E ka kaluar një karrierë të tërë në minierën e “Trepçës” duke kryer shumë punë dhe projekte inxhinierie, kurse disa vjet ka udhëhequr një institucion të rëndësishëm shkencor – kërkimor të kohës, Institutin për plumb dhe zink “Trepça”. Është e pashmangshme të mos përmendet në çdo rast edhe kontributi i pamohueshëm i akademik Minir Dushit në zhvillimin dhe konsolidimin e mësimit universitar në Kosovë, duke shtruar themelet e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë si dhe në zhvillimin e Universitetit të Prishtinës
Izet Zeqiri
Kur morëm lajmin për ndarjen fizike të akademik Minir Dushit – njeriut i cili tërë jetën ua kushtoi shkencës, universitetit, Mitrovicës dhe çështjes kombëtare – kishte dhimbje, por edhe krenari për një bashkëpunëtor të vogël të akademikut për të cilin ndiej obligim të flas për punën e palodhshme, sukseset dhe të arriturat e tij. Për veprimtarinë e begatshme botuese nga fusha e gjeologjisë dhe minierave, së cilës problematikë i është kushtuar gjatë gjithë jetës së tij.
Së pari disa fjalë për fillimin e punës të profesorit të nderuar Minir Dushi në Minierën e Trepçës në Stantërg në vitin 1958.
Ardhja e inxhinierit shqiptar në minierën e “Trepçës”
Këtu e mbi 55 vjet më parë, për herë të parë këmba e akademik Minir Dushit shkeli në minierën e “Trepçës” në Stantërg. Aty u inkuadrua në punë si inxhinier i diplomuar i xehetarisë. Një bursë që i ishte ndarë nga miniera e Devës e kishte kushtëzuar vetëm për studime në Fakultetin e Xehetarisë, ndonëse ishte profil i elektroteknikës. Në atë kohë nuk e dinte se çfarë është xehetaria. Bile, jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë nga ne shqiptarët nuk e dinim, ose shumë pak dinim për profesionin e xehetarisë, pasi që nuk kishim krijuar një traditë universitare nga kjo lëmi.
Ishte e çuditshme dhe e pabesueshme se si qytetarët e Kosovës – vendi me pasuri të shumta e të llojllojshme të mineraleve të dobishme – nuk kishin informatat e duhura dhe të plota për këtë degë të rëndësishme ekonomiko-industriale.
Dikush dinte të thoshte se me xehetarinë bëhet fjalë për “madene”, që nxirren në Trepçë, Golesh, Devë e gjetiu. Por që ishte e mundshme edhe për të rinjtë kosovarë të shkollohen në shkallë universiteti, askush nuk mund ta imagjinonte.
Ndodhi siç ndodhi, bursa ishte ajo që e detyroi të bëhet inxhinier i xehetarisë. Në atë kohë siç duket ishte shqiptari i parë dhe i vetëm që studioi këtë degë në ish-Jugosllavi.
Ardhja e një inxhinieri shqiptar në minierën e “Trepçës” në vitin 1958, i kishte gëzuar shumë minatorët. Bile kjo u konsiderua si një ngjarje e jashtëzakonshme. Minatorët e Trepçës nuk mund ta imagjinonin të ketë inxhinier shqiptar në minierën e tyre pasi ishin mësuar të punonin gjithnjë me inxhinierë të huaj.
Këshilla që shqipja të mos përzihej me sllavishten
Gjatë gjithë kohës së tij në Trepçë, ka krijuar shumë shokë e miq nga radhët e minatorëve me të cilët ka pasur biseda të përzemërta duke iu dhënë zemër për ditë më të mira që do vijnë. Janë të njohura shumë anekdota, të cilat minatorët i tregonin nëpër oda për bisedat e tyre me inxhinierin e parë shqiptar. Gjithmonë i ka këshilluar të kultivojnë gjuhën shqipe e të mos e përziejnë me sllavishten, siç ishin mësuar të vepronin asokohe. Ata më kureshtarët që ishin, hapnin derën e zyrës së tij vetëm për të parë si duket inxhinieri shqiptar. Ndërkaq, disa nga punëtorët deklaronin se me ardhjen e inxhinierit të parë shqiptar në minierën e Trepçës ishte hapur një dritare për nga ka hyrë drita e shpresës në minierën tonë.
