Në Tiranë më tepër se në çdo vend komunist kishte një vendosmëri për të ndjekur ideologjinë staliniste, e cila kishte rezultuar me një qeverisje shkatërrimtare. Duke qenë të sfiduar me këto qëndrime të zyrtarëve gjermanë, autoritetet shqiptare në Tiranë e kishin tepër të vështirë ta sensibilizonin Bonin zyrtar me çështjen e Kosovës dhe për ta denoncuar politikën represive të Beogradit. Bie në sy sidomos se në tezat e diskutimit për takimin ndërmjet ministrit të Jashtëm shqiptar, Reis Malile, dhe kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestagun gjerman, dr. Hasn Strecken, askund nuk ishte përmendur Kosova
Në tezat lidhur me bisedën ndërmjet Foto Çamit dhe Hans Strecken rekomandohej të flitej për gjendjen në Ballkan, marrëdhëniet fqinjësore me Jugosllavinë dhe për gjendjen në Kosovë, duke potencuar se në shtypin gjermano-perëndimor në përgjithësi është shkruar objektivisht për Shqipërinë dhe problemin e Kosovës. Pala shqiptare nënvizonte se në RFGJ kishte rreth 70 mijë punëtorë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare të Jugosllavisë, të cilët trajtoheshin me korrektësi nga autoritetet gjermane.
Por në të njëjtën kohë autoritetet shqiptare po ndienin trysnin sistematike të zyrtarëve gjermanë sa u përket të drejtave të njeriut në Shqipëri, pjesëmarrjes së saj në forumet ndërkombëtare të OKB-së dhe çështje të tjera. Vetë ardhja e Strecken me gazetarë dhe filmbërës ishte një sprovë për Qeverinë shqiptare se me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike po afrohej edhe koha e hapjes edhe në fushën e informimit, e që për Tiranën zyrtare përbënte thembrën e Akilit, pasi në këtë mënyrë bota do t’i kuptonte realitetin shqiptar dhe shkallën e vërtetë të varfërisë.
Propaganda për invadim nga SHBA-ja e Moska
Deri atëherë regjimi stalinist në Tiranë e kishte mbajtur pushtetin duke i bërë shqiptarët të besonin se Shqipëria do të invadohej në çdo çast nga fuqitë evroperëndimore, të shtyrë nga SHBA-ja dhe nga Moska. Ndërsa një hapje e tillë do të nënkuptonte se ky regjim nuk mund t’i detyronte më shqiptarët të besonin se shpëtimi i tyre do të bëhej duke mbetur të izoluar dhe përmes bunkerëve të ndërtuar në të gjithë vendin.
Dhe pikërisht ashtu siç pritej, në një dokument informues të MPJ-së konstatohet se “kohët e fundit RFGJ-ja në forma të ndryshme ka filluar të ngrejë çështjen e të drejtave të njeriut” në Shqipëri. Veç kësaj, Boni i rekomandonte miqësisht Shqipërisë që të merrte pjesë aktive në punimet e komisionit e Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC). Njëkohësisht bëhej e ditur se gjatë bisedave pala gjermane kishte ngritur shqetësimin për mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim të Shqipërisë me Komisionin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së. Zyrtarët e MPJ-së po ashtu informonin se në takimet e radhës mund të shtrohej çështja e ndërtimit të një varreze të përbashkët për ushtarët e rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën thuhej se ia kishte ngritur kryeministri i landit të Bavarisë, Franz Josef Strauss, në një letër që ia kishte dërguar Adil Çarçanit. Siç dihet, pala gjermane po ashtu i kishte kërkuar palës shqiptare edhe anëtarësimin në KSBE. Ndërsa gjatë vizitës së dytë në Tiranë, Hans D. Gescher, që kryesisht kishte të bënte me përgatitjet e pranimit të Shqipërisë në takimin e radhës të KSBE në Berlin, që asokohe Gjermania mbante presidencën e radhës, ftesën për një delegacion shqiptar për në mbledhjen e parë të ministrave të jashtëm të KSBE-së në Berlin, Gescher e kishte kushtëzuar me pjesëmarrjen në delegacion të partive politike opozitare. “Vetëm me këtë kusht, si kryetar i konferencës, mund të pranoja pjesëmarrjen e Shqipërisë në KSBE...”.
