Krahas hedhjes së dyshimeve rreth masakrës së Reçakut, plani serb “Patkoi” është edhe një tjetër rast që u politizua skajshmërisht nga një pjesë e mediave dhe politikanëve gjermanë, kryesisht nga grupe politike me orientim majtist. Në anën tjetër, qeveria e koalicionit kuq-gjelbër si dhe opozita me orientim djathtist (CDU, CSU dhe FDP) mbronin qëndrimin e vet se fushata e spastrimit etnik në Kosovë ishte dëshmia më e mirë e ekzistimit të planit “Patkoi”, i cili po përdorej si instrument për serbizimin e Kosovës. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping, këmbëngulte se kishte në dorë planin serb “Patkoi”. “Ushtarët serbë kanë vrarë gra shtatzëna e ua kanë nxjerrë foshnjat nga barku”, do të thoshte ai, duke shtuar se me “kokat e të vrarëve kishin luajtur futboll”
Pavarësisht kritikave të një pjese të opozitës, ministri gjerman i Mbrojtjes këmbëngulte se kishte në dorë planin serb “Patkoi”, i cili nuk mund të shpalosej në hollësi shkaku i konfidencialitetit. Në një konferencë shtypi më 16 prill 1999, afërisht një muaj pas fillimit të bombardimeve, Rudolf Scharping i bëri të njohur shtypit njoftimet më të reja lidhur me luftën në Kosovë, përkatësisht për krimet serbe mbi popullsinë civile shqiptare: “Ushtarët serbë kanë vrarë gra shtatzëna e ua kanë nxjerrë foshnjat nga barku”, duke shtuar se me “kokat e të vrarëve kishin luajtur futboll.”
Scharping – edhe në librin e tij ditar për luftën e Kosovës – ka mbrojtur qëndrimin se dëbimi sistematik dhe vrasjet masive nuk ishin një politikë e rastit e regjimit të Millosheviqit. Sipas tij, operacionet ushtarake dhe policore serbe kundër popullsisë shqiptare në Kosovë ndodhën shumë kohë para hartimit të një plani të tillë.
Nga ana tjetër, Winfried Nachtwei, anëtar i partisë gjermane ekologjiste “Aleanca 90/Të gjelbrit”, në Komisionin e Mbrojtjes e kundërshtonte me forcë konstatimin e homologut të tij partiak, Joschka Fischer, për ekzistimin e planit operacional të serbëve për luftën në Kosovë dhe synimin e tij për ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike në Kosovë. Nachtwei vlerëson se ky plan nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm për deputetët e Bundestagut gjerman, por kishte një rol të veçantë për publikun e gjerë, meqë një zhvillim i tij mund të shihej si dëshmi për politikën dëbuese serbe. Ka qenë një gabim i deputetëve gjermanë që “nuk kanë menduar në mënyrë radikale e konsekuente lidhur me alternativën e sulmeve ajrore”, pohon Nachtwei, duke bërë aluzion se nuk janë përdorur maksimalisht mjetet politike dhe diplomatike për arritjen e një zgjidhjeje paqësore. “Edhe më tej kam shumë pikëpyetje nëse është bërë gjithçka”, pohon ky politikan kur flet për angazhimin e Bundeswehrit në konfliktin e Kosovës. Më kritik në këtë drejtim ishte deputeti gjerman nga radhët e PDS-së, një trashëgimtar i ish-komunistëve gjermano-lindorë, Gregor Gysi, i vetmi politikan gjerman që shkoi në Beograd dhe u takua me Milosheviqin në kohën e bombardimeve të NATO-s, por që me asnjë fjalë nuk e kishte dënuar fushatën e spastrimit etnik. Në këtë kontekst ai kishte vënë në dyshim ekzistencën e planit “Patkoi”, me argumentin se plani i tillë quhej sipas fjalës kroate “Patkova” dhe ekspertët ushtarakë serbë nuk do të hartonin një plan të tillë në këtë gjuhë.
Rudolf Scharping në Bon, më 27 prill 1999, në një konferencë për media duke prezantuar fotografinë që dëshmon ekzekutimin e shqiptarëve në Rogovë nga forcat serbe
Një vit pas sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë...
Një vit pas sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur, në Bundestagun gjerman më 5 prill 2000 sërish do të zhvilloheshin diskutime kundërthënëse për përmbajtjen dhe publikimin e origjinalitetin e dokumentit “Operacioni Patkoi.” Pretendimet e një pjese të opozitës dhe raportimet kritike të mediave se ka pasur manipulime të fakteve nga Perëndimi me rastin e përgatitjes të operacionit ushtarak të Aleancës Atlantike kundër regjimit të Milosheviqit, ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, i vlerëson si të pavërteta të gjitha pikëpamjet që vënë në pikëpyetje ekzistencën e planit “Patkoi” dhe masakrën e Reçakut.
