Shtojca për Kulturë

“Vals i këputun” me kujtimet e mjegullta nëpër melodinë arbëreshe

Janë tre trupa që vazhdimisht ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Edhe kur njëri shkëputet, dy të tjerët vazhdojë. Komunikimi i trupave të tyre është thelbi i “Valsit të këputun”

E frymëzuar prej një kënge të vjetër arbëreshe, e cila ka mbetur në kujtesën kolektive prej shekujsh, si një motiv i mjegullt, “Vals i këputun” rigjen tingujt, bashkon trupat. Andaj dhe skenat i përmbahen këtij motivi. Shfaqja, nën regji dhe koreografi të Gentian Dodës, me muzikë të Çazar Aliajt, erdhi për herë të parë në Kosovë, në edicioni e dhjetë të “FemArtit”

Ndriçimi ka aq intensitet sa të dallohet se trupat po lëvizin. Që në fillim publikut i bëhet e qartë që nëpërmjet lëvizjeve në skenë, peshën tjetër më të madhe e ka muzika që vjen prapa saj. Trupat dalin duke u zvarritur. Dy trupa në njërin skaj e ndjekin njëri-tjetrin. E kanë të vështirë të lëvizin pa njëri-tjetrin. Në një lidhje të fortë të trupave mes vete është krijuar performanca “Vals i këputun”, e regjisorit Gentian Doda, e cila erdhi premierë në Prishtinë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në kuadër të edicionit të 10-të të fesitvalit “FemArt”, të premten mbrëma. Performanca realizohet duke u mbështetur në muzikën e kompozitorit Çezar Aliaj.

Është frymëzim nga një këngë e vjetër arbëreshe, e cila ka mbetur në kujtesën kolektive prej shekujsh, si një motiv i mjegullt. Andaj dhe skenat i përmbahen këtij motivi. Janë tre trupa që vazhdimisht ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Edhe kur njëri shkëputet, dy të tjerët vazhdojnë. Nëse njëri nuk ia del të ngrihet nga dyshemeja, tjetri i ofron kurajën në lëvizje që sinkronizohen me muzikën. Performanca është realizuar fillimisht në “Za Fest” në gusht të vitit të kaluar në Shkodër, më pas në Tiranë dhe së fundmi në Prishtinë.

Lëvizjet moderne në vallëzim, sipas koreografit Gentian Doda, duhet përherë të jenë mbështetje për të nxjerrë në pah motivet e artit tradicional

“Është hera e parë në Prishtinë. Për mua është kënaqësi e madhe. Kjo është komplet vepër e bazuar në motive shqiptare, është motivi i një kënge të vjetër arbëreshe. Kemi një vit që po e lëvizim këtë vepër. Në artin kontemporan është shumë e rëndësishme t’i japim jetëgjatësi tradicionales dhe folklorit”, ka thënë Doda për KOHËN.

Kah mesi i shfaqjes dëgjohet edhe zhurma e ujit. Atëherë trupat duket sikur nisin të largohen për t’i lënë vetëm gjurmët e tyre. Drita, që sa vjen e forcohet, “ringjall” lëvizjet e tyre në skenë. Duke u mbështetur në kurajën e njëri-tjetrit arrijnë të bëjnë hapa tutje. Jo rrallë duket sikur të tre trupat shkrihen në një.

“E gjithë shfaqja është si një përpunim i kujtimeve, i fragmente kujtimesh, që vijnë nga një kohë e papërcaktuar mirë në formë imazhesh”, ka thënë artistja e dance-teatrit, Rosella Pelliccioti. Performanca në skenë është e koncentruar e gjitha në vallëzimin e Pellicciotit, Fjorald Docit dhe Elton Cefas. Komunikimi i trupave të tyre është thelbi i “Valsit të këputun”.

“Në shfaqje një nga pikat kyç që jemi munduar të punojmë gjatë gjithë kësaj kohe është pikërisht lidhja me njëri-tjetrin. Çdo lëvizje në vetvete nuk ka një kuptim të caktuar, por kur bëhet në relacion me një trup tjetër, atëherë merr një kuptim”, ka thënë tutje Pelliccioti. Artistët edhe kur janë të lidhur me njëri-tjetrin synojnë lirinë për të lëvizur. Realizimi i saj për artistët e produksionit ‘Was bleibt kollektiv” është përherë sfidë më vete.

“Shfaqja është shumë e lodhshme për t’u bërë. Është një proces i gjatë, shumë i vështirë, por shumë i bukur. Të punosh me koreografin Gentian Doda është si të bësh shkollë në vete”, ka thënë artisti Elton Cefa.

‘Was bleibt kollektiv’ është një nismë e koreografit të mirënjohur botërisht, Gentian Doda, një bashkëpunim mes artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Fokusi i tyre qëndron në zbulimin e gjendjes njerëzore nëpërmjet lëvizjes (ose mungesës së saj).

Koreografi Robert Nuha e ka vlerësuar shfaqjen si një mundësi unike për ata që duan ta ndjekin artin e vallëzimit bashkëkohor.

“Shfaqja është e nivelit evropian. Është shfaqje e danceit bashkëkohor, e cila te ne në Kosovë ende mungon përkundër tendencave. Kjo që e pamë është shumë e mirë për kërcimtarët, të cilët duan të zhvillohen në dance bashkëkohor”, ka thënë koreografi Robert Nuha për KOHËN.

Festivali i parë feminist në vend dhe rajon “FemArt” do të vazhdojë të shpalosë aktivitetet deri më 23 qershor. Edicioni i 10-të i festivalit këtë vit zhvillohet nën moton “Nga Evolucioni në Revolucion” me të cilën festivali feston një dekadë të njohjes dhe nderimit të guximit të grave artiste dhe aktiviste, fuqisë kreative dhe angazhimit të tyre për barazi e drejtësi.