm ata të Goli Otokut, a thua se krimet e komunizmit kanë filluar nga ajo kohë, e jo më parë nga instalimi i komunistëve në pushtet (nëntor 1944). Një qasje e tillë është diskriminuese, sepse do të legalizoheshin krimet e mëhershme, ndërsa viktimat do të mbeteshin të paevidentuara, ndërsa ekzekutorët të pandëshkuar.
Pra, qasja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë e jo të ketë diferencime, në aspektin kombëtar, sepse represioni ka pasur përmasa të mëdha varësisht prej rrethanave shoqërore. Në këtë aspekt, deri më tash nuk janë cekur fare viktimat e shqiptarëve, sikurse është Masakra e Tivarit (1.4.1945), duke mbetur temë e patrajtuar për opinionin e gjerë në Mal të Zi.
Krimeve nuk u skadon afati kohor
Por, në deklaratën e Parlamentit Evropian të miratuar në shtator të vitit 2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, thuhet se “në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit“. Andaj, për të trajtuar çështjet e tilla duhet pritur një moment tjetër më të përshtatshëm, sepse për tash nuk ekziston vullneti politik i pushtetit, për ballafaqim me të shkuarën e krimeve të komunizmit në Mal të Zi.
Pikërisht duke marrë parasysh së nuk ekziston qasje unike mendoj se duhet iniciuar Ligjin për të rehabilituar qytetarët të cilët kanë përjetuar krime nga koha e komunizmit, nga viti 1944-1990. Madje duhet paraparë dëmshpërblimin ndaj familjeve të viktimizuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të eliminohej një padrejtësi ndaj qytetarëve të pafajshëm në kohën e komunizmit.

Shqipëria – vendi më i persekutuar në ish-kampin socialist
Si askush tjetër në Evropë, shqiptarët në Shqipëri kanë arsye ta përkujtojnë këtë ditë, sepse nga pushteti komunist i instaluar janë ekzekutuar më mijëra me dhe pa gjyq, për liri dhe demokraci për të ndërtuar një shoqëri sipas vlerave demokratike evropiane. Të dhënat për periudhën kohore në Shqipëri (1944-1991) janë trishtuese që ua ka tejkaluar nazistëve, e atë nga pushtetarët vendës në emër të ideologjisë komuniste. Deri më tash statistika në Shqipëri ka dhënë këto informacione:
34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike.
59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi.
7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shtazarak.
984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit.
6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.
Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.
Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Evropë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, dëshmon se pushteti kriminal si qëllim kishte për të zhdukur edhe gjurmët e krimit të tyre. Botimet e ndryshme pas vitit 1991, e deri në ditët tona e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.
Memoriali i munguar
Ndonëse nga falimentimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rend shoqëror kanë kaluar tri dekada, ndaj çështjes së krimeve të komunizmit nuk është bërë aq sa ata meritojnë, nderimin dhe sakrificën për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Mosangazhimi nga qeveritë për ngritjen e një memoriali përkujtimor në Tiranë, nuk mund të arsyetohet më asgjë. Në këtë aspekt kanë dështuar edhe në Prishtinë e Shkup, sepse edhe në Kosovë e Maqedoni të Veriut persekutimi i shqiptarëve si në aspektin ideologjik dhe kombëtar, ka pasur përmasa të mëdha. Është obligim moral dhe kombëtar të nderojmë sakrificën e atyre që kanë kontribuar për lirinë, demokracinë dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar.
Por, në këtë aspekt me sa jemi të informuar, në Shqipëri, përjashtim bën vetëm Elbasani, ku aty në vitin 2013 është inauguruar monumenti “Martirët“ kushtuar viktimave të komunizmit që si duket, është i vetmi në vend.
Një monument i tillë edhe në Ulqin
Duke marrë parasysh se përmasat e krimeve të komunizmit kanë qenë të pranishme edhe te shqiptarët në Mal të Zi, nga Ulqini në jug dhe Rozhaja në veri, edhe këtu është dashur të punohet në këtë drejtim. Sepse me vendosjen e pushtetit të komunistëve nga nëntori 1944 e më pas, janë likuiduar një numër i konsideruar i shqiptarëve, si armiq të pushtetit apo kundërshtar ideologjik, me apo pa vendime gjyqësore, ku disa prej tyre ende sot janë pa varre.
Në nderim të tyre, në Ulqin duhet të ngrihet një memorial, si kudo në botën demokratike. Një ide e tillë duhet të iniciohet nga pushteti lokal dhe partitë politike të shqiptarëve, ku mund t‘u bashkohen edhe ato të ashtuquajtura qytetare.
Me këtë rast, ia vlen të cekim se gjatë konsultimit për regjistrin e emërtimeve të propozuara për rrugët e qytetit të Ulqinit në vitin 2015, nga ana e komisionit nga Ministria e Kulturës, autorit të këtyre rreshtave iu rekomandua që propozimi që një rrugë të emërtohet “Viktimat e komunizmit” të hiqet nga regjistri i emërtimeve të propozuara. Një veprim i tillë ishte dëshmi për të kuptuar se këtu ende jetojnë me mentalitetin e kohës së pushtetit monist edhe tash në pluralizëm. Por, pavarësisht momentit politik dhe rrethanave shoqërore në këtë aspekt, duhet insistuar përsëri se është obligim moral dhe qytetar ndaj viktimave të komunizmit, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.
Rezoluta e Kongresit të SHBA-së
Pikërisht në lidhje me këtë çështje Kongresi i SHBA-së më 21 maj 2014, ka miratuar rezolutën në mbështetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste “për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40 vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtëzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke i ndarë ata nga bota demokratike me një perde të hekurt dhe me Murin e Berlinit”, thuhet, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit.
Dëshmi për brezat
i Ditës së Kujtesës duhet të jetë pjesë e programeve mësimore në shkolla fillore dhe të mesme, si leksion i detyruar, për të kuptuar vuajtjet dhe persekutimin e qytetarëve në kohën e komunizmit. Brezat e rinj duhet të dinë për viktimat e komunizmit dhe nazizmit, siç ishin burgosjet, vrasjet me e pa gjyq, deportimet, internimet, izolimet, kampet e punës dhe të përqendrimit, duke qenë dëshmi për brezat e sotëm e ata që do të vijnë më pas.