Themeltar e konsolidues i jetës universitare
Akademik Minir Dushi e ka kaluar një karrierë të tërë në minierën e “Trepçës”, duke kryer shumë punë dhe projekte inxhinierie, kurse disa vjet ka udhëhequr një institucion të rëndësishëm shkencor – kërkimor të kohës, Institutin për plumb dhe zink “Trepça”.
Është e pashmangshme të mos përmendet në çdo rast edhe kontributi i pamohueshëm i akademik Dushit në zhvillimin dhe konsolidimin e mësimit universitar në Kosovë, duke shtruar themelet e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë si dhe në zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.
Në dekadën e fundit, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zhvilluar një veprimtari e dendur shkencore studimore dhe botuese nga fusha e gjeologjisë dhe e minierave. Brenda viteve të fundit nga ky lëmë janë botuar mbi gjashtë vepra shkencore dhe ky është një shembull i shkëlqyer.
Mund të thuhet se këto monografi në formë të studimeve, janë përfshirë të gjitha pasuritë minerale, metalore dhe jometalore të vendit tonë.
Akademik Minir Dushi la pas vetes disa tekste universitare të cilët janë tekstet e para në gjuhën shqipe si dhe disa vepra dhe monografi të cilat kanë një rëndësi të madhe për studiuesit dhe akademikët e rinj.
Veprimtaria botuese në ASHAK nga lëmi i gjeologjisë dhe minierave
Në veprat e akademik Minir Dushit pasqyruar tregues të ndryshëm të prodhimeve industriale duke i sistemuar ato sipas fushave. Të gjithë xeherorët dhe mineralet potenciale, që janë shfaqur ose zbuluar janë studiuar veç e veç nga ana gjeologo-minerare, duke i shfletuar të gjitha veçoritë e shfrytëzimit xehetarë dhe të përpunimit pasurues dhe metalurgjik.
Së pari, disa fjalë për veprën e cila mban titullin: “Trepça sistemi i integruar tekniko-teknologjik“ Akademik Minir, si punëtor shumëvjeçar i Trepçës dhe njëherësh punëtor shkencor, gjithmonë ka qenë i preokupuar me minierat, me flotacionet, me metalurgjikët dhe me fabrikat përpunuese të Trepçës. Si punëtor i zellshëm që ishte, akademiku gjithnjë ishte në fokusin e të dhënave informative. Në këto rrethana dhe me këto të dhëna, të mbledhura qysh prej kohësh mori iniciativën për hartimin e monografisë për kompleksin industrial “Trepça”. “Trepça” kurrsesi nuk është një histori e kaluar. Prodhimet e Trepçës, nami e saj, por edhe posaçërisht ky libër, e bënë këtë gjigant ekonomik të pavdekshëm, duke ia përcaktuar vendin e merituar në historinë e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.
Në veprën monografike “Trepça“ shprehet synimi i sinqertë dhe serioz i përkushtimit të madh dhe dëshira për të pasqyruar në mënyrë të shumanshme tërësinë e zhvillimeve duke u mbështetur gjithnjë në dokumentacionin e besueshëm burimorë. Në fakt janë bërë ndërlidhje të veçanta, aq të dallueshme njëra nga tjetra në formë dhe përmbajtje si një tërësi komplekse dhe shumëngjyrëshe. Kjo e ka bërë këtë vepër një arritje krejt të veçantë, ndoshta edhe unike në trajtimin e këtij lloji.
