Janë muajt e verës së vitit 1966 kur akoma askund nuk dëgjohet asnjë informacion rreth “Aksionit të mbledhjes së armëve” në Kosovë. Megjithatë, kjo çështje u vendos në rend të ditës në fillim të muajit shtator thuajse paralel me fillimin e vitit të ri shkollor, më saktësisht më 2 shtator kur në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv u shqyrtuan materialet nga mbledhja e gjashtë e Komitetit Qendror. Ndër materialet e arkivuara më i plotë është edhe raporti i Veli Devës që do të shpaloste detaje rrëqethëse të sjelljes së UDB-së rankoviqiane në Kosovë
Verë, 1966: Të gjitha rrugët çojnë në Brione të Kroacisë
Dita e 16 qershorit të vitit 1966 ishte ditë e zakonshme në Beograd. Por, gjithçka kishte ndryshuar në orën 17:00 të kësaj dite, kur në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, për herë të parë ishin zyrtarizuar të dhënat për përgjimet që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i kishte bërë dhe organizuar me urdhrin e Alekdandar Rankoviqit. Në këtë mbledhje ishte thënë se mjetet e përgjimit ishin vendosur në hapësirat e banimit të Josip Broz Titos dhe ideologut të vetëqeverisjes jugosllave Edruard Kardelit (1910-1979).
“Mbledhja u mbajt në rezidencën e Titos. Duke e afruar raportin e tij ai tha: ‘Jam i sigurt se edhe te ju janë vendosur aparate të tilla. Ato që i dëgjova prej Titos ma turbulluan kokën dhe në disa momente thuajse fizikisht nuk isha aty. Por, një gjë e kisha të qartë se njerëzit që deri më tani kishin punuar me mua, do të bartin pasoja. Ndërsa, unë vetë që prej atij momenti i lava duart prej të gjithëve”, ka kujtuar Rankoviq. “Në fjalën time të shkurtër thashë se nuk më ka mbetur tjetër pos t’i lë në dispozicion të gjitha funksionet e mia (të jap dorëheqje) dhe me këtë të ndihmoj që të zbardhen këto dyshime! ‘Të japësh dorëheqje edhe nga funksioni i nënkryetarit të republikës’ – shtoi Titoja! ‘Po – ia ktheva shkurt’”, i ka përshkruar momentet e mbledhjes vetë Aleksandar Rankoviq, duke e potencuar prapë “se do të jepte dorëheqje sepse e kishte udhëhequr Shërbimin Sekret që nga koha e luftës deri në vitin 1952, por edhe për shkak të pjesëmarrjes aktive në formimin dhe ndërtimin e shërbimit sekret apo UDB-së”.
Vetëm katër ditë pas mbajtjes së kësaj mbledhjeje, gjegjësisht më 20 qershor 1966 me procedurë të shpejtë me kërkesë të vetë Titos u mbajt mbledhja e Komitetit Ekzekutiv ndonëse komisioni i formuar enkas për hetimin e çështjes ishte zgjedhur katër ditë më herët dhe në të bënin pjesë figura të njohura përfaqësuese prej të gjitha republikave të ish-Jugosllavisë, pra pa përfaqësuesin e Kosovës apo të Vojvodinës. Në krye të, siç ishte emëruar, Komisionit për Verifikimin e Fakteve rreth Çështjes së Përgjimit, ishte emëruar Kërste Crvenkovski (Maqedoni) dhe anëtarët Franc Popit (Slloveni), Miko Tripallo (Kroaci) Gjuro Pucar (Bosnjë-Hercegovinë) Bllazho Jovanoviq (Mali i Zi) dhe Dobrivoje Radosavljeviq (Serbi). Mesazhi kryesor i kësaj mbledhjeje me siguri se mund të përmblidhet në vetë deklaratën e Titos pasi ai e kishte bërë me dije se “kishte dy vjet që kishte dashur ta ndërmerrte këtë veprim por kishte qenë i bindur se pas një fushate të ngritur, gjithçka do të fitonte interpretim antiserb”. Ndërsa në vijim mbledhja e rëndësishme e radhës, por tashmë me masa të ngritura të sigurisë, është mbajtur vetëm dy ditë më vonë në ndërtesën e atëhershme të qeverisë federale dhe në të janë paraqitur të dhënat e para të Komisionit Verifikues.