Ministri i Jashtëm gjerman thotë se plani ushtarak “Patkoi” nuk kishte pasur "funksioni e shkaktarit” të ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit të Beogradit, duke qartësuar se ky plan ishte bërë i njohur në Gjermani tek në fillim të prillit 1999 përmes shërbimeve inteligjente. Për më tepër, sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur kishin filluar më 24 mars 1999, pasi sipas UNHCR-së në këtë periudhë mbi 200 mijë shqiptarë në Kosovë ndodheshin në arrati, ndërsa 100 mijë të tjerë tashmë ishin larguar jashtë vendit.
Deputeti Heidi Lippmann (PDS) e kishte pyetur ministrin e Mbrojtjes lidhur me origjinalitetin e dokumentit "Operacioni Patkoi". Sipas tij, udhëheqja ushtarake serbe synonte dëbimin në mënyrë sistematike dhe të plotë të popullsisë shqiptare dhe kërkonte prova për qëllimet e atëhershme për shkatërrimin e njësiteve ushtarake të UÇK-së. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping, kishte përsëritur deklaratat e tij të mëhershme në lidhje me ekzistencën e planit “Patkoi”, duke shpjeguar se burimet origjinale kishin konfirmuar se qëllimi i operacionit “Patkoi” ishte neutralizimi i UÇK-së. Sipas ministrit gjerman, dëbimi i popullatës shqiptare nga Kosova me qëllim të ndryshimit të dhunshëm rajonal dhe demografik në Kosovë ishte gjithashtu pjesë e planeve serbe dhe një gjë e tillë ishte konfirmuar nga zhvillimet në terren.
Ai tërhiqte vëmendjen e Bundestagut se “në momentin e Marrëveshjes Holbrooke–Milosheviq, brenda Kosovës ishin dëbuar 200.000 shqiptarë, ndërsa jashtë Kosovës kishte 98.000 të dëbuar. Në periudhën e bisedimeve në Rambouillet, brenda Kosovës kishte 210.000, ndërsa jashtë Kosovës 50.000 të dëbuar. Ndërsa në momentin e bisedimeve në Paris u rrit numri i të dëbuarve jashtë Kosovës – në 60.000 të dëbuar. Më 24 mars 1999, numri i të dëbuarve në Kosovë ishte 250.000, ndërsa jashtë Kosovës kishte 100.000 të dëbuar. Në këtë pikë, këto zhvillime konfirmojnë atë që ne kemi si material burimor”. Nga ana tjetër, eksperti i SPD-së për Politikë të Jashtme, Gernot Erler, foli për një debat të çuditshëm dhe drithërues, që është fokusuar me ngulm për punën e ministrit të Mbrojtjes, Rudolf Scharping, i cili si në Gjermani dhe jashtë saj kishte fituar respekt të madh për angazhimin e tij përkrah Aleancës Atlantike nga përqendrimi në operacionin “Patkoi”, ekzistencën e tij dhe emërtimet variant “Potkova” apo “Potkovica”.
Provat për dëbimin e shqiptarëve dhe CIA
Në këtë debat ai foli edhe për artikullin e 8 prillit 1999 të revistës "The Times", në të cilin ishin publikuar provat se metodat e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova ishin përgatitur prej shumë muajsh dhe pastaj fjalë për fjalë konstatohej: “CIA kishte mësuar qysh në vjeshtë 1998 për një plan me emrin e koduar “Operacioni Patkoi”, me qëllim për brenda disa muajve vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve”.
Por, disa deputetë në Komision i kishin kërkuar Scharpingut shpjegime të mëtutjeshme. Zëdhënësi i CDU-së për Politika të Mbrojtjes, Paul Breuer, deklarimet e Scharpingut i cilësonte të pamjaftueshme. Ndërsa deputeti Karl Lamers i unionit CDU/CSU deklaroi në Bundestag se operacioni “Patkoi” dhe Raçaku luajnë edhe sot një rol të madh, për shkak se përfaqësuesit e qeverisë federale një vit më parë i kishin përdorur në "formë moralisht të tepruar". Kurse Christian Schmidt (Fürth) (CDU/CSU) kujton se ky përdorim "i tepërt”, para së gjithash, i kishte shërbyer qeverisë në debatet e Bundestagut, sidomos për ta bindur të majtën në kampin e tyre qeveritar për domosdoshmërinë e angazhimit të NATO-s.
