Vendvarrimi anglo-sakson, i cili përmban mbi 140 kufoma njerëzish të varrosur së bashku me disa nga gjërat e tyre të preferuara, përfshirë bizhuteri, thika, si dhe sete personale të kujdesit, janë zbuluar nga puna arkeologjike pranë Wendover, Buckinghamshire, rreth 70 kilometra larg Londrës.
“Zbulime mahnitëse” ka thënë historiani Dan Snow. Tradicionalisht, kjo periudhë është konsideruar si epoka e errët. Por, arkeologët e kanë mbushur boshllëkun.
Gjetjet mund të tregojnë më shumë rreth asaj se si kanë jetuar, luftuar dhe vdekur paraardhësit. “Është një nga vendet më të mira dhe më zbuluese të periudhës post-romake në vend”, ka thënë ai.
Një skelet burri që kishte vdekur diku mes 17 dhe 24 vjeç dhe i cili u gjet me një shtizë hekuri të futur në rruazën e kraharorit, supozohet se ka pasur një vdekje të dhunshme. Osteologët, të cilët e kanë ekzaminuar skeletin, besojnë se arma ishte futur në trup nga ana e parme, para se të futej në shtyllën kurrizore.
Një njollë blu në klavikulën e tij erdhi nga një karficë e përdorur për të mbajtur lart rrobat. Shumë nga skeletet e vendit u gjetën me nga dy karfica që mbanin në vend mantelet ose peploset, rroba të gjata të jashtme të veshura nga gratë.
Një skelet femëror ishte gjetur me një numër të madh gjësendesh, përfshirë një tas të zbukuruar prej qelqi jeshili të çelur, i cili mendohet se i takon fundit të shekullit të pestë, gjë që dëshmon se ajo ishte një person me status të lartë. Sendet e tjera të gjetura nga mbetjet e saj përfshinin unaza, karfica, rripa hekuri dhe objekte fildishi.
Vendi përmban edhe 138 varreza me 141 varre dhe pesë varre ku trupat janë djegur, duke e bërë atë një nga varrezat më të mëdha anglo-saksone të zbuluara në Britani. Më shumë se 2,000 rruaza u zbuluan, së bashku me 89 karfica, 40 kopsa, 51 thika, 15 maja shtize dhe shtatë mburoja.
Dr. Rachel Wood, arkeologu kryesor për Fusion JV, kompania që kreu punën në terren, ka thënë se ishte një “zbulim i cili mund të ndodhë një herë në jetë”.
“Është e rrallë të zbulosh varreza anglo-saksone, veçanërisht me kaq shumë individë – burra, gra dhe fëmijë – dhe një gamë të mahnitshme sende varresh. Pothuajse të gjithë individët u varrosën me karfica të zbukuruara në mënyrë fantastike, por ne kemi gjetur gjithashtu rruaza qelqi dhe qelibar, shpata, mburoja, maja shtize, stoli qeramike të dekoruara në mënyrë fantastike – mjaft objekte unike.
“Shekulli i pestë dhe i gjashtë nuk janë ata për të cilët dimë shumë dhe të gjitha objektet që gjetëm do të jenë në gjendje të na tregojnë shumë për këta njerëz. Do të na japin një pamje të mrekullueshme të shoqërisë”.
Shumica e individëve duket se kanë qenë relativisht të pasur, në gjendje të sjellin artikuj nga e gjithë Evropa. Dy gota me kone qelqi, që u zbuluan të paprekura, mendohet se ishin përdorur për të pirë verën e sjellë nga jashtë, në Angli. Gotat janë të ngjashme me ato që prodhoheshin në Francën veriore, megjithëse disa prej tyre punoheshin edhe në Angli gjatë asaj kohe.
Zbulimi përfshin edhe gjëra personale të kujdesit, si heqës i dyllit të veshit, kruese dhëmbësh, piskatore, krehër dhe një tub që mund të ketë përmbajtur një kozmetikë të tillë, si laps për sy.
Marrë nga “The Guardian” Përktheu: Mirjetë Sadiku