Të rinj që lexojnë në tren, në rrugë, në shkallët e bibliotekës, në kafene, pranë statujave, në sheshet e Prishtinës e shumë vende të tjera, janë pamje që mund të shihet në ekspozitën “Përmes lentës së leximit – Një përrallë e dy qyteteve”, e hapur të shtunën në mesditë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Janë gjithsej tridhjetë fotografi që u janë bërë të rinjve nga Kosova e Shqipëria. Që të gjitha janë në bardhezi dhe qëllimi i tyre është që të kthejë dëshirën dhe nostalgjinë për lexim.
U ishte dukur se dashuria për leximin kishte nisur të zbehët. Këtë e kishin vërejtur si në rrjetet sociale, ashtu edhe në media e në shoqërinë përreth. Kjo arsyeja që Klea Ismaili dhe Mondi Dauti ishin bërë bashkë në atë që më vonë do të merrte emrin “Përmes lentës së leximit”. Ideja ishte që të bënin diçka interesante dhe kreative që do të ngjallte nostalgjinë për leximin dhe librin në përgjithësi. Pas një bisede kishin vendosur që këtë ta bënin duke hapur një ekspozitë me fotografi. Kështu, kishin ftuar disa nga miqtë dhe të njohurit e tyre dhe kishin nisur të shkrepnin fotografi të të rinjve duke lexuar. Por vendi ku lexonin këta të rinj nuk ishte biblioteka apo ndonjë vend i zakonshëm leximi.
Ishin shpërndarë në të gjitha pjesët e Tiranës dhe kështu në nëntor të vitit të kaluar, atje qe hapur ekspozita. Por projekti “Përmes lentës së leximit” nuk kishte përfunduar me kaq. Ai kishte udhëtuar edhe në Kosovë dhe tani titullit i ishte shtuar edhe një fjali: “Një përrallë e dy qyteteve”. Për të rikthyer jo vetëm imazhet e njerëzve që lexojnë në hollin e Bibliotekës Kombëtare, mësimdhënësja, njëherësh edhe njëra nga modelet e fotografive, Vlerë Jashari, ka lexuar poezinë “Jeta” të Naim Frashërit.
Ekspozita njëherësh shënoi edhe përmbylljen e aktiviteteve të edicionit të 20-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, një ngjarje e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Të tridhjetë fotografitë kanë zënë vend në katin e dytë të Bibliotekës në ekspozitën treditore.
Në ceremoninë hyrëse, bashkautorja Klea Ismaili ka shpjeguar rrugëtimin deri te hapja e kësaj ekspozite në Kosovë. Ka falënderuar Bibliotekën për mikpritjen dhe ka thënë se ka mbetur e mahnitur nga përkrahja që ka gjetur këtu.
“Bashkëpunimi fillimisht ka nisur nga Mondi, i cili ka qenë këtu për një projekt për kancerin e gjirin dhe një ‘IMI’, që është një kurator këtu në Kosovë, na bëri ftesë për ta risjellë ekspozitën në një koncept të ri. Ne ulemi së bashku dhe diskutojmë dhe që të tre erdhëm me këtë ide për mënyrën se si mund ta sillnim në një formë të re ekspozitën që mbajtëm atje. Të them të drejtën këtu ka qenë shumë, shumë e thjeshtë”, ka shpjeguar ajo para të pranishmëve.
Por realizimi i një ekspozite në Kosovë nënkuptonte edhe fotografi të reja e njëherësh bashkë me të edhe modele që do të pozonin për këto fotografi. Megjithatë një gjë e tillë nuk kishte qenë aspak sfiduese.
Bashkautori i ekspozitës Mondi Dauti, i cili jeton në Angli, ka thënë se e tërë ideja e kësaj ekspozite kishte lindur krejt papritur dhe asnjëherë nuk e kishte menduar hapjen e një ekspozite. Ka treguar se arsyeja se pse fotografitë janë punuar në bardhezi është për shkak se një punim i tillë i fotografive e ngjall më shumë nostalgjinë për të kaluarën dhe ky ka qenë në fakt edhe qëllimi i tyre.
“E gjithë kjo gjë ka qenë një sukses i madh. Nuk kishte qenë fare e planifikuar, nuk kam menduar kurrë se do të hapja një ekspozitë ose diçka si kjo. Gjithçka lindi nga fati dhe për fat timin dhe të Kleas ne i njohëm disa njerëz dhe e gjithë ekspozita doli shumë, shumë mirë. Shpresoj që fotografitë bardhezi të ngjallin një lloj nostalgjie dhe emocioni dhe shpresoj që njerëzit ta pëlqejnë atë”, është shprehur fotografi Dauti.
Luiza Muça, e cila kishte pozuar për këtë projekt, është shprehur e lumtur që kishte pasur mundësi të japë sadopak kontribut. Ndonëse me profesion është farmaciste dhe nuk ka ndonjë lidhje me artet në përgjithësi, ajo ka vlerësuar lart punën e dy autorëve Ismaili dhe Dauti.
“Si eksperiencë ishte shumë e bukur duke marrë shkak edhe për librin sepse jo shumë njerëz po merren me librin e po lexojnë libër. Në rregull, teknologjia ka ecur por sidoqoftë kjo pjesa e vjetër me librin të jep një lloj nostalgjie. Pastaj edhe fakti që është bërë bardhezi. Në fillim menduam se do të ishte me ngjyra, por ishte bardhezi sepse është pjesë e imagjinatës sepse kur lexon një libër, ti ke hapësirë të imagjinosh si të duash dhe edhe fotoja të jep të njëjtën ndjesi”, ka thënë ajo.
Pas një jave me aktivitetet të shumta, “Java e Bibliotekës në Kosovë”, një ngjarje që zhvillohet për çdo vit nga instituti më i lartë i librit në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ka mbyllur edicionin e saj të 20-të. Në vazhdën e këtyre aktiviteteve është bërë hapja e bibliotekës së veprimtarit Adem Demaçi, hapja e ekspozitës “Ernest Koliqi në 120-vjetorin e lindjes”, janë zhvilluar sesione ku janë trajtuar problematika të ndryshme. Aktivitete të ndryshme në kuadër të “Javës së Bibliotekës në Kosovë” janë organizuar edhe në bibliotekat e tjera të Kosovës, përfshirë Bibliotekën Publike në Gjilan, ku është bërë përurimi i Këndit hungarez, Bibliotekën Publike të Gjakovës, si dhe Bibliotekën Publike në Prizren.