Lutja e Qosiqit dhe pësimi i sulmit në zemër
Pas mbledhjeve të mbajtura në Beograd, kreu shtetëror politik, ushtarak dhe ai i sigurisë ishin nisur drejt Brioneve të Kroacisë. Kështu më 1 korrik të vitit 1966, në ora nëntë të mëngjesit në hotelin “Istra” të këtij qyteti kishin nisur punimet e Mbledhjes së Katërt të KQ-së së LK-së së Jugosllavisë, apo siç është e njohur në opinion Plenumi i Brioneve. Paraprakisht, sipas dëshmisë me shkrim të publikuar në librin “Shënimet e shkrimtarit” (1951 – 1968) krye-ideologu i nacionalizmit serb të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, Dobrica Qosiq (1921-2014) ishte ndër të parët që i kishte dalë në mbrojtje krye-udbashit Aleksandar Rankoviq! Madje ai i kishte drejtuar një letër kreut jugosllav Titos, vetëm tri ditë para mbajtjes së Plenumit të Brioneve.
“Ju e dini shumë mirë se Aleksandar Rankoviq është personaliteti më autoritativ, moral dhe politik i revolucionit jugosllav pas jush dhe ai e gëzon autoritetin dhe dashurinë e klasës punëtore. Sa i përket Serbisë, ajo e sheh Rankoviqin gjithmonë pranë jush dhe me ju. Pa ju, Aleksandar Rankoviqi nuk do të thotë shumë, por edhe ju pa të do të jeni më i dobët! Unë po ju bind se me rënien e Rankoviqit në Serbi do të nisë procesi i dezintegrimit moral, politik, nacional dhe do të zërë fill përçarja në të cilën do të gjenden gjenerata dhe ato do ta kenë shumë vështir ta mbijetojnë dhe ta tejkalojnë atë. Kam frikë se pas rënies së tillë të Aleksandar Rankoviqit as Titoja nuk do të jetë ai që ka qenë më parë, por as Lidhja Komuniste e Jugosllavisë nuk do të jetë ashtu siç bota e kupton si avangardë dhe renesancë të socializmit, dhe tejkalim i të gjithë asaj që e përbën epokën e stalinizmit”.
Letra e Qosiqit e mban datën e 28 qershorit të vitit 1966, ndërsa tashmë qysh në orët e para të pasdites së 1 korrikut, kishte nisur emetimi i materialeve dhe fjalimeve të plenumit, sidomos nëpërmes radiostacioneve zyrtare.
Rankoviq: Natën midis 30 qershorit dhe 1 korrikut pësova sulm në zemër!
Në mesnatë midis 30 qershorit dhe 1 korrikut, vetëm pak orë para fillimit të Mbledhjes së Katërt të KQ-së së LKJ-së, përgjegjësit ia kishin sjellë materialet që Rankoviq duhej t’i lexonte.
“U befasova kur e pashë se çfarë thuhej në materialet dhe në raportin për mua dhe shokët e mi! Midis 16 qershorit, të mbledhjes së parë të Komitetit Ekezekutiv të KQ-së së LK-së së Jugosllavisë dhe 1 korrikut të Plenumit në Brione, plotësisht u përjashtova dhe u anashkalova prej të gjitha funksioneve. Gjatë kësaj kohe ishin intensive përgatitjet dhe u mbajtën mbledhjet e mbyllura të grupeve me anëtarët e KQ-së. Një ditë para mbajtjes së Mbledhjes së Katërt të KQ-së së LKJ-së, përveç tre shokëve me mua më nuk përshëndetej askush. Në rrethana të tilla, natën midis 30 qershorit dhe 1 korrikut pësova sulm në zemër, ka shkruar famëkeqi Rankoviq. “Gjatë natës u përgatita që diskutimin tim ta lexoja, pasi nuk do të kisha fuqi të flisja”, kishte shtuar ai.