Çështja e Nënë Terezës dhe mohimi i vizitës së saj
Më vonë është mësuar se ambasadori gjerman në Tiranë, Werner Daum, i kishte ngritur ministrit Malile edhe çështjen e Nënë Terezës, së cilës disa herë regjimi i Hoxhës nuk i kishte dhënë leje që të hynte në Shqipëri që ta takonte dhe më pas që ta vizitonte varrin e nënës së saj në Tiranë.
Është evidente se pala gjermane, duke shtruar në vazhdimësi kërkesat me karakter politik më adresë të autoriteteve shqiptare, po provonte të nxiste hapjen e Shqipërisë ndaj botës së jashtme dhe të intensifikoheshin reformat brenda sistemit shqiptar, kryesisht në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut, lejimin e së drejtës së besimit fetar etj. Nga ana tjetër, regjimi komunist bënte përpjekje t’i shmangte për aq sa ishte e mundur këto tema, duke mos dashur të kuptonte se era e ndryshimeve kishte filluar në çdo vend tjetër komunist të Evropës Lindore. Për më keq, Tirana nuk e kishte kuptuar gjatë kohë edhe orientimin e ri gjermano-perëndimor në politikën ndaj Lindjes në kohën e W. Brandit dhe Hans D. Genscherit, që synonte vendosjen e marrëdhënieve të mira dhe të ngushta të RFGJ-së me vendet e Lindjes, edhe pse ato kishin sisteme të ndryshme politike.
Skema dogmatike të politikës së jashtme shqiptare
Në Tiranë më tepër se në çdo vend komunist kishte një vendosmëri për të ndjekur ideologjinë staliniste, e cila kishte rezultuar me një qeverisje shkatërrimtare. Duke qenë të sfiduar me këto qëndrime të zyrtarëve gjermanë, autoritetet shqiptare në Tiranë e kishin tepër të vështirë për të sensibilizuar Bonin zyrtar me çështjen e Kosovës dhe për ta denoncuar politikën represive të Beogradit. Bie në sy sidomos se në tezat e diskutimit për takimin ndërmjet ministrit të Jashtëm shqiptar, Reis Malile, me kryetarin e Komisionit për Politikë të jashtme në Bundestagun gjerman, dr. Hans Strecken, askund nuk ishte përmendur Kosova, derisa zinin vend tema të ndryshme të karakterit global, si Bashkimi Sovjetik, Irani, Iraku e të tjera vende.
Këto skema dogmatike të politikës së jashtme shqiptare dhe mungesën e një orientimi të qartë e evidentojmë deri në shpërbërjen e regjimit komunist.
Vërshimi i ambasadave, lëvizjet drejt lirisë
Në fakt, deri në verën e vitit 1990 gjermanët ishin përpjekur në mënyrë shumë aktive për të nxitur komunikimin, që do t’u shërbente ndryshimit dhe hapjes së shtetit shqiptar. Por kujdesi dhe rezistenca e autoriteteve shqiptare ishin të mëdha. Prandaj, kur filluan ndryshimet e mëdha të përmbysjes së komunizmit në Evropën Lindore dhe Juglindore, të cilat morën hov me rënien e Murit të Berlinit, politika e jashtme shqiptare, e cila u nënshtrohej direktivave të KQ të PPSH-së, organ që përbëhej nga një grumbull pleqsh dhe burokratësh pa vizion, kishte humbur sensin e nevojës së ndryshimeve dhe përshtatjes në ambientin e ri dinamik ndërkombëtar. Në këtë rrethanë, politika e jashtme shqiptare, e ndodhur keq edhe në planin e brendshëm, për shkak të krizës së thellë ekonomike, mbeti pa prioritete të qarta dhe kur më shumë se kurrë Kosova ia kishte nevojën për ndihmën e saj, ajo nuk kishte në dorë asnjë levë të fuqishme, për shkak të orientimit të gabuar strategjik afatgjatë te vendet lindore dhe afro-aziatike, si dhe reputacionit stalinist. Ndërsa, ndryshimet e brendshme shqiptare, që në fakt nisin me ngjarjet e 2 korrikut 1990, kur të rinjtë shqiptarë vërshuan drejt ambasadave të huaja në Tiranë, duke përshirë dhe ambasadën e RFGJ-së, ishin shkëndijat e para që i dhanë shtytje një lëvizjeje më të madhe drejt lirisë dhe vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, për çfarë ishte angazhuar që nga dita e parë edhe Ambasada Gjermane në Tiranë, përkatësisht diplomacia e Republikës Federale Gjermane.