“Trepça“ është një vepër monografike e cila tërësisht i kushtohet veprimtarisë komplekse industriale mbi bazën e hulumtimeve, të shfrytëzimit e të përpunimit të xeherorëve të Pb-Zn dhe të shoqëruesve të tyre nga vendburimet e numërta Minierat e Trepçës, ishin mbështetje e fortë nga të cilat janë ngritur një tërësi ndërmarrjesh aktive, ndërmarrjet përpunuese të metaleve bazike, të përfshira në Sistemin Integrues Tekniko-Teknologjik “Trepça“.
Monografia “Trepça“ është vepër gjithëpërfshirës i veprimtarisë së njohur hulumtuese, projektuese e zbatuese, që ka të bëjë me zhvillimin e industrisë kryesore minerare, të metalurgjikëve dhe të fabrikave finalizuese përkatëse gjatë etapave të ndryshme zhvillimore.
Në thelb këtu ndërthuren në një kompozitë të përbashkët historiku xeheror i formimit të mineralizimeve dhe trupave xeherorë të Pb-Zn në vendburime të ndryshme, historiku i zbulimit të përqendrimeve industriale në to si dhe tërë historia e zhvillimit të industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit, deri në shkallën e finalizimit të përdorimit të metaleve aq të çmueshëm për ngritjen e gjithanshme të ekonomisë dhe të shoqërisë sonë drejt niveleve më të larta prodhuese e qytetëruese.
Monografia e dytë, për të cilën kërkoj vëmendjen tuaj të çmueshme, titullohet “Pasuritë minerale të Kosovës” , që përbëhet prej dy vëllimeve: Vëllim I ,“Lëndët minerale kryesore“ dhe vëllimi II, “Lëndët minerale të perspektives“.
Kjo monografi është fryt i një pune të gjatë e të mundimshme disavjeçare, në të cilën për herë të parë shtjellohet kjo tematikë në dy vëllime me shtrirje në krejt truallin e Republikës së Kosovës. Në vëllimin e parë të librit është shtruar pasqyrimi hapësinor i lëndëve minerale kryesore metalore: xeherorët e plumb-zinkut, nikel-kobaltit, magnezitit, boksiteve, hekurit, si dhe kaustobiolitet e ngurta-qymyri. Vëllimi i dytë i është kushtuar lëndëve minerale të perspektivës ose jometalore që janë: kaolini, dunitet, bentonitet, mergelet çimentore, haloizitet, asbestit, leucitet, rëra kuarcore, tallku, sericitet, argjilat, tufet, lercolite, kallcitet, por edhe të disa metaleve tjera - manganit, antimonit, bakrit, zhvies uraniumit, si dhe ujërave termike. Mbi këtë bazë sigurisht do të zgjerohen e do të thellohen më tej njohuritë e përgjithshme për studime më të hollësishme në këtë fushë.
Ky studim paraqet sintezën e njohurive të sotme të pasurive të mineraleve të dobishme që përmban nëntoka e Republikës së Kosovës.
Monografitë e radhës janë të titulluara: “Zhvillimi i shkencave të xehetarisë dhe metalurgjisë në Kosovë (1970-2005)“, “Veprimtaria shkencore në ‘Trepçë‘ (1950-1989) dhe “Universiteti i Kosovës (1970-1984)“
Parimi për veprimtarinë botuese
Akademik Dushi, si autor është nisur nga parimi që një popull, i cili pretendon të jetë i kulturuar, patjetër që duhet të begatohet dhe të krijojë një traditë me këso lloj të botimesh. Në Kosovë kemi shumë pak botime të këtyre lëmenjve, por me vepra të këtij lloji, duhet tentuar, që edhe populli ynë të shprehë elementet e qytetërimit bashkëkohor, sikurse edhe shumë popuj tjerë në botën e civilizuar.
Kuadrot, që kishin fatin dhe nderin të themelojmë e të udhëheqin me organizimin e punës të institucioneve shkencore si: SHLT (1961) në Mitrovicë, FXM (1970) Institutin e Plumbit dhe Zinkut të kombinatit të “Trepçës“ (1965) dhe Universitetin e Kosovës, përkatësisht të Prishtinës (1970), i dhanë vetes për detyrë dhe borxh që brezave të ardhshëm t’u lënë informacione dhe dëshmi historike për të arriturat, vështirësitë, problemet dhe pengesat që kanë përcjellë formimin e këtyre institucioneve që janë krenaria e mendjes së shpirtit të popullit tonë.
