Shtojca për Kulturë

Udhëtimi nëpër perlat poetike të Armend Rexhepagiqit

Hitet e pavdekshme të kantautorit janë dëshmi e rrugës së suksesshme muzikore – këngë poetike që fuqishëm kapin emocione dhe janë universale. Si mjeshtër në zanatin e tij, Rexhepagiqi i ka dhuruar krijimtarisë muzikore të vendit margaritar të njëpasnjëshme. Muzikëdashësve një bagazh me këngë që u rezistojnë kohëve, gjithmonë tërheqëse për t’u zhytur në to

Që në fillim, vihet në pah dëshmia për një përjetim unik muzikor. Kjo, nuk është çudi. Armend Rexhepagiqi gjithmonë ka arritur të prekë publikun me melodi të fuqishme dhe tema universale që shtrihen në këngët e tij. Të enjten, nuk pati gjë ndryshe. Hyri fuqishëm me hitin “Shkel”, pa fjalë e përshëndetje. Mjaftuan meloditë e para që publiku, i shpërndarë nëpër hapësirën e Festivalit të Gastronomisë, të mblidhej rreth skenës. Pjesa tjetër ishte shpërthim emocionesh në koordinim me tingujt.

Tandemi muzikor

Për më shumë se një orë sa zgjati koncerti, publiku nuk ndaloi asnjëherë së shoqëruari këngëtarin. E kishe të pamundur të mos mendoje se a ishte ndonjë që nuk u përfshi i gjithi në këtë eksperiencë muzikore, ose që i dinte vetëm hitet. Një shikim vërdallë dhe nuk shihje asnjë person të tillë. Dëshmi e një tandemi të përkryer që shpërfaqi lidhjen e fuqishëm të krijuar ndër vite – këngë pas këngë – në mes të kantautorit dhe audiencës.

“Sa mirë që i kam këngët e lehta”, do t’i thoshte Rexhepagiqi publikut me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë. I emocionuar do të shfaqej fill pas interpretimit të këngës “Edhe një herë”. Dhe titulli ka edhe një tjetër kuptim. Publiku kaherë e ka pritur e kërkuar kantautorin “edhe një herë”.

“Tani thonë se nuk ka rëndësi teksti, mirëpo sa mirë është t’ju shoh duke i kënduar vargjet e tilla, jo pse janë tonat, por sepse i këndoni me aq zemër e aq bukur. Një moment i paharruar në jetën time”.

Agnesa Qerimi, ishte veç një nga fansat e flakët të artistit. Si për dëshmi të dashurisë që ndjen për të ndan edhe një detaj personal. Për KOHËN tregon sesi i kishte ndodhur që ta shihte këngëtarin edhe në ëndërr, duke i kënduar në ditëlindje.

“Ishte një mbrëmje e mrekullueshme për ne po vërehet edhe nga zëri që jemi shterur dhe e kemi shijuar jashtëzakonisht shumë. Është idhulli i të gjithë neve që kemi qenë këtu sonte”, ka thënë tutje ajo.

Mes hiteve të tjera të kënduara gjatë koncertit ishin edhe: “Tavolina e mërzisë” (Elvana Gjata, 2019), “A po gëzohesh” (Vesa Smolica, 2022), “Tani m’ke zemër” (Tuna, 2019), “Bileta”(Tuna, 2007), ), “Harrova”, “Kur dashuria vdes”, “Dugi”, “Kam kojshiken”, “Kalle, Kalle” e “Dude Dudije”.

Vargje t’zemrës

Për dallim nga koncertet në sheshe ku mosha e publikut është zakonisht adoleshente, Rexhepagiqi ka një publik më të rafinuar. Kjo nuk bën që të mungojë laramania e gjeneratave. Edhe vetë ai është në dijeni për këtë. Me kujdes ka krijuar një repertor që përfshin këngë nga fillimet e karrierës deri të hitet e fundit. Një balancim i kujdesshëm, që përfundoi me hitin “Dashurinë ku e kam”.

“Sa kënaqësi të këndoni këto vargje me kaq zemër e kaq bukur”, do t’i drejtohej publikut Rexhepagiqi. Ai para çdo kënge i drejtohej publikut me disa fjalë. “Unë kësi tipi jam, pak baladë, pak humor”, do t’u thoshte.

Për publikun, tregimet e tij ishin si gjëegjëza. Audienca bazuar në to përpiqej t’ia qëllonte se për cilën këngë bëhej fjalë. Një moment si në baste, kur me të dëgjuar tingujt e parë konfirmohej se kush ia kishte qëlluar.

Image
“Tani thonë se nuk ka rëndësi teksti, mirëpo sa mirë është t’ju shoh duke i kënduar vargjet e tilla, jo pse janë tonat, por sepse i këndoni me aq zemër e aq bukur. Një moment i paharruar në jetën time”, ka thënë Armend Rexhepagiqi, në koncertin e 20 korrikut në Prishtinë (Foto: Komuna e Prishtinës)

Arbër Selmani, një ndjekës i kamotshëm i krijimtarisë së artistit ishte mes atyre që ia dha këngës me sa kishte zë.

“Unë jam fans i çmendur i Armendit. Edhe në librin tim (v.j. “Kosova në 14 tregime kulturore”) e kam një intervistë me Armendin edhe sot secilën këngë e kemi kënduar bashkë me të, me modestinë e tij. Është legjendë, është shkollë, për mua është institucion Armendi, për këtë e kam shkarkuar tërë atë eufori edhe ia kalova tepër mirë”, ka thënë Selmani, i cili për herë të parë ndoqi live një koncert të këngëtarit.