Epilogu i bisedimeve 15-vjeçare
Procesi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si pengesë kryesore kishte kërkesën e palës shqiptare për riparime të dëmeve të luftës botërore dhe nga mentaliteti dogmatik i politikës së jashtme shqiptare që karakterizohej edhe nga koncepti i ndarjes mik-armik, ku tek armiqtë vazhdonte të bënte pjesë edhe Republika Federale e Gjermanisë, duke mos e kuptuar drejt rolin dhe peshën në ardhje të këtij shteti të fuqishëm evropian. Po ashtu, një faktor tjetër, mbase më periferik ishte edhe dëshira për më shumë primat brenda Qeverisë Federale Gjermane. Prandaj, kjo ishte arsyeja përse procesi i bisedimeve për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane zgjati për afro 15 vjet.
Për më tepër, Gjermania luante një rol të rëndësishëm në politikën evropiane dhe përmes kontakteve me atë, do të kishte mundësi të njihej nga dora e parë me pikëpamjet gjermane dhe evropiane lidhur me zhvillimet politike në Evropë.
Por, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe RFGJ-së, nuk përmbushi pritshmërinë jorealiste të regjimit komunist shqiptar për ndihma të mëdha ekonomike sipas modelit të dikurshëm sovjetik dhe kinez. Ishte evidente se në fund të viteve 1980 Qeveria gjermano-perëndimore nuk po ngutej dhe shumat financiare të ofruara për Shqipërinë ishin simbolike. Por problemi ishte se shteti komunist shqiptar kishte humbur shumë kohë dhe vite për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, kur shteti gjermano-perëndimor filloi hapjen ndaj Lindjes me Ostpolitikën e Brandtit. Në anën tjetër, rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989 e nxori jashtë agjendës çështjen e ndihmave ekonomike për Shqipërinë, pasi tani i gjithë interesi i elitës politike gjermane ishte përqendruar në menaxhimin e ndryshimeve demokratike në Gjermaninë Lindore, përkatësisht në administrimin e çështjes së ribashkimit të dy shteteve gjermane dhe pajtimi e mbështetja e katër fuqive të mëdha, sidomos i Bashkimit Sovjetik, në këtë moment historik dhe vendimtar, që do të ndryshonte jo vetëm të ardhmen e kombit gjerman, por edhe të tërë Evropës dhe që i jepte fund konfrontimit Lindje-Perëndim. Gjithashtu, Boni nuk ishte i interesuar që të ndihmonte “vendin e fundit stalinist” në Evropë, kur në të gjithë Evropën Lindore kishin filluar ndryshimet demokratike të pakthyeshme dhe kishin rëndësi thelbësore për të ardhmen e Gjermanisë dhe të vetë Bashkimit Evropian. Në këto rrethana, kur Shqipëria komuniste ishte vonuar t’i bashkohej “trenit evropian”, në Tiranë, më 1 dhe 2 korrik 1990 ndodhi dyndja e mijëra shqiptarëve në ambasadat e huaja, duke përfshirë edhe ambasadën e RFGJ-së, e cila ishte paralajmërimi për fundin e regjimit komunist shqiptar. Mbase mund të ketë qenë vetëm një koincidencë e rastit, por kjo ngjarje la nën hije dhe pa jehonën e duhur ndërkombëtare shpalljen e Deklaratës së 2 korrikut nga Kuvendi i Kosovës. Sidoqoftë, ndryshimet demokratike në Shqipëri, vendosja e pluralizmit politik, si dhe forcimi i lidhjeve të saj me RFGJ-në do të jenë në interesin tepër jetik, jo vetëm për shtetin shqiptar, por edhe për Kosovën, e cila, derisa federata jugosllave ndodhej “në shtratin e saj të vdekjes”, kishte pritshmëri të lartë për ndihmë dhe mbështetje diplomatike shqiptare dhe gjermane në rrugën e saj të gjatë dhe të pakthyeshme të lirisë dhe të mëvetësisë.