Në këtë mënyrë këto monografi e bëjnë të paharrueshëm FXM tani Fakulteti i Gjeoshkencave dhe Teknologjisë, në Mitrovicë, Universiteti i Prishtinës dhe ia përcaktojnë vendin e merituar në historinë e zhvillimit të shkollimit universitar në Republikën e Kosovës.
Një tjetër vepër e akademik Minir Dushit është edhe monografia “Qymyri i Republikës së Kosovës“. Kjo vepër është fryt i një pune të mirëfilltë shkencore disavjeçare në një nga fushat më të rëndësishme ekonomike të Republikës së Kosovës. Është fjala këtu për basenet qymyrore me rezerva gjigande që ndodhen në trevat e Republikës së Kosovës.
Në këtë monografi voluminoze pasqyrohet e përmbledhur dhe e sistemuar më së miri puna e madhe disadekadëshe e bërë nga studiues të institucioneve të ndryshme kërkimore-shkencore të kësaj tematike duke filluar nga ndërtimi gjeologjik i baseneve qymyrmbajtëse, nga nxjerrja e qymyrit me metoda nëntokësore e sipërfaqësore, e deri te përdorimi final i tij në energjetikë e në fusha të tjera.
Monografia në fjalë merret me studimin veç e veç të tri baseneve qymyrore të Republikës së Kosovës. Në mënyrë më të hollësishme është përshkruar dhe përpunuar baseni i Fushë Kosovës, mbasi deri më tani nxjerrja e qymyrit dhe përpunimi industrial i tij është bërë vetëm në Mirash, Bardh dhe Sibofc që i takojnë kësaj fushe. Dy basenet e tjera ai i Dukagjinit dhe ai i Drenicës janë në faza të ndryshme të hulumtimeve gjeologjike dhe me rezerva më të vogla nga ai i Fushë-Kosovës.
Vepra voluminoze mbi 700-faqeshe, përmbahen një varg çështjesh që kanë të bëjnë me perspektivën zhvillimore të lëndëve djegëse të Republikës së Kosovës. Jepen të dhëna të hollësishme mbi qymyrin e basenit të Fushë Kosovës në përdorime të ndryshme si në atë të termoenergjisë, pasurimin e qymyrit me seperacion, tharjen e qymyrit, briketimin e tij, prodhimin e gjysmë-koksit dhe gazifikimin. Janë dhënë rekomandimet e Strategjisë së energjisë dhe gjendja e termocentraleve ekzistuese “Kosova A“ dhe “Kosova B“ si dhe ndërtimi i TC “Kosova e Re“.
Vend i veçantë i kushtohet edhe përdorimit të makinave dhe pajisjeve të zbatuara në minierat në qiell të hapur të Mirashit, Bardhit dhe Sibofcit deri te veçoritë teknike të tyre.
Baseni i Dukagjinit është ende i pa vënë në shfrytëzim, prandaj trajtimi i këtij baseni mbështetet vetëm në përfundimet e shpimeve kërkimore dhe të analizave laboratorike.
Pjesa e tretë e këtij studimi i referohet basenit qymyror të Drenicës. Rezervat e këtij baseni janë të vogla në krahasim me ato të basenit të Fushë-Kosovës dhe të atij të Dukagjinit, por ato megjithatë, paraqesin një pasuri të rëndësishme për Drenicën.
Shoqëria kosovare ende kishte shumë nevojë për akademik Minir Dushin dhe punën e tij. Qyteti i Mitrovicës përjetësisht është mirënjohës për kontributin e tij në shkencën shqiptare.
Fjalë rasti në mbledhjen komemorative në nderim të akademik Minir Dushit, të mbajtur më 29 janar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Botohet me ndërhyrje dhe me leje të autorit.