Veli Deva: Në Kosovë shqiptarët janë vrarë, rrahur, plaçkitur, në stacionet e milicisë ka pasur edhe dhunime të grave kosovare!
Ndonëse në opinionin e Serbisë së atëhershme, por edhe më vonë, shkarkimi i Aleksandar Rankoviqit u përjetua si sulm mbi Republikën Socialiste të Serbisë dhe kombin serb, strukturat shtetërore të Jugosllavisë së atëhershme megjithatë nuk pushuan së vepruari, por tashmë në “frymën e re” dhe “të përkushtuara” që më në fund ta nisnin “qërimin e hesapeve” me politikën rankoviqiane që i kishte mbërthyer thuajse të gjitha institucionet. Pra, janë muajt e verës të vitit 1966 kur akoma askund nuk dëgjohet asnjë informacion rreth “Aksionit të mbledhjes së armëve” në Kosovë! Megjithatë, kjo çështje u vendos në rend të ditës në fillim të muajit shtator thuajse paralel me fillimin e vitit të ri shkollor, më saktësisht më 2 shtator kur në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv u shqyrtuan materialet nga mbledhja e gjashtë e Komitetit Qendror. Pasi u bë një informim i anëtarëve të komitetit mbi “çështjet” (në dokument qëndron problemeve - S. L.) politike në Kosovë dhe Dukagjin, që ishin pasojë e keqpërdorimeve të zyrtarëve të Punëve të Brendshme, komiteti rekomandoi që Komiteti Krahinor i Kosovës ta përpilojë raportin mbi problemet aktuale, të cilat do të shqyrtohen më pas në Komitetin Ekzekutiv të KQ-së së LK-së së Serbisë. Ndër materialet e arkivuara, më i plotë është edhe raporti i Veli Devës i paraqitur në rrethin e ngushtë të dhjetë anëtarëve të KQ-së së LK-së së Serbisë.
Megjithatë, gjykuar në bazë të vëllimit të materialeve arkivore, mund të thuhet se si tubim politik më me rëndësi në atë kohë për Kosovën pas Plenumit të Brioneve mbetet Plenumi i Gjashtë i KQ-së së LK-së së Serbisë (në dokumente arkivore, herë quhet mbledhje, e herë plenum S. L.) që i zhvilloi punimet më 14 dhe 15 shtator 1966. Prandaj mund të thuhet se raporti i Veli Devës, njëherësh ia dha kahen e duhur vetë plenumit që më në fund “Aksioni i mbledhjes së armëve” në Kosovë dalëngadalë ta linte në prapavijë vizitën tashmë të përfolur në Bashkimin Sovjetik të Aleksandar Rankoviqit, por edhe përgjimin e Titos. Të kujtojmë se njëra ndër akuzat dhe dyshimet më të mëdha që Titoja i shfaqi kundër Rankoviqit, ishte vizita e këtij të fundit dhe qëndrimi në Rusi, si mysafir në Kongresin e PK-së së BRSS-së në pranverë të vitit 1966 kur Rankoviqi atje u prit dhe u trajtua si zëvendës i Titos”.