Ai ka treguar se është rritur me këngët e Rexhepagiqit, i cili sipas tij, ka dhënë një për qind të krijimtarisë së tij dhe asaj çka ai mundet të dhurojë.

“Nuk e di a ekziston një fjalë për versionin ‘diva’ të një mashkulli, por cilado që është ajo fjalë, është Armendi. Për vite e vite ka kultivuar muzikë, ka shkruar muzikë. Është intelektual, jo vetëm në muzikë”, ka thënë Selmani i cili këngë të preferuar e ka “Edhe një herë” dhe “Betohem në këngë”. Me zë të ngjizur nga kënga, tregoi se për të “Edhe një herë” është kulmi artistik i bagazhit muzikor të artistit dhe Aida Barakut.

Rexhepagiqi u shoqërua nga Florent Boshnjaku (sint), kitaristi Valon Gashi, bateristi Ardian Bakalli, basisti Toni Zhubi, pianisti Ilir Bajri dhe vokalistet Elona Sadiku dhe Andra Rexhepi.

Pritja e ëmbël

Vetë këngëtari ka kohë që e kishte dëshiruar një koncert të tillë, me publik para vetës. I kishte përvjelë mëngët për ta realizuar para dy viteve. COVID -19 ia kishte ndryshuar planet. Rikthimin me koncert më 28 shkurt të 2021-ës e pati bërë vetëm virtualisht. Mbajti koncertin e titulluar “Edhe një herë” në “KlanArena”. I njëjti u transmetuat në rrjete sociale e platforma televizive por prania e publikut i pati mbetur peng.

“Shumë dua të mbaj koncerte normale me publik – jo online dhe televizive. Shpresoj sa të përfundojë pandemia, të fillojmë me koncerte të mëdha në të cilat vërtetë mund të krijojmë spektakël me çdo komponent të tij”, do të shprehej dy ditë para koncertit në një intervistë për “Klan Kosovën”.

Emocionin për dëshirën që e ka plotësuar, nuk e fshehu as gjatë performancës në sheshin “Adem Jashari” ku për 7 ditë do të vazhdojë edicionin e tij të tretë Festivali i Gastronomisë.

“Aq shumë ju kam pritur” do t’i drejtohej publikut që në fillim të koncertit. Më pas do ta falënderonte publikun për emocionin që po i jepte.

“Do të më mbetet përgjithmonë në kujtesën time, deri sa të jem gjallë”.

Rexhepagiqi tregoi se barra mbi të nuk ishte e lehtë për një organizim të tillë. Kishte marrë komente se koncerti i kaluar ishte përkrahur edhe për shkak të nostalgjisë për të dëgjuar muzikë gjatë kohës së izolimit ku njerëzit kishin nevojë për interaksione të çfarëdoshme.

Tani kur situata është normalizuar, muzika duhet të ishte kryefjala. Brohoritjet, pjesëmarrja e përkrahja – ose të kundërtat e tyre: fishkëllimë, mospjesëmarrja, mospërkrahja – të gjitha do t’u faturoheshin veç meritave të artistit. Rexhepagiqi tregoi se Lena, një mike e tij, ishte ajo që ia kishte kujtuar diçka të tillë. E njëjta i kishte thënë se me miket e saj pushonte nga pak çdo ditë për të pasur energji për koncertin.

“I lumi unë për fansat e mia që pushojnë nga një orë çdo ditë që të kenë energji për sonte. Edhe unë kam pushuar, prandaj vazhdojmë të kënaqemi me diçka që do t’u pëlqejë”, tha Rexhepagiqi kur e nisi këngën “A don hala” (Tuna, 2019).

Ai nuk ka pse shqetësohet për komentet. Kritikat pozite filluan që të shfaqeshin menjëherë pas koncertit. Vërshuan veçanërisht rrjetet sociale. Mes tyre ishte edhe profesoresha e muzikës Besa Luzha.

“Ikona muzikore e Prishtinës dhe e gjithë pop-muzikës shqipe”, iu referua Rexhepagiqit. E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama shkroi: “Një natë e magjishme, nën tingujt fantastik të kantautorit Armend Rexhepagiqi, i cili me këngët e tij na bëri të përjetojmë momente të paharrueshme dhe të mbushura me nostalgji”. Megjithatë magjia e vërtetë, ishte të përjetimi live.

Ani pse mesnata afrohej as publiku dhe as Rexhepagiqi nuk shfaqnin shenja lodhjeje. Është normale të presësh rënie të energjisë, por kjo nuk ndodhi. Në fakt, ishte vështirë të dalloje se kush është me euforik: publiku apo artisti. Këtu fshihet veçantia e Rexhepaqiqit. 55-vjeçari që vazhdon të jetë i pranishëm në skenë si tekstshkrues, arrin të mishërohet me audiencën.

“Faleminderit, ju puth, ju përqafoj, shihemi përsëri, shumë shpejt”, ishin fjalët e tij gjersa largohej nga skena. Publiku thërriste në anën tjetër, thërriste: “Edhe një”. Si jehonë për një këngë më shumë për këtë natë, një kompozim të ri, apo për adhuruesit e flaktë një prurje e tij e re si plotësim i pritjes së kamotshme. “Edhe një herë”, si në këngën e tij, me Armend Rexhepagiqin.