Derisa deputetja nga radhët e formacionit politik ekologjist, Aleanca e Gjelbër, Angelika Beer, e mbronte edhe një herë si të paalternativë vendimin e një viti më parë të qeverisë federale për operacionet ajrore kundër Jugosllavisë së mbetur, kolegia nga radhët e grupit të saj partiak Annelie Bunde Bach e kritikonte këtë pikëpamje dhe kërkonte shpjegime të plota për Reçakun dhe operacionin “Patkoi”. Beer theksonte po ashtu se popullata gjermane kishte dëshmuar gatishmëri dhe zemërgjerësi për situatën e krizës dhe se shteti gjerman kishte pranuar refugjatë të luftës. Nga Kosova, për shkak të rrethanave të cilat mbretëronin atje, kishin ardhur në Gjermani mbi 200.000 persona.
Zërat kritikë për “planin e shpikur”
Një zë kritik në skenën gjermane jashtë Bundestagut lidhur me përfshirjen e Gjermanisë në operacionet e NATO-s në luftën e Kosovës është edhe gjenerali i dikurshëm i armatës gjermane, Heinz Loquai, i cili mbante një qëndrim kritik lidhur me pohimet e Ministrisë gjermane të Mbrojtjes se kishte në dispozicion planin “Patkoi”, duke pretenduar se qeveria gjermane kishte vetëm indikacionet për një plan të tillë. Loquai dhe bashkëmendimtarët pretendonin se plani ishte shpikur për ta arsyetuar pjesëmarrjen e Gjermanisë në këto bombardime.
Në vitin 2001, kanali televiziv gjerman WDR, në dokumentarin “Es begann mit einer Lüge”, pretendon se e gjithë historia ishte fiktive dhe shërbeu vetëm për t’i përligjur operacionet ushtarake të NATO-s, përkatësisht përfshirjen e ushtrisë gjermane në këtë operacion ushtarak. Ky raport, nga ana tjetër, ishte cilësuar si raportimi i njëanshëm nga gazetari i njohur Matthias Rüb (FAZ) dhe nga Claus Christian Malzahn (Der Spiegel), të cilët u kritikuan për pasqyrim selektiv të dëshmive dhe për metoda "të papastra" të kërkimit. Kësaj kritike iu bashkuan edhe gazetari dhe themeluesi i organizatës humanitare “Cap Anamur”, Rupert Neudeck, dhe deputeti i Bundestagut Norbert Blym (CDU), të cilët kontestuan gjetjet e filmit të WDR-it.
Nga sa u tha më sipër duket qartë se qarqet politike dhe mediat që kontestuan të drejtën e ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës në të njëjtën kohë kontestuan edhe ekzistencën e planit “Patkoi”, si dhe të masakrës së Reçakut, duke akuzuar qeverinë federale dhe NATO-n për mungesë vullneti për t’i shfrytëzuar mundësitë politike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Për ta përligjur një qëndrim të tillë u operua me konstruksione të ndryshme, gjysmë të vërteta dhe teori të komplotit, vetëm e vetëm që të kontestohej ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike në evitimin e katastrofës humanitare në Kosovë dhe për dhënien fund të vrasjeve e dëbimeve masive të popullatës shqiptare. Në këtë kontekst, krahas hedhjes së dyshimeve rreth masakrës së Reçakut, plani serb “Patkoi” është edhe një tjetër rast që u politizua skajshmërisht në nga një pjesë e mediave dhe politikanë gjermanë, kryesisht nga grupe politike me orientim majtist.
Në anën tjetër, qeveria e koalicionit kuq-gjelbër si dhe opozita me orientim djathtist (CDU, CSU dhe FDP) mbronin qëndrimin e vet se fushata e spastrimit etnik në Kosovë ishte dëshmia më e mirë e ekzistimit të planit “Patkoi”, i cili po përdorej si instrument për serbizimin e Kosovës. Sipas tyre, ishte kjo ndërhyrje ushtarake që ia pamundësoi udhëheqjes serbe arritjen e këtij qëllimi. Në fund, fushata ajrore e NATO-s përcaktoi dështimin e realizimit të planit “Patkoi”, sipas të cilit ushtria, paraushtarakët dhe policia serbe ndiqnin në mënyrë sistematike strategjinë e tyre vrasëse dhe të dëbimit kundër shqiptarëve të Kosovës. Duke analizuar fushatën e dëbimit sistematik dhe vrasjet masive të shqiptarëve të Kosovës, sidomos gjatë largimit të misionit mbikëqyrës (Kosovo Verification Mission - KVM) të OSBE-së, mund të pohohet pa diskutim për ekzistencën e planin serb “Patkoi”. Prandaj, ishte absurde që të krijohej një ndërlidhje midis sulmeve ajrore të NATO-s dhe valës së dëbimeve deri në qershor të vitit 1999, pasi ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike në Kosovë ishte një kërkesë permanente dhe këmbëngulëse e elitës dhe e popullatës shqiptare, me qëllim që t’i jepej fund krimit shtetëror serb në Kosovë.