“Vendimet e Plenumit të Katërt të KQ-së së LKJ-së në Kosovë janë pranuar ngrohtë dhe me ndershmëri. Në këtë kohë janë mbajtur shumë tubime dhe mund të them se shumë prej tyre kanë zgjatur me orë, madje tërë natën”, ka sqaruar Deva duke shpalosur para anëtarëve të tjerë të KQ-së së LK-së së Serbisë detaje rrëqethëse të sjelljes së UDB-së rankoviqiane në Kosovë. “Unë personalisht kam prezantuar në shumicën e këtyre tubimeve dhe më duhet të them se diskutime ka pasur edhe në mjedise fshatare edhe pse shumë përfaqësues politikë në Krahinën Autonome të Kosovës, janë të mendimit se njerëzit në fshatra janë të padijshëm! Mu në njërin prej tubimeve të tilla e dëgjova parullën ‘se tani po çlirohemi për herë të dytë’. Deformimet që kanë ndodhur në punën e organeve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, janë të karaktereve të ndryshme: si grupore – fraksioniste që kanë nisur nga nivelet më të ulëta të pushtetit e deri te ato më të lartat. Tani do t’i përmendi dy raste. Një deputet popullor që më herët ka qenë shef i Punëve të Brendshme, në vitin 1949 e kishte pasur një grindje me një qytetar, i cili më vonë u bë bashkëpunëtor i Shërbimit të Brendshëm. Organet e Shërbimit të Brendshëm e ftuan më pastaj këtë bashkëpunëtorin e ri dhe ia kujtuan fyerjet që atij në vitin 1949 ia kishte bërë ish-deputeti dhe ish-shefi i Punëve të Brendshme, që tashmë po ashtu është deputet në Kuvendin e Serbisë! ‘A dëshironi të hakmerreni tani’, e kishin pyetur qytetarin ata të shërbimit! Ky qytetar kishte deklaruar se nuk ndihej i fyer, por e kishte parasysh se edhe deputeti ishte njeri i shtetit dhe bile kishte edhe revole zyrtare! ‘Mirë, mirë edhe ne do të japin revole’, i kishin thënë atij. Rasti i dytë po ashtu është i lidhur me një bashkëpunëtor të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, të cilit u ishte rrezikuar humbja e vendit të punës dhe për këtë në vendin ku jetonte ai ia kishte mësyrë zyrës së sekretarit të Komitetit Komunal, duke e kërcënuar sekretarin se fëmijët e tij do të mbeteshin pa babë! Sekretari i komitetit kishte arritur që t’ia merrte armën këtij bashkëpunëtori, por pas dy ditësh, ky preson kishte marrë pushkë dhe revole edhe atë me leje nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror!”

Më pastaj Deva kishte folur për fenomene të tjera me të cilat ishte ballafaquar Kosova dhe shoqëria shqiptare. “Një pjesë e deformimeve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, sipas dëshmive kanë të bëjnë me keqpërdorimet materiale dhe ato janë aq të mëdha saqë njeriu e ka vështir t’u besojë fakteve. Ka raste kur prej qytetarëve janë plaçkitur sasi ari e argjendi dhe në disa mjedise kjo plaçkitje ishte e përmasave të mëdha. Kështu, në një stacion të Shërbimit të Punëve të Brendshme, sot e kësaj dite qëndrojnë 60 qilima që janë plaçkitur prej qytetarëve shqiptarë. Emrat e njerëzve prej të cilëve janë marrë këta qilima nuk janë evidentuar fare. Përgjegjësit e Shërbimit të Punëve të Brendshme më thanë se qilimat i kishin marrë për shkak se u përngjanin flamurit shqiptar dhe kishin kombinim të ngjyrave kuq e zi! Kështu, Kryeshefi i Shërbimit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, kishte shkuar në fshatin Lipoc dhe pasi nikoqiri shqiptar e kishte pritur, e kishte ushqyer mirë, ai në fund ishte plaçkitur, ngase në të dalë prej shtëpisë së nikoqirit, kryeshefi ia kishte marrë qilimin atij! Duhet pasur parasysh se 90 për qind të qilimave në atë fshat ishin me ngjyra kuq e zi!
Më pastaj nuk ka qenë e rrallë praktika, kur punëtori (inspektori) i Shërbimit të Punëve të Brendshme ia ka dhunuar gruan qytetarit kosovar. Skema se si ka ardhur te dhunimi i grave kosovare ka qenë kështu: fillimisht në stacion të milicisë njëkohësisht janë ftuar të dy bashkëshortët dhe më pastaj punëtori i Shërbimit të Punëve të Brendshme e ka liruar burrin, ndërsa gruan e ka mbajtur në stacionin e milicisë duke e akuzuar atë se është armike e shtetit!”, ka deklaruar Veli